Një marrëveshje e keqe me Greqinë
Marrëveshje e keqe do të ishte që Shqipëria të kënaqet me anullimin formal të një ligji jofunksional lufte të cilit aq shumë ia kanë rritur artificialisht pazarin, saqë të thuash ti se po nuk u anullua ai, vërtet do të duhet të ngjeshim armët e të dalim malit për liri.
Nga Sokol Shameti
Nuk e di çfarë do të quhej një marrëveshje pozitive me Greqinë. Por ama e di çfarë do të ishte një marrëveshje e keqe.
Marrëveshje e keqe me Greqinë do të ishte që Shqipëria e varfër të pranojë t’i japë për shfrytëzim ekonomik Greqisë së pasur një hapësirë detare ende të papërcaktuar e cila me hak, i takon Shqipërisë.
Marrëveshje e keqe do të ishte që Shqipëria e vogël, të pranojë që Greqia e madhe të shenjojë me kryqe varresh vijën e një kufiri të ri shqiptaro-grek, deri dje imagjinar, por tashmë të konkretizuar dhe fizik, në thellësi të territorit shqiptar.
Marrëveshje e keqe do të ishte që Shqipëria antifashiste t’i konsiderojë si çlirimtarë ushtarët e një ushtrie pushtuese e cila pasi përshëndeti pushtimin e Shqipërisë nga fashizmi, hyri në një garë dominimi të Shqipërisë, me fashistët e parë.
Marrëveshje e keqe do të ishte që Shqipëria të kënaqet me anullimin formal të një ligji jofunksional lufte të cilit aq shumë ia kanë rritur artificialisht pazarin, saqë të thuash ti se po nuk u anullua ai, vërtet do të duhet të ngjeshim armët e të dalim malit për liri.
Marrëveshje e keqe mund të quhet që Shqipëria t’ua njohë pronat otomane grekëve etnikë që jetojnë në Shqipëri, edhe nëse këta dikur kanë bashkëpunuar me pushtuesit e huaj të Shqipërisë, ndërsa Greqia t’i dënojë me ekzil të përjetshëm shqiptarët etnikë të Greqisë, edhe nëse këta s’kanë pasur asnjë bashkëpunim me pushtuesit e huaj të Greqisë.
Marrëveshje e keqe mund të quhet lejimi nga ana e Shqipërisë që reciprociteti në mbrojtjen dhe trajtimin e pakicave etnike të mos funksionojë në mënyrë strikte dhe rigoroze. Nëse dikush që ndjehet grek në Shqipëri edhe nëse është në realitet lab, vllah ose myzeqar të shpërblehet me “pension” (!!!), ndërsa një epirot, maqedon apo arvanit shqipfolës në Greqi, t’i nënshtrohet stigmës, asimilimit, lavazhit trunor dhe diskriminimit nëse guxon të ndjehet etnikisht shqiptar.