Një lutje për heronjtë e luftës
Kush nuk respekton heronjtë e kombit të tij nuk mund të ketë moral për një jetë dinjitoze në liri e demokraci. Askush nuk mund të gëzojë në paqe dhe harmoni jetën në liri kur ajo ka në themel gjakun dhe sakrificën e bijve e bijave apo burrave të shtetit që u sakrifikuan për një të ardhme të paqtë dhe të lumtur në rast se ne nuk i respektojmë ata.
Thellësisht lutem për shpirtin e tyre dhe familjet që lanë pas, me një dhimbje por dhe krenari hyjnore. Si prift ose klerik, lutem për shpirtin e tyre duke shmangur çdo spekulim politik apo fetar. Sakrifikimi i jetës për një të ardhme të paqtë dhe në harmoni për familjen dhe kombin tënd kurrsesi nuk duhet të pronësohet nga politika apo pushtetet e ndryshme.
Kush ndërron jetë për lirinë e atdheut dhe kombit të tij meriton respekt dhe lutje të përjetshme, pavarësisht se kur derdhet gjaku i pafajshëm dhe i sakrifikuar në dobi të të gjithëve. E ndjej si obligim dhe detyrim ndaj kombit tim të respektoj dhe ti lutem Perëndisë ose Zotit për qetësi të përjetshme për çdo shqiptar që sakrifikon jetën për një ideal të mirë dhe të pastër për brezat që vijnë pas. Vendosëm që ditën e diel datë 23 nëntor 2014 , në meshën që mbahet në kishën Shën Maria Elbasan t'i lutemi Zotit me një përshpirtje për heronjtë e Luftës së Dyte Botërore pa dallime politike djathtas apo majtas.
Është hera e parë që një institucion besimi i drejtohet Zotit për njerëz të sakrificës deri në humbje të jetës. Për ne si kishë nuk ka rëndësi se kush besonte dhe kush nuk besonte sepse Zoti është i padiskutushëm në ekzistencën e tij dhe në meshirën e pafund që ka. Shpesh herë e vërteta ka folur dhe me fakte se luftën e nisin idealistë, e mbarojnë trimat dhe fitoren e gëzojne horrat.
Ky 70 vjetor i lirisë së atdheut, duhet të na gjejë të bashkuar së bashku në respekt dhe lutje për sakrificën e dëshmorëve. Ne duhet të pranojmë pa asnjë hezitim, brenda shpirtit dhe vetëdijes sonë se heronj ka nga çdo krah politik i asaj periudhe. Une si klerik, nuk bëj dallime për qellime pushteti apo përfitime të vazhdueshme, që fatkeqësisht ndodhin dhe sot. Për mua si klerik në lutjen time në meshë janë bijë dhe bija të kombit tim. Kush keqpërdor sakrificën e jetës së tyre për një Shqipëri demokratike dhe në liri të pronës, arsimit, zhvillimit, do të mbetet gjithmonë një spekulant i rrezikshëm për shoqërinë shqiptare.
I ndrite shpirti dëshmorëve të kombit tonë dhe Zoti mëshirofte ata që krijuan pushtet kriminal duke u fshehur pas gjakut të heronjve. Sakrifica për kombin tënd, nuk bëhet për privilegj apo diktaturë kundër po kombit tënd. Sakrifica është e pastër si ujë i kristaltë dhe e dobishme si një ilaç mbrojtjes për kombin tënd . Bekuar qofshin ata që luftojnë me vdekjen që familjarët dhe pasardhësit e tyre së bashku me tërësinë kombëtare të vazhdojnë një jetë dinjitoze në dashuri për njëri-tjetrin dhe vëllazërim të përhershëm.