Një histori e ngjashme me Charlie në Tiranë

Nga Mero Baze

Në atë mbasdite Maji të vitit 1995, po pija kafe në rrugën "Myslym Shyri" së bashku me administratorin e shtypshkronjës “EuroRilindja”, S. Krasniqi, para zyrave të shtypshkronjës. Ndërsa, disa policë të forcave speciale, po afroheshin në formacion luftimi drejt derës së shtypshkronjës. Menduam se do të ishte ndonjë ngjarje kriminale. Por në fakt rrethimi u ngushtua para derës dhe më pas një prej njerëzve të policisë kërkoi pronarin e shtypshkronjës. Krasniqi u ngrit gjithë përtesë dhe filloi të flasë me policin civil. Kërkohej tirazhi i revistës “Hosteni” që ishte në shtyp. Hyrën brenda dhe polici civil mori disa kopje. I pa i çuditur dhe filloi t'i shfletonte me shpejtësi në kërkim të diçkaje që askush nuk e dinte  çfarë ishte.

-"Nuk është kjo",- i tha. Ku është koopertina?

-"S’di",- i tha Krasniqi. Ne shtypim veç përmbajtjen. Tjetërkund bëhet koopertina. Policët mblodhën disa kopje dhe u larguan.

Pak orë më vonë e mësuam të vërtetën. Shërbimi Informativ dhe Policia e Shtetit ishin vënë në në ndjekje të botimit të revistës Hosteni, pasi Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha, ishte informuar se në faqe të parë të saj ishte një karikaturë e Presidentit me dy prostituta. Në mbrëmje vonë, pasi nuk e gjetën dot koopertinën, policia shkoi në shtëpi të botuesit të saj, Filip Çakulit, dhe e arrestoi, duke e shoqëruar në qelitë e Drejtorisë së Policisë në Tiranë. Gjatë gjithë natës u mor në pyetje rreth revistës, lidhjeve të tij me armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm të vendit, sidomos Greqinë dhe më në fund tek halli që kishin: Ku ishte koopertina e revistës? Ata që e pyesnin ishin drejtues të SHIK-ut të Tiranës, që më vonë u bënë Drejtor Doganash dhe Tatimesh në kohën e Berishës së dytë.

Çakuli ishte i gatshëm t’ua tregonte. Nën shoqërinë e njerëzve të policisë dhe SHIK shkoi në redaksi dhe ua tregoi. Ishte ashtu siç e prisnin; Berisha lakuriq dhe “dy prostituta” anash tij. Vetëm se prostitutat quheshin PSD dhe PAD që e kishin tradhtuar dhe ishin ilustruar me portretin e Skënder Gjinushit dhe Neritan Cekës, përkatësisht kryetar të PSD-së dhe PAD-së.

Zhgënjimi qe i madh, por sidoqoftë Filipi e konsumoi burgun. Të nesërmen u lirua falë presionit ndërkombëtar dhe faktit që disa ditë më vonë Shqipëria do të pranohej si anëtare në Këshillin e Evropës.

Presidenti i vendit, Sali Berisha, ishte gati ta sakrifikonte dhe antarësimin e Shqipërisë në Evropë për një karikaturë kundër tij.

Pas ngjarjes së Charlie, ku terroristët piketuan katër kariakturist për t'i ekzekutuar, arrestimi i një botuesi për një karikaturë në Evropë, ka ndodhur vetëm në Shqipëri dhe vetëm nga Sali Berisha.

E gjithë kjo ngjarje më erdhi sot në mendje, tek shikoj këtë hipokrit të pakorrigjueshëm të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë në këtë vend.

Në këtë vend, ky është i vetmi pushtetar që ka arrestuar gazetarë, i vetmi që ka ndjegur redaksi, i vetmi madje edhe në Evropë, që është shpallur zyrtarisht nga Komiteti për Mbrotjen e Gazetare në New York, “Armik i Lirisë së Shtypit në Botë”. I vetmi që ka zbuar redaksi nga zyrat dhe i ka rrethuar me policë, i vetmi që ka djegur makina gazetarësh dhe ka bërë shantazhe me gjoba prej miliona eurosh, i vetmi që ka mbyllur emisione televizive duke u tundur pronarëve gjoba për bizneset e tyre…Dhe i vetmi që nuk ka turp, që i ka bërë të gjitha këto dhe guxon e flet ende për lirinë e shtypit.

Nuk do t’ia vlente ta ripërsëritnim këtë gjë, nëse rasti i Charlie nuk do ta bënte aq të prekshëm rastin analog të Shqipërisë. Para se të jemi hipokritë me lirinë e shtypit, duhet të kujtojmë vet ç'i kemi bërë asaj. “Charlie” u ndëshkua nga terroristët pasi botoi karikatura për Profetin Muhamed, ndërsa në Shqipëri një karikaturist është ndëshkuar ende pa e botuar karikaturën. Pra, është përgjuar dhe është parandaluar botimi, që për Sali Berishën quhet krim dhe që në fakt është e drejta e shtypit të lirë. Por, me sa duket të zezën e tij më të madhe, ai ende nuk e ka pranuar që është një e zezë, por e di si të drejtë të njeriut me pushtet dhe sot mendon, që ato që ai i ka bërë shtypit, duhet doemos t’ia bëjë dhe pasardhësi i tij.

Është e vërtetë se në gjithë botën ka shumë hipokrizi në ngushëllimet për Charlie, por vetëm në nje vend tjetër europian, përveç Francës, dikush ka ndëshkuar një gazetar me burg për karikaturat. Dhe ai është Sali Berisha. Ata që e bën gjëmën në Francë, kanë vdekur. Ky për të zezën e tij është ende gjallë dhe kutërbon.

SHKARKO APP