Një “gjyq“ për gjithë gjyqtarët

Nga Mero Baze

Vendimi për t’i dhënë pafajësi të akuzuarit kryesor për vrasjen e Komisar Dritan Lamaj, ilustron gjendjen reale të drejtësisë në Shqipëri. Vrasja e Komisarit, u parapri nga një konfrontim publik i tij me të akuzuarin dhe nga një betejë politike e pushtetit të atëhershëm, për të marrë anën e të akuzuarit përballë Komisarit. I akuzuari u shfaq në një foto emblematike me katër drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit, duke kënduar me çifteli, me syrin e nxirë nga përplasja me Komisarin. Fotoja ishte ilustrim i asaj se mes Komisarit dhe kundërshtarit të tij, kupola e Policisë së Shtetit ishte me kundërshtarin. Ata ia dolën ta transferojnë nga detrya e Komisarit dhe t’i bllokojnë atij iniciativën personale për të hetuar rreth të shkuarës së kundërshtarëve të tij.

Pas vrasjes, natyrisht pati një përpjekje për të shkuar drejt të vërtetës nga policia, prokuroria dhe gjykata, por përfundimi i gjykimit është tronditës. Tani nuk kemi më as vrasës të dyshuar për Komisarin. Dhe për këtë dikush duhet të gjykohet.

Politika e ndoti keq këtë proces, në fillim duke lënë vetëm Komisarin dhe u bërë palë me kundërshtarët e tij në rrugë dhe tani që mbaroi gjyqi, duke u përpjekur të lajnë duart duke vënë Berishën të flasë si budalla ngaqë nuk i vjen turp.

Për të mos shpëtuar pa fajtorë, kjo histori duhet të nisë nga politika.

Së pari, të gjitha palët duhet të bien dakord që të pesë gjyqtarët dhe prokurorët që kanë hetuar çështjen t’i nënshtrohen një inspektimi nga KLD dhe Ministria e Drejtësisë, për gjithë mënyrën sesi kanë proceduar, që nga mbledhja e fakteve dhe provave, tek shqyrtimi i tyre, tek gjetja e dëshmitarëve kyç, etj. Gjithë aktorët politikë duhet të pranojnë që KLD-ja dhe Ministria e Drejtësisë kanë mbështetjen e tyre për këtë inspektim.

Së dyti, duhet të administrohen gjithë reagimet politike për këtë ngjarje dhe duhet të përfshihen në hetim, si dëshmi të rreme apo reale që kanë ndikim mbi hetimin. Nëse Mark Frroku dhe Tom Doshi po shkojnë drejt burgut për dëshmi të rreme, për një skenar vrasjesh që nuk kanë ndodhur, deklaratat e politikanëve që japin “fakte“ rreth manipulimit të hetimit dhe gjykimit për këtë çështje, duhet të administrohen dhe të gjykohen si dëshmi false për të fshehur një vrasje reale që ka ndodhur. Kështu Sali Berishës duhet t’i administrohet si dëshmi “sms“ që thotë se ka marrë (dhe sms verifikohet) sesi po formatohej serveri i Ministrisë së Brendshme, pas aferës së Bajraktarit dhe dëshmia e tij, se Edi Rama i paska çuar fjalë Arben Frrokut, “që mezi pres të dalësh nga burgu të hamë darkë, e të flasim si vëllezër( Mungonte vetëm t’i kishte thënë “thirr dhe Gon Kuliçin me çifteli me vete“). Këto deklarata dhe ato që ka thënë Edi Rama, Ilir Meta, Eduard Halimi, Petrit Vasili dhe gjithkush tjetër duhet të shqyrtohen, pasi kanë ndikim mbi shkuarjen ose jo drejt të vërtetës. Berisha është përsëritës në këto deklarata, pasi ai ka bërë dhe një gjest ende të pahetuar pas vrasjes së Santos. Ai shkoi në parlament dhe deklaroi se Santo 5 minuta para vrasjes i ka telefonuar Saimir Tahirit, por ky nuk i ka hapur telefonin. Ndërkohë që hetimi provon se Santo 12 minutat e fundit deri në fund të jetës, ka qenë duke folur me dikë që rri nga dy orë në zyrë të Sali Berishës duke lexuar vjersha të Eseninit.

Edhe ky mund të jetë një krim pasioni, pasi ka dashur të mbulojë të vërtetën dhe të fut hetimet në qorrsokak. Sidoqoftë në rastin konkret, çdo deklaratë politike duhet vlerësuar dhe duhet çuar para drejtësisë, siç u çuan dy deputetët për dëshmi të rreme.

E treta, që ka shumë rëndësi, Presidenti i vendit duhet të shprehet në emër të KLD-së rreth predispozicionit që ai ka për ta hetuar këtë ngjarje dhe për t’i shkuar deri në fund përgjegjësive ndaj gjyqtarëve, ku një prej tyre është dhe anëtar i KLD-së.

Vetëm kështu do të arrijmë të ndajmë politikën nga ndikimi mbi këtë proces dhe t’i bëjmë një gjyq real këtij gjyqi të shëmtuar të vrasjes së një funksionari shteti, i cili po tradhtohet nga shteti i vet. Çdo gjë tjetër është hipokrizi dhe ndihon të fshihen gjurmët e vrasësve.

"Gazeta Tema"

SHKARKO APP