Një ”leksion” jete të artistit të madh shkodran Pjetër Gaci
Nga Saimir Kadiu
Duke kujtuar të madhërishmin Pjetër Gaci (27 MARS 1931-27 MARS 1995) në përvjetorin 93 të lindjes dhe 29 të ndarjes nga jeta. Po ripostoj një “leksion” jetë të artistit të madh shkodran, të marrë nga “Gegnisht”.
Nga Gegnisht
Në dhjetorin e vitit të largët 1960, Pjetër Gacin e morën ushtar në Golem të Kavajës. Ishte 29 vjeç. Vinte nga “Çajkovski” nga Liceu artistik i Tiranës, nga TOB-i etj., me një barrë përvoje muzikore.
Ushtarëve të repartit u bëri përshtypje ky rekrut “i ri” në të tridhjetat. Me urdhër nga lart e ngarkuan qysh në janar të përgatiste një program artistik për 10 Korrikun, ditën e ushtrisë. Kësisoj iu desh të shkonte në shtëpinë e kulturës Durrës.
Teksa po hynte, po i hanin veshët ca tinguj pianoje të nxjerrë nga duart e një amatori. Kur hyri brenda pa një oficer kokoroç, të veshur me rroba të reja ushtarake që po i “binte” pianos. E pa me përçmim. Oficeri e vuri re dhe, duke menduar se ndodhej përballë një ushtari të stërkequr, që kushedi nga vinte e pyeti: “Ke parë ndonjëherë nga këto gjëra?”
Pjetri nuk foli, iu afrua pianos, e ledhatoi me mallin e një diçkaje të dashur dhe i mori leje oficerit të ulej në tastierë. Ky e lejoi. Pjetri luajti me një rrëmbim virtuoz përroin polifonik të tokatës dhe të fugës në re minor të Bahut. Hapësirat e shtëpisë së kulturës u mbushën me tinguj jetëdhënës. Ata që e dëgjuan u mahnitën. Pasi u çmerit nga ky interpretim, oficeri i shkretë nuk iu afrua kurrë më shtëpisë së kulturës, jo më pianos… (marrë prej profilit të Zija Vukaj)