Një gol për shpirtin tonë!

 

Ferdinand Dervishi

Sot shpirti ynë, shpirti i kombit tonë, kërkon djemve tanë një gol, një fitore, në fushën e futbollit. 
Për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar, ne jemi fare pranë kualifikimit për të shkuar në një kampionat europian të futbollit, dhe kjo prani, bashkë me rezultatet e dy viteve të fundit të kombëtares, ka vlerën e reklamës më pozitive që shqiptarët mund ti bëjnë vetes. 
Sot ne na duhet një gol që të mundë të kthejë drejt nesh fytyrën e Botës. Një gol në favor të njohjes dhe respektit ndërkombëtar të shqiptarëve, të cilët që nga pas kohërave të Gjergj Kastriot Skënderbeut, ose nuk kanë emetuar fare histori, ose informacioni i dërguar ka qenë pa interes dhe ndonjëherë larg pozitivit. Paskësaj, me një shkëputje të gjatë në mes, Bota na ka njohur për komunizmin shkatërrimtar, për eksodin biblik të vitit 1991, çmenduritë e 1997 dhe për eksportin e vazhdueshëm të krimit. Na njeh fare mirë edhe për imazhin e politikanëve hajdutë dhe milionerë, na njeh edhe për radhët e krimit brenda vendit, sidomos për krimin e rreshtuar në krah të politikës.
Por a mund ta kurojë sporti këtë imazh? A mund të krijojë futbolli njohje dhe respekt ndërkombëtar? Sigurisht që po. Dhe fatmirësisht sporti kuron imazhin e një populli dhe jo të politikës. Si shembull i kursyer mjafton të vëmendësohet se sot gjermanët nuk e kanë pasaportën e njohjes dhe respektit ndërkombëtar vetëm sepse prodhojnë “Mercedes Benz”, por edhe pse, prej gati një shekulli, kanë një skuadër futbolli në majat e suksesit botëror. Edhe shteti i bollshëm gjeografikisht i Brazilit njihet botërisht më tepër prej futbollit sesa për xhunglat dhe Amazonën dhe i njëjti argument vlen dhe për Argjentinën. 
Gjithsesi më shumë se me njohjen ndërkombëtare, goli dhe fitorja e ndeshjes kanë lidhje shpirtin e kombit tonë. 
Sot futbollistët tanë duhet të bëjnë gol dhe të fitojnë ndeshjen edhe për vuajtjet e shpirtrave të të parëve tanë. Një gol për vuajtjet e stërgjata të kosovarëve, të shtypur, vrarë e asimiluar përmes doktrinave sistematike shtetërore që udhëhiqnin veprimtarinë në terren të falangave serbo-sllave. 
Na duhet goli edhe për ata shqiptarë të asimiluar më në thellësi të territorit serb, malazez e maqedonas, të cilët e ndjejnë akoma në deje gjakun e ndryshëm. Na duhet goli për shqiptarët që kemi harruar në Luginën e Preshevës, na duhet edhe për shqiptarët e ndrydhur të Maqedonisë. 
Sot ne na duhet një gol edhe për Çamërinë dhe çamët e shpërngulur me përdhunë në dy kohë të ndryshme të historisë, drejt Turqisë dhe drejt Shqipërisë. Na duhet një gol edhe për arvanitët e Greqisë, të cilëve prej gati 200 vitesh nuk u kemi dhënë asnjë mundësi të ndiejnë t’u ndizet në vena gjaku shqiptar. Ne sot na duhet një gol edhe për shqiptarët e shumtë, por të harruar të Turqisë, edhe për arbëreshët e Italisë, na duhet një gol për të gjithë emigrantët shqiptarë të shpërndarë anembanë globit. 
Sot na duhet një gol, i cili do të na ndihmojë të thyejmë barrierat e ndrojtjes dhe vetëfrenimit teksa gjendemi në vendet e fqinjëve racistë. Na duhet një gol për emigrantët tanë në Greqi, për të gjithë episodet e thyerjes shpirtërore të tyre për shkak të racizmit. Një gol që të mos e ndalin ligjëratën në gjuhën shqipe kur pranë tyre afrohen grekët. Një gol për të gjithë ata që kanë ndërruar emrat, qoftë nga halli, qoftë nga detyrimi dhe për të gjithë ata që janë ndier të poshtëruar dhe të dorës së dytë. Na duhet një gol edhe për ata të huaj, të cilët në këto vende janë bashkuar në kurorë me shqiptarët. Na duhet për fëmijët e tyre, që kur ti pyesin në shkollë, apo në rrugë, të mos ndrydhen të thonë se njërin prind e kanë shqiptar. 
Sot na duhet një gol edhe për të gjithë ata të huaj që na kanë vlerësuar, ndihmuar dhe ndenjur pranë në periudha të vështira të historisë, qofshin presidentë shtetesh, politikanë, ushtarakë, udhëtarë, shkrimtarë, piktorë, aventurierë… Na duhet një gol për shkencëtarët, të cilët kanë vlerësuar shqiptarët si një nga kombet më të vjetër në Europë, për studiuesit që kanë vënë në vendin e duhur gjuhën shqipe, për albanologët që kanë gjetur te shqiptarët një nga racat më bujare dhe më krenare të gjithë njerëzimit. 
Sot ne na duhet ai gol me qëllim që Robert De Niro, aktori kryesor i disa prej filmave më mirë të Botës, kur ti jepet sërish rasti, të mos ngurrojë ta përsërisë me zë më të lartë frazën se është siçiliano-shqiptar. 
Na duhet një gol që kryeministri ynë të heqë nga kryeministria hartat e vjetra të Albanisë si prova inferioriteti dhe turbulencë identiteti dhe ti vendosë te Instituti i Albanologjisë…
Ne sot na duhet një gol edhe për shpirtin e Gramoz Palushit, shqiptarit të vrarë 4 shtator 2004 në Greqi vetëm sepse po i gëzohej fitores së ekipit tonë kombëtar të futbollit ndaj atij grek.
Ne sot na duhet një gol sidomos për shpirtin tonë. Që pas ndeshjes të dalim, të mbushim sheshet dhe të brohorasim, të këndojmë e pimë birra, qoftë raki, deri në të gdhirë. Le të thonë gjithë ditën dhe gjithë natën se shqiptarët i nxjerr në manifestim futbolli, por nuk i lëviz, nuk i mbledh e nxjerr në protesta keqqeverisja, mungesa e energjisë, faturat e fryra, taksat dhe gjobat, hajdutëria dhe perversitetet e politikës. Sepse nuk kanë të drejtë. Sporti nuk ka lidhje me politikën dhe “shefat” e saj, për arsyen e thjeshtë se atyre nuk u hyn në punë suksesi i kombëtares së futbollit në funksion të kënaqësisë së shpirtit. Atyre u duhet suksesi për tjetër qëllim: Ta shfrytëzojnë si rastin e radhës për të dalë në krye të logut e për tu shitur si kontribues me qëllim që të na turbullojnë e të na bëjnë të harrojmë se sa thellë ka shkuar hesapi. Atyre u intereson që turma të festojë, që të harrohen plagët, që të ngrihet mjegull, sepse ujkut kjo i duhet. 
Por ata nuk kanë lidhje me ngazëllimin tonë, sepse ata nuk kanë shpirt.
Prandaj sot ne na duhet një gol vetëm për kënaqësinë e shpirtit tonë. Një gol për lehtësimin e shpirtit të kombit tonë.

Marrë nga faqja në Facebook e gazetarit Ferdinand Dervishi

SHKARKO APP