Një mënyrë sesi Berisha t’i kthen përgjigjet

 

Nga Mero Baze

Ambasadori Lu duhet të mësohet me këtë stil. Në gjithë krizat politike në Shqipëri qysh nga dhjetori i parë i pluralizmit, një vit pas demonstratave studentore, kur u rrëzua qeveria e përbashkët e Ylli Bufit mes PD-PS, e deri më sot, Berisha ka të njëjtën skemë. Sa herë që lihet jashtë vëmendjes, faktorizohet duke u bërë radikal, përmes një pakice rruge, ose kapje institucionesh, deri sa t’i detyrojë palët të bisedojnë me të. Në momentin që palët ulen të bisedojnë me të, ai pastaj u nxjerr një nga një si problem, problemet që ka krijuar vet.

Në dhjetor të vitit 1991, kur prishi qeverinë Bufi-Pashko, nxorri si pretekst të persketuarit, që gjoja nuk i kontrollonte dot. Në vitin 1997, kur Shqipëria hyri në luftë civile, nxorri në rrugë paramilitarë të armatosur zyrtarisht më 3 Mars, vetëm që më 9 mars palët të uleshin me të dhe pastaj ai të bënte sikur nuk qetësonte dot paramilitarët e vet.

Në vitin 2000, kur e pa që u izolua dhe u vetëburgos, shpërtheu fushatën e dinamitit kundër shtyllave të tensionit të lartë, komisariatave dhe protesta të përditëshme. Këtë presion tentoi ta mbajë dhe pas zgjedhjeve të vitit 2001, derisa Nano e përfilli pëe interesa të tij tek procesi i zgjedhjes së Presidentit, ku dhe u rifaktorizua. Pas asaj pushuan si me komand protestat, dinamitët dhe PD-në e mori malli deri në vitin 2004, kur ai prishi paktin me Nanon dhe nisi fushatën “Nano ik”.

Situata të tilla iu përsëritën pas vitit 2013, pas humbjes së tij më të thellë dhe më të pastër politike. Ai u tërhoq formalisht, nxorri në krye të PD-së Bashën dhe ka dy vjet që nuk lë gjë pa bërë, për tu dhënë të kuptojnë gjithë palëve se shefi është ai dhe duhet folur me të. Ambasadori Lu e bëri këtë gjest dje dhe shkoi bisedoi me të për Reformën në Drejtësi. Edhe pse duket si shaka e hidhur, gjuha e Berishës dukej formalisht e korrigjuar duke e lënë litarin jashtë sipas traditës, tek nevoja që në këtë reformë të përfillen aktorë të tjerë të rëndësishëm.

Dhe ja përgjigjia sot. Për gjithë ata që duan të dinë ç’mendon Berisha për reformën dhe a do ta miratojë atë, lexoni letrën që ai ka shkruar në emër të Bujar Nishanit drejtuar Kuvendit. Është e tëra e pasaktë, e pavërtetë, dhe e pacipë.

Është e pasaktë, pasi iu referohet gjërave që nuk kanë ndodhur, ose kanë ndodhur ndryshe. Është e pavërtetë, pasi institucioni i Presidentit ka këmbëngulur deri në fund të qëndrojë larg këtij procesi dhe është e pacipë, pasi bëhet tashmë që procesi ka dalë nga pala shqiptare dhe po koalidohet tek Komisioni i Venecias, BE dhe SHBA.

Por e thjeshtëzuar, ajo është mënyra sesi Berisha t’i kthen përgjigjet pasi e faktorizon.

Letra mund të ishte dhe më e shkurtër dhe më e egër, por Berisha, që duket se e ka shkruar nga fillimi në fund, ka bërë kujdes dhe për momentin kur ajo publikohet.

Këto javë pritet të dalë një qëndrim i Komisionit Evropian për Reformën Zgjedhore në Shqipëri, jo vetëm si një kusht thelbësor për hapjen e negociatave, por dhe si një proces që duhet inkurajuar të mbyllet sa më shpejt, duke e konsideruar gjithçka çfarë është bërë, një reformë e mbështetur nga Perëndimi.

Në këtë rast Berisha do tu tregoj, se kjo nuk është reforma juaj, por e kundërshtarëve të tij, njëlloj siç i thoshte Vrancikit, që t’i shkruan deklaratat Albert Shyti nga Komiteti i Shpëtimit.

Së dyti, Berisha kërkon të mbajë ende më shpresë një kastë gjyqtarësh brenda sistemit, që janë partizanë të flaktë kundër kësaj reforme dhe kërkon t’i përdorë ata, si faktorë të tjerë që duhen përfillur pas Nishanit.

Dhe së fundmi ai dëshiron që ky proces të mos jetë kështu si ka nisur, një proces i mbikqyrjes perëndimore dhe diktim i konsesusit politik prej tyre, por kërkon ta kthej tek një betejë e zakonshme politike numrash dhe argumentesh partizane, për t’ia hequr asaj solemnitetin si Reformë në Drejtësi dhe për ta konsideruar si reformë politike.

Dhe të gjitha këto, që natyrisht nuk ia thotë dot në sy, as ambasadorit Lu, as diplomatëve europianë, ia shkruan Bujar Nishanit dhe ia dërgon Kuvendit, për të dëgjuar zoti Lu, tek Rruga e  Elbasanit. Pas kësaj do të kemi faktorë të tjerë, që do të flasin kundër reformës, deri dhe Gjin Gjoni. Berisha do të vazhdojë të thotë po përpiqem, por ka shumë probleme. Është mënyra sesi ai ringrihet, pasi e flakin dhe e izolojnë. Në fillim, faktorizohet në emër të rrugës dhe pastaj të tërheqë tek beteja e tij e pabesë. Dhe natyrisht ta shkatërron betejën dhe kur nuk të mundë dot. Ndaj nuk duhet pyetur ai, por qytetarët shqiptarë.  Nenet për Referendumin janë të qartë.

TEMA

SHKARKO APP