Një miting me kauzë, apo pa kauzë…?
A ishin kauza dhe arsye të drejta që shqetësojnë jetën e njerëzve ato, apo thjesht Kryetari i ri i PD-së po përpiqet të rikonfirmohet e forcojë pozitën e vet në krye të partisë, duke përfituar nga dhimbjet që po shkaktojnë reformat e ndërmarra nga Qeveria? Në këtë miting kishte më shumë njerëz se herë të tjera dhe kjo të jep përshtypjen se arsyeja, ishin kauzat e drejta që i nxorën njerëzit në shesh. Për të kuptuar kauzat e këtij mitingu, le të analizojmë pikat kryesore të fjalimit të Bashës. Para tyre, të shohim se cila ishte pjesëmarrja, pasi edhe ajo ka lidhje me kauzat. Pra kush i erdhi PD-së në atë miting? Një pjesë dihet, ishin militantët e saj të përhershëm. Pjesa tjetër, ajo më e madhja, që bëri diferencën me mitingjet e tjera, kush ishte? Nuk besoj se është vështirë të kuptohet se ishin ata që u janë prekur interesat nga reformat. Ata që janë mësuar tash 20 vite duke e vjedhur energjinë, që janë marrë sa e sa vite me kultivimin dhe shitjen e drogës, që kanë katranosur vendin me ndërtime pa leje. Ata që do të humbin karriget e komunave dhe bashkive të babëzisë e marrëzisë. Ishin dhe ca nga ata që kanë bërë biznes gjithë kohën, në të zi dhe tani u ka ardhur dita të paguajnë ndonjë taksë… Ja, këto ia mbushen sheshin 2 B-ve të PD-së, para Kryeministrisë, në poltronat e së cilës ëndërrojnë të rikthehen me urgjencë 2 B-të. Ata u shtojnë gjithnjë nga një zero shifrave dhe thonë për çdo rast se ky ishte mitingu më madhështor që kemi bërë. Por kush di të bëjë një hesap të thjeshtë, të llogarisë hapësirën 2 vetë për m2, do të kuptojë se ashtu si salla 2 mijë vendshe e Kongreso-mitingut të fundit, nuk kishte si të nxinte 5 mijë vetë, ashtu dhe sheshi para Kryeministrisë deri te ura, nuk nxë më shumë se 10-15 mijë njerëz. Ah, desh harruam dhe sindikalistët e mejhaneve të Gëzim Kalasë, të cilët të bëjnë për të qeshur edhe kur je në pikë të hallit. Tani që u rrëzua Sala edhe ata po dalin, si mijtë nga halet për t’u marrë me politike, se për të drejtat apo hallet e punëtorëve, këta ia kanë qarë hallin këtij populli sa s'bëhet më..! Pika që s’u bie dhe atyre që i mbajnë me fonde publike këtë soj sorollopi..!
Të kthehemi te kauzat e mitingut. Kryetari Lulzim Basha na i rreshtoi ato kështu: “Jemi ‘pro’ respektimit të ligjeve dhe kundër shtetit policor. Jemi kundër ndërtimeve pa leje, por jemi përkrah atyre që u prishet prona. Jemi kundër vjedhjes së energjisë, por jemi kundër arrestimeve. Jemi kundër diplomave false, por jemi dhe kundër mbylljes së shkollave të larta që i prodhojnë ato. Jemi kundër rritjes së çmimit të energjisë, kundër rritjes së taksave, kundër ndalimit të ndërtimeve etj”. Këto ishin substanca e atyre që tha në mitingun e PD-së Lul Basha, i cili për hir të së vërtetës, edhe pse u ngjir përsëri duke u përpjekur të kopjojë Berishën, duhet thënë se këtë radhë foli më me finesë dhe më me inteligjencë se paraardhësi i tij ulëritës. Po a ishin kauza të drejta këto që janë shkaktuar nga reformat e Qeverisë, apo thjeshtë 2 B-të po përpiqen të përfitojnë politikisht nga momenti? Kryeministri Rama e ka thënë hapur se, reformat do të vijojnë me vendosmëri edhe pse ato mund të kenë kosto elektorale të larta për aleancën qeverisëse. Qeveria është e vendosur të ecë përpara, sepse mendon se rrugë tjetër nuk ka vendi. Opozita mendon ndryshe. Është e drejta e saj. Edhe ajo do të ketë kostot e veta elektorale për ato që flet, për ato që ka bërë dhe për ato që po bën. Por, më parë duhet kuptuar një gjë shumë e thjeshtë: Pse Qeveria e zotit Rama po detyrohet të ndërmarrë këto reforma kaq të mëdha, kaq të guximshme e kaq të dhimbshme, të cilat normalisht prodhojnë edhe kauza protestash? Për pjesën më të madhe të shqiptarëve, mendoj se kjo është krejt e qartë. U detyrua, sepse në gjendjen që e lanë vendin dy herë Qeveritë e Sali Berishës, nuk kishte rrugë tjetër shpëtimi. Ose operacion me dhimbje të mëdha, ose kanceri po merrte dhenë dhe Shqipëria do të binte në greminë, siç ra në ‘97-ën. U detyrua, sepse për këto reforma ia dhanë 1 milion vota shqiptarët, kundrejtë 450 mijë të PD-së. Le ti marrim një nga një disa nga kauzat që shpalosi Njëshi i dytë i PD-së në miting: Të jesh pro respektimit të ligjeve dhe kundër shtetit policor, na duket e drejtë elementare. Po nuk e di se si e konceptojnë shtetin këto të PD-së..! Pa policë fare, apo me asi dordolecash me bark deri te hunda, që kishte mbledhur Dr. Saliu nga radhët e PD-së, sa të vinte turp kur i shihje sapo hidhje hapin në tokën shqiptare. Nëse këtij copë shteti, që po përpiqen të ringenë në këmbë Rama e Tahiri këta i thonë shtet policor, atëherë i bie që Europa, ku jetoj unë, të jetë një burg i madh. Jemi kundër ndërtimeve pa leje, por jemi kundër prishjes së pronës së qytetarëve, tha Luli. Po ç’bëre ti, o Lul ziu, këto tre vjet në Bashkinë e Tiranës? Hiç asgjë tjetër, veç na rimbushe me kioska rishtas trotuarët e lulishtet, rrugët e oborret e spitaleve dhe shkollave, si në kohën e Kelmendëve dhe Brokajve të Partisë e Saliut tënd, që e patën shndërruar Tiranën në Kabul. T’i merrje, o Lul ata mitingashë e t’i shëtisje pakëz rrugëve të Kryeqytetit, që t’u tregoje punët e tua, t’u tregoje se si e qeverisin ndryshe demokratët Tiranën, së cilës nuk i shihen më as vijat e bardha të rrugëve, as koshat e plehrave, por veç pisllëku e gropat. Po për vjedhjen e energjisë çfarë bëtë kur na qeverisnit ju me Berishën? Hiç asgjë nuk keni bërë dhe nuk u vjen turp të flisni tani, që dikush po nis të bëjë atë që duhej bërë prej 24 vitesh. Në fakt, ju një gjë e keni bërë për energjinë. Ia ngecët sistemin e shpërndarjes një firme të huaj dhe menduar se ia hodhët. Më pas deshët t’i vidhnit edhe kapitalin që solli në Shqipëri..! Një hajni dhe një turp i madh që do na kushtonte rëndë, po të mos zgjidhej me mend në kokë dhe këmbë në tokë nga këta që na qeverisin sot. Po shkollat e diplomave false, kush i krijoji, o zoti Kryetar? Qeveria e Berishës dhe e Partisë suaj e mbushi vendin me letra bakalli, sa do na duhen më shumë vite për t’u shëruar prej tyre, se na u deshën për piramidat tuaja të famshme financiare. Ju thoni se jeni kundër rritjes së çmimit të energjisë, kundër rritjes së taksave, kundër ndalimit të lejeve të ndërtimit. Shumë të drejta këto kundërshtime që para jush i bëri biznesit. Qeveria duhet t’i dëgjojë ata patjetër dhe t'i bëjë hapat një nga një. Por, kur na i thua ti, z. Basha këto dhe kur i përdor si kauza për miting, ne kemi të drejtë të pyesim ty: kush ia la gjithë ato gropa borxhesh këtij vendi? Kush e rriti sa e sa herë çmimin e energjisë? Kush i shkatërroi bukuritë e Shqipërisë me kaosin e ndërtimeve me e pa leje? E di çdo shqiptar se këto, e sa e sa si këto, i bëri vetëm Sali qoftëlargu me ministra si ti. Ju nuk i keni lënë kusur së keqes në këtë vend dhe tani doni të na hiqeni si shejtorë. Mendoj se edhe po pat ndonjë kauzë të drejtë kjo protestë, sigurisht nuk ishte kjo kauzë e PD-së së Saliut e Lulit, të cilët janë autorët dhe shkaktarët e tyre.