Një grusht shteti sipas stilit maqedonas

Autoritetet e Maqedonisë e shtynë betejën politike në vend përtej pikës së moskthimit të shtunën kur ata në mënyrë të bujshme pretenduan se kanë parandaluar një grusht shteti të organizuar nga udhëheqësi i opozitës Zoran Zaev.

Tri njerëz janë ndaluar përveç Zaev, përfshirë një ish zyrtar të kundërzbulimit, bashkëshorten e tij dhe një nga mbështetësit e Zaev nën akuzat e spiunazhit dhe dhunës kundër zyrtarëve më të lartë të shtetit. Udhëheqësi i Partisë Social Demokrate, SDSM, mbetet jashtë burgut por pasaporta e tij është konfiskuar.

Lajmi shpërtheu në një konferencë për shtyp shumë dramatike të dhënë nga kryeministri Nikola Gruevski. Televizionet që zakonisht transmetojnë telenovela turke ndërprenë transmetimet e zakonshme për fjalimin e tij të dhënë drejtpërsëdrejti në të gjitha televizionet e mëdha, diçka që është e përshtatshme, siç thonë shumë vetë, për një regjim si ai i Azerbajxhanit.

Gruevski aludoi se takoi udhëheqësin e opozitës shumë herë dhe se Zaev u përpoq ta shantazhonte atë me dokumente të marra nga shërbime sekrete të huaja, të cilat provojnë korrupsionin dhe keqbërjen e qeverisë. Sipas Gruevskit, Zaev qe i përgatitur për të shkëmbyer dokumentet me heshtje në rast se kryeministri do të binte dakord për një qeveri të përkohëshme ku do të përfshihej edhe SDSM.

Lëvizja e tij dramatike erdhi pasi Zaev në mënyrë të përsëritur deklaroi se qe gati të publikonte një “bombë” politike që do të zbulonte keqbërjet e vërteta të qeverisë në një shkallë të tillë sa asaj nuk do t’i mbetej zgjidhje tjetër përveç dorëheqjes.

Nëse vetëm një pjesë e thashethemeve mbi përmbajtjen e bombës të ishin të vërteta, Gruevski pa dyshim do të qe në telashe. Burime pranë SDSM thonë se dokumentet në posedimin e Zaev përmbajnë prova që tregojnë se zyrtarët e qeverisë qenë përfshirë në manipulime elektorale, përgjuan bisedat telefonike të mijëra njerëzve, morën në telefon gjykatës për t’i instruktuar për vendime të ndryshme gjyqi e të tjera,

Pyetja kyçe në mendjen e gjithkujt që nga dita kur Zaev bëri publike pretendimet e tij tetorin e kaluar është: kur ai do të shpërthejë “bombën” e tij? Nëse opozita me të vërtetë ka marrë prova korrupsioni dhe krimesh në shkallë të gjerë, pse po e mban të fshehtë nga publiku? Po kaq e rëndësishme, a është e vërtetë që Zaev u përpoq të shkëmbejë dokumentet për një post në qeverinë e përkohëshme?

Megjithatë në një kthesë tjetër të papritur në këtë telenovelë komplekse, të hënën, një telvizion pranë qeverisë publikoi video që dikush i pati hedhur në YouTube, ku paraqitej zyra e kryeministrit, ku Zaev pranonte para Gruevskit se dokumentet i qenë dhënë nga agjenci spiunazhi të huaja. Filmimi sekret shton me tej dyshimet për një komplot të kapur në kurth udhëheqësin e opozitës.

Nëse Zaev u përpoq të shantazhonte Gruevskin me ofertën e tij për të mos publikuar të dhënat inkriminuese, lëvizja e tij qe idiote, naive dhe tërësisht e pambrojtëshme.

Një pyetje tjetër është se pse Zaev njoftoi se e posedonte këtë materjal që në fillim, gjë që i dha Gruevskit kohë shtesë për të ngritur një kurth për të rrëzuar kreun e opozitës dhe për të parandaluar publikimin e materjalit?

Le të shohin më lojtarin tjetër e këtij pokeri, Gruevski. Në pushtet që nga viti 2006, ai ka rezultuar më i suksesshëm në shtypjen e lirive demokratike, mbylljen e medias kryesore të pavarur dhe kufizimin e zërave kritikë të medias më së shumti online që ka audienca modeste.

Ai dukshëm merr frymëzim nga regjimet populiste dhe joliberale të Victor Orban në Hungari dhe Recep Tayyip Erdogan në Turqi dhe është tërësisht i painteresuar për shqetësimet e shprehura nga Brukseli dhe Uashingtoni për sa kohë ka kontroll në shtëpi.

Jo vetëm ai ka kontrolluar me aftësi opinionin publik përmes një makinerie të sofistikuar propagande por ai ka treguar me kalimin e kohës se ai nuk duhet të nënvlerësohet. Lëvizja e tij e fundit është provë e mëtejshme e kësaj.

Duke supozuar për një çast se një pjesë e thashethemeve për “bombë” qenë të vërteta, nëse ndonjë nga këto pretendime për prova tronditëse do të mbërrinte te publiku Gruevski do të gjendej në një cep të vështirë. Kjo është arsyeja se pse shumë e shohin të gjithë dramën e të shtunës si një lëvizje e dëshpëruar e një njeriu të rrezikshëm dhe të frikësuar, veçanërisht në një kohë rritjesh tensionesh në vend me shumë protesta kundër qeverisë së tij.

Plani nuk është pa defekte. Disa profesorë të së drejtës penale vënë në dyshim pretendimin se marrja e dokumenteve nga një agjenci spiunazhi e huaj përbën krim. Kjo për shkak se spiunazhi përfshin mbledhjen dhe dorëzimin e dokumenteve te agjencitë e huaja – jo anasjelltas.

Në të njëjtën kohë, ata vërejnë gjithashtu se publikimi i materjaleve, qofshin ato nga agjenci të huaja apo jo, që vërtetojnë abuzim me pushtetin, mund të përbëjë përpjekje për të rrëzuar qeverinë dhe për ta zëvendësuar atë me një tjetër por nuk përbën komplot kundër rendit kushtetues.

Gjithsesi, në Mozaikun shkatarraq të Maqedonisë, gjasat janë që kjo lloj kritike ligjore të mbetet e groposur nëpër faqet e vogla të internetit ndërsa narrativa kryesore formëzohet me kujdes nga aparati mediatik dhe i marrëdhënieve publike të qeverisë.

Tashmë që udhëheqësi i opozitës është akuzuar për spiunazh, dhunë dhe gjëra të tjera, hapi tjetër logjik është që të hidhet dritë mbi të ashtuquajturën bombë. Kjo dukshëm është arsyeja se pse partia në pushtet dhe media pro-qeveritare sakaq i ka thënë pjesës tjetër të medias të mos publikojë asgjë në lidhje me këtë çështje, gjë që nënkupton se askush nuk duhet të guxojë të prekë çfarëdolloj materjali që SDSM mund të publikojë.

Kjo do të garantojë heshtjen e medias kryesore ndërsa do t’i lejojë autoriteteve të përndjekin çdo faqe interneti të pavarur që ndërmerr rrezikun për të publikuar materjale inkriminuese.

Në Maqedoni, kërcënime të tilla nuk mund të mos merren seriozisht. Përgjatë pak viteve të fundit është parë se nuk është problem të dënosh dhe të burgosësh gazetarët.

Konkluzioni ideal për qeverinë tashmë është që media të qëndrojë e heshtur ndërsa vetëm sasi minimale informacioni filtrohen me kujdes përmes qeverisë para se të mbërijnë te publiku. Zaevi ndërkohë çohet nëpër gjykata, i diskretituar më tej dhe ndoshta i larguar për një kohë të gjatë. Nga koha që gjyqi i tij përfundon, kuratorët e ndryshëm të imazhit do të kujdesen që çështja të mos përflitet më.

Ndërkohë, ndërsa bota po vështron, BE ka reaguar vetëm me deklaratat më të dobëta të mundshme. Ajo ka thënë që pret “hetime të pavarura dhe transparente”, a thua se nuk është e njëjta BE që po bën raportime çdo vit duke dokumentuar pushtimin e drejtësisë së Maqedonisë nga politika.

SHBA-të, Gjermania dhe Britania e Madhe kanë shprehur gjithashtu shqetësime për natyrën e rëndë të akuzave me tone të ngjashme të kujdesshme.

Nëse SDSM po llogarit mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, duket se po vë bast në kalin e gabuar. Brukseli dhe Uashingtoni kanë shprehur në mënyrë të përsëritur shqetësimet e tyre për stabilitet si më të rëndësishme se sa shqetësimet për demokraci. Kjo nuk pritet të ndryshojë tani. Me kaq shumë probleme të tjera që kërkojnë vëmendje, nga Greqia në Ukrainë dhe Siri, kjo ngjarje acaruese thjeshtë sa kontribuon të ndjenjat e lodhjes së thellë kur vjen puna për t’u marrë sërish me Maqedoninë. Për sa kohë Gruevski ia del të ruajë një pamje demokratike ai do të jetë në gjendje të shpëtojë edhe nëse bën vrasje. Nëse Zaev përfundon në burg, për sa kohë dokumentet plotësohen, atëherë kështu do të ndodhë.

Mënyra e vetme që SDSM të shmangë një skenar të tillë, që të shpëtojë fytyrën e vet dhe çfarë i ka mbetur nga besueshmëria, ajo duhet të publikojë menjëherë dokumentet që posedon dhe të shpresojë që informacioni të dalë në dritë. Përndryshe, ata kanë marrë fund dhe për shumë kohë.

BIRN

SHKARKO APP