Një këndvështrim për vrasjen e Qazës nga një vend pa qeveri

Meqë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po na mbajnë të varur dhe të pashpresë, atëherë nuk na mbetet gjë tjetër përveçse t’i analizojmë vatrat e krizave nëpër vende të ndryshme të botës. Edhe atë hiç më pak se Lindjen e Mesme

Nga Berat Buzhala

Argumenti kryesor pro vrasjes së Kasëm Sylejmanit – që ne në Kosovë kemi vendosur ta quajmë Qazim, ose vetëm Qazë – ishte se ai gjatë veprimtarisë së tij, 30-40 vjeçare, kishte qenë i përfshirë në krime dhe akte terroriste, brenda dhe jashtë shtetit të tij.

Duke qenë luftëtar i zoti në luftën dhjetëvjeçare Iran-Irak, të zhvilluar në vitet e 80’ta, Sylejmani ishte ngritur shumë shpejt brenda ushtrisë iraniane. I biri i një familje të varfër kishte arritur që në fund të viteve 90’ta të emërohej edhe komandant i Gardës Revolucionare të këtij shteti, dhe për më tepër edhe udhëheqës i forcave Quds, të cilat forca ishin përgjegjëse për veprimtari ushtarake jashtë territorit të Iranit.

Me fjalë të tjera, që nga vitit 1998 e deri në momentin kur veturën në të cilën gjendej një dron e bëri pifti, Sylejmani kishte organizuar formacionet paramilitare në Liban, Palestinë, Irak, Siri, Afganistan, Jemen etj., etj. Pas Ajatollahut, Sylejmani ishte konsideruar njeriu i dytë më i rëndësishëm në vend, madje edhe më i rëndësishëm se sa vetë Presidenti. Jeta e tij e thjeshtë prej asketi, e kaluara e tij si ushtar, por edhe veprimtaria aktuale, e kishin shndërruar atë si një prej figurave më të respektuara në vend.

Hezbollahu, Hamasi, por edhe organizata të tjera të ndryshme radikale, sipas disa edhe terroriste, kanë qenë të financuara dhe orkestruara nga Irani, respektivisht Sylejmani. Ai së bashku me regjimin teokratik të ajatollahëve janë në pushtet në Iran që tash e 40 vjet.

Në vitin 1979, në atë që njihet si revolucioni islamik, iranianët e kishin dëbuar nga pushteti Shah Reza Pahllavin e korruptuar, duke e instaluar aty fillimisht Ajatollahun Ruhollah Khomeinin bashkë me klikën e tij.

Që prej atëherë e deri më sot regjimi në Iran armik primar i konsideron Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  Arabinë Saudite dhe Izraelin. Këtë të fundit synon që ta zhdukë nga faqja e dheut. Shumëkush beson që politika agresive e Iranit kundër Izraelit nuk është aq e thjeshtë sa duket. Një politikë agresive e Iranit kundër Izraelit i ka ndihmuar shtetit islamik shiit që t’i bëjë për vete edhe forcat radikale islamike sunni, siç është Hamasi dhe jo vetëm.

Mirëpo të gjitha këto vatra të krizave mund të konsiderohen deri diku si lojëra për fëmijë në krahasim me atë se çfarë ndodhi në Irak që nga viti 2003 e tutje, kohë kjo kur Iraku u pushtua/çlirua nga trupat amerikane.

Rrëzimi nga pushteti i Sadam Hysenit i hapi dyert e ferrit në tokë. Diktatori irakian, bashkë me djemtë e tij, sipas të gjitha standardeve ishin sadistë të ndyrë, mirëpo pas heqjes së tij nga pushteti rajoni nuk përfitoi ndonjë qetësi për t’u admiruar.

Përkundrazi ikja e tij e shndërroi Irakun në një teatër të përgjakshëm. Atje çdokush lufton kundër çdokujt. Numri i të vrarëve që nga viti 2003 e deri më sot i afrohet rreth 1 milionë vetave, duke e përfshirë në këtë bilanc dhe në këto statistika edhe vrasjen e fundit të z. Sylejmani, i cili po udhëtonte drejt Bagdadit, qytet ky në të cilin për të kushedi-satën-herë në këto 16 vjet situata po eskalonte. Komandanti i Gardës Revolucionare ishte person mjaft i dashur për një pjesë të shiitëve në Irak. Për të demonstruar ndikimin që kishte në këtë shtet, por edhe për të treguar mungesën e frikës, Sylejmani viteve të fundit vizitat në Irak i bënte në mënyrë mjaft transparente, madje duke realizuar selfie të pafundme me banorë të ndryshëm. Ekspozimi i tij kaq i madh i muajve të fundit shumëkënd e kishte bërë të mendonte që ai po përgatitej që të futej në zgjedhje për t’u zgjedhur edhe president legal i Republikës Islamike.

Mirëpo të kthehemi prapë në Irak, atje ku Qazim Sylejmanin të premten e braktisi fati.

Mijëra qytetarë irakianë kishin protestuar muajve të fundit kundër qeverisë së tyre, duke e konsideruar atë të korruptuar dhe si kukull të Iranit. Madje çuditërisht dhe pazakonshëm kundër kësaj qeverie tashmë po protestonin edhe myslimanët shiit, që normalisht nuk do të ishte e pritshme që të protestonin me kërkesa të tilla dhe kundër një shteti si Irani, marrë parasysh fenë e përbashkët.

Shiitët në Irak, ani pse shumicë, kishin jetuar nën pushtetin e pakicës Sunni të Sadam Hysenit.

Sido që të jetë, pas një presioni të madh publik kishte rënë qeveria në Irak. Një gjë e tillë e kishte brengosur Iranin zyrtar. Ata nuk e kishin pritur që qytetarët e Irakut të ktheheshin kundër tyre, e për më tepër kishin filluar edhe t’i digjnin edhe përfaqësitë diplomatike iraniane në Irak.

Deri në fund të dhjetorit çdo gjë atje po shkonte në drejtim të acarimit të raporteve Irak – Iran, kur i pari po kërkonte pavarësi të plotë nga i dyti. Kjo gjendje vazhdoi që nga shtatori deri me 29 dhjetor, kur në konflikt u përfshinë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat në një sulm ajror në Irak i vranë së paku 25 kryengritës të Hezbollahut, duke e ndryshuar kështu trajektoren e protestave. Të nesërmen në Bagdad shpërthyen protesta antiamerikane, ku mijëra irakianë u nisën në drejtim të ambasadës SHBA’ve e cila gjendet në atë që njihet si Zona e Gjelbër. Në këtë mënyra situata politik u përmbys prej një revolte antiiraniane në një revoltë antiamerikane. Prapa këtij realiteti të ri siç duket fshihet Qazim Sylejmani, i cili në ditën kur është vra po udhëtonte nga Siria në Irak, të cilin ai e konsideronte sferë të interesave të tij dhe të shtetit të tij. Madje, në mënyrë krejtësisht të pazakontë, Sylejmani në vitin 2008 këtë gjë ua kishte bërë të qartë edhe amerikanëve. Ai kishte shkuar aq larg sa i kishte nisur një SMS komandantit të sapoemëruar amerikan në Irak, gjeneralit David Petraeus.
“Iraku, Libani, Gaza, Afganistani janë zona të miat të interesit”, i kishte shkruar gjenerali iranian gjeneralit amerikan. Në Pentagon ishin çuditur më këtë sjellje të tij.

Sido që të jetë, raportet Amerikë – Iran në këto 40 vite nuk kanë qenë gjithmonë skandaloze. Ka pasur momente kur, bie fjala, Irani kishte shprehur simpati për SHBA’në. Kjo gjë ka ndodhur në kohën e sulmeve terroriste të vitit 2001. Këto sulme, ani pse kundër armikut kryesor të vet, Irani i kishte dënuar. Në anë tjetër, në heshtje, Amerika dhe Irani kanë bashkëpunuar në njëfarë mase edhe në luftën kundër ISIS’it në Siri dhe Irak.

Trupat tokësore të Qazim Sylejmanit që po i luftonin forcat terroriste të ISIS’it janë mbështetur nga forcat ajrore amerikane. Këto dy shtete, në momente të caktuara, ndonëse jo shpesh, janë pajtuar për të ndalur dhunën në Irak, e cila po shkatërronte çdo gjë para 10 vitesh. Ndoshta për këto arsye, por edhe për ca të tjera, administrata e Barack Obamas dhe ajo e George Bushit të Ri kishin refuzuar ta vritnin Sylejmanin, ndonëse atë e kanë pasur në dorë së paku në dy raste. Njëherë në Irak, dhe njëherë në Liban. Në të dyja rastet e kishin kursyer.

Sylejmani edhe atëherë, sikurse edhe sot, prej qeverive Perëndimore është konsideruar si një figurë e errët mbi të cilin rëndojnë shumë krime, por që megjithatë vrasja e tij, ose atentati mbi të, sipas tyre, mund ta përshkallëzonte situatën, e jo që ta qetësonte atë. Qazim Sylejmani, përkundër që ka përgjegjësi direkte për shumë krime, ai megjithatë ishte vetëm njëri prej krerëve, ndoshta i dyti më i rëndësishmi, në aparatin shtetëror iranian.

Irani, ndonëse është sponsorizues direkt i shumë organizatave terroriste, ndonëse shpërndan destabilitet në të gjithë rajonin, vazhdon të jetë një shtet i fuqishëm dhe me raporte të qëndrueshme me shtete si Rusia dhe Kina.

Prandaj pak kush beson dhe shpreson që një vrasje e një zyrtari të një shteti do të ndikojë pozitivisht në rajon. Përkundrazi, pas ngjarjes së djeshme, Irani është zotuar që do të hakmerret për vrasjen e zyrtarit të vet. Kohën, mënyrën dhe kushtet e hakmarrjes Irani do ta përzgjedhë ashtu siç i leverdisë atij. Njohësit e situatës në Lindje të Mesme vlerësojnë që shteti islamik ka opsione të pafundme për t’u hakmarrë. Pastaj mbetet të shihet se cila do të jetë përgjigja amerikane ndaj hakmarrjes iraniane. Pastaj sërish do të mbetet të shihet përgjigja iraniane ndaj përgjigjes amerikane. Nisur nga këto supozime shumëkush po druan që vrasja e Qazimit mund ta eskalojë situatën në mënyrë të paparashikueshme. Kështu që pyetja që është duke u shtruar është kjo: Pse u vra Qazim Sylejmani tash?, nëse vetëm disa javë më parë Donald Trump kishte deklaruar që SHBA po tërhiqeshin prej Lindjes së Mesme, duke mos dashur që të bëheshin më pjesë e luftërave të pakuptimta? A mund të përfshihesh në vrasje të këtilla të niveleve kaq të larta dhe në të njëjtën kohë të mos përfshihesh në luftëra? Çfarë do të ndodhë nëse hakmarrja e Iranit e tejkalon imagjinatën tonë? A do t’i përgjigjet SHBA me të gjithë forcën? Ose, a i ka menduar të gjithë këta skenarë Presidenti Trump, në momentin kur ka dhënë urdhër për ta asgjesuar Qazim Sylejmanin dhe eskortën e tij, apo kur e ka dhënë këtë urdhër atë e ka bërë thjesht dhe vetëm për të kënaqur egon personale, duke i anashkaluar të gjitha komplikimet e mëvonshme. Ne të gjithë e mbajmë në mend tërheqjen e forcave amerikane nga Siria dhe shpjegimet që i kishte dhënë Trump për këtë tërheqje. Nëse eskalon situata, a do t’i kthejë ato forca prapë aty ku kanë qënë dhe qindëra mijëra të tjera më shumë në të gjithë rajonin?

Është konstatim i mbarë botës së lirë që Qazim Sylejmani nuk ishte një person vdekja e të cilit duhet ta pikëllojë dikë. Siç u tha edhe në këtë shkrim, ai në emër të shtetit të tij ka kryer dhe ka nxitur krime të shumta në të gjithë rajonin. Të gjithë e dinë që ai i ka mbajtur të destabilizuara disa shtete për rreth. Mirëpo askush nuk e di nëse Trump është i përgatitur edhe për episodet e tjera që do të pasojnë.

Gazeta Express.

SHKARKO APP