Një mjelëse krenare

Nga Enver Robelli*

Presidentja e re e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarovic, ka sens për humor edhe në kohën e krizës ekonomike. Zgjedhja e saj ishte një votë ndëshkuese kundër Qeverisë socialdemokrate dhe presidentit flegmatik, Ivo Josipovic.

Kolinda Grabar-Kitarovic njihet sidomos në botën perëndimore si “ajo gruaja me emrin pothuaj të pashqiptueshëm”. Edhe në Kroaci shumë qytetarë e quajnë atë thjeshtë “Kolinda”. Tingëllon bukur, diçka si një markë gurabijesh.

Kur Kolinda Grabar-Kitarovic paralajmëroi vitin e kaluar kandidaturën për postin e presidentes së vendit, nuk vonoi shumë dhe në skenë dolën burrat arrogantë, maçot ballkanikë dhe popullistët shpotitës. Kandidatja për presidente u kritikua se bartte fustane dhe bluza të ngushta për të theksuar vijat e trupit dhe qerpikë të rrejshëm. As frizura ekstravagante nuk i pëlqente një pjese të opinionit të fokusuar vetëm në dukjen e politikanes konservatore.

Për flokët e politikanëve, për syzet e tyre, veshjen, vijat e trupit nuk flet askush. As në Kroaci, as në vende të tjera edhe më të civilizuara. Të jesh femër dhe të bësh jetë publike, madje të kandidosh për poste të rëndësishme shtetërore, duhet të llogaritësh se batalione të tëra meshkujsh të frustruar do të merren me gardërobën tuaj, dukjen, kozmetikën, gjestet. Kur në vitin 2009 kryeministre e Kroacisë u bë Jadranka Kosor e Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ), pas dorëheqjes së papritur të Ivo Sanaderit, kryetari i atëhershëm i Zagrebit, Milan Bandic, tha se gjithçka që u duhet grave është një hipës agresiv që ka guxim të rrahet edhe me burra të tjerë.

Jadranka Kosor nuk ishte dorëzuar atëbotë përballë llafeve të tilla primitive dhe klisheve të pista. Ajo punoi me përkushtim dhe arriti ta anëtarësojë Kroacinë në BE. Edhe Kolinda Grabar-Kitarovic nuk e humbi kontrollin përballë sulmeve të ulëta kundër saj. Madje ajo, duke lozur mjeshtërisht me klishe, i goditi politikanët popullistë me armët e tyre. Gjatë fushatës elektorale ajo tha se është krenare për të kaluarën e saj fshatare dhe nënvizoi se me gjasë ka qenë gruaja e vetme në NATO që ka ditur të mjelë lopë.

Deri para shpalljes së kandidaturës për postin e kryetares së Kroacisë ajo ishte zëvendëssekretare e përgjithshme e Aleancës Veriatlantike dhe përgjegjëse për punët publike. Që nga e diela Kolinda Grabar-Kitarovic është presidentja e parë e Kroacisë.

Në raundin e dytë kjo politikane e Bashkimit Demokratik Kroat në opozitë befasisht e mposhti kryetarin e deritanishëm socialdemokrat Ivo Josipovic.

Ky jurist dhe kompozitor flegmatik u ndëshkua për shkak se nuk arriti të linte ndonjë gjurmë në përmirësimin e gjendjes së keqe ekonomike. Josipoviq po ashtu provokoi qarqet me orientim nacional duke u treguar tepër tolerant ndaj interpretimeve serbe të konflikteve që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë. Ai mbajti afër vetes si këshilltar kryesor Dejan Jovicin, një profesor të politikës me origjinë kroato-serbe, i cili duke shkruar për referendumin në Skoci, të mbajtur me pëlqimin e qeverisë qendrore në Londër vitin e kaluar, theksoi se referendumi për pavarësinë e Kroacisë në vitin 1991 ka qenë joliberal dhe antidemokratik.

Jovici me këtë aludoi se Zagrebi është dashur të marrë pëlqimin e Beogradit për të organizuar referendum, gjë që në fillim të viteve 90 ishte e pamundshme përballë politikës hegjemoniste të regjimit të Slobodan Miloshevicit.

Pas skandalit të shkaktuar nga Joviqi, presidenti Josipovic u detyrua ta shkarkonte atë, por dëmi qe i pariparueshëm. Josipovic nuk e largoi nga kabineti i tij këshilltarin për siguri Sasha Perkovicin, të birin e Josip Perkovicit, njërit prej agjentëve kryesorë të shërbimit sekret jugosllav, i cili akuzohet se në fillim të viteve 80 ka organizuar vrasjen e disidentit kroat Stjepan Gjurekoviq në Gjermani. Josip Perkovic aktualisht gjendet para gjyqit në Mynih. Josipovic dhe qeveria e prirë nga Partia Socialdemokrate (SDP) e kryeministrit Zoran Milanovic me muaj të tërë refuzuan kërkesën e shtetit gjerman për ekstradimin e Perkovicit. Vetëm pasi presioni i Berlinit u shtua dhe Bashkimi Europian kërcënoi me sanksione, pala kroate u dorëzua.

Një arsye tjetër përse Josipovici humbi zgjedhjet është puna e dobët e qeverisë, e cila drejtohet nga partia e tij. Në tre vjetët e fundit kabineti i Zoran Milanovicit nuk ka qeverisur, por ke argëtuar keq opinionin me luftëra politike që u ngjanin luftërave të gjelave. Në fund të këtij viti në Kroaci do të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe gjasat janë të mëdha që pas humbjes së postit të presidentit nga Josipovici SPD të humbë edhe qeverinë. Zgjedhja e Kolinda Grabar-Kitarovic në postin e presidentes së shtetit është një votë proteste kundër paaftësisë së socialdemokratëve në pushtet.

Kroacia është që nga 1 korriku 2013 anëtare e BE-së dhe konsiderohet si vend në rrezik nga falimentimi financiar. Papunësia ka kaluar 20 për qind, shumë degë të ekonomisë gjenden në duar të oligarkëve, të cilët pas luftës për pavarësi në gjysmën e parë të viteve 90 ndërtuan pushtetin e tyre, dhe administrata publike nuk është efikase. Kundër këtyre të metave presidentja e re ka paralajmëruar veprime energjike – ndonëse kompetencat e saj janë të kufizuara. Nëse qeveria nuk është në gjendje ta nxjerrë vendin nga kriza, atëherë ajo ka thënë se do të angazhohet edhe për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Grabar-Kitarovic, 46-vjeçare, nuk ka shumë përvojë në politikën e brendshme. Si ministre e Jashtme ajo i takonte qarkut të ngushtë të HDZ-së, e cila Kroacinë e ka hedhur gati në greminë me lloj-lloj aferash të korrupsionit. Ish-kryeministri Ivo Sanader gjendet në burg për shkak të pranimit të ryshfetit. Shtatë ministra të tij po ashtu janë prangosur për shkak të skandaleve. Deri më tani nuk është bërë e ditur nëse edhe Grabar- Kitaroviq e ka keqpërdorur pushtetin.

E bija e një kasapi nga rrethina e Rijekës, një qyteti tradicionalisht majtist, ka studiuar anglisht dhe spanjisht në Universitetin e Zagrebit. Në fillim të viteve 90 ajo u anëtarësua në HDZ-në e themeluesit të shtetit Franjo Tugjman dhe bëri karrierë në Ministrinë e Jashtme. Në vitin 2003 u zgjodh deputete, nga viti 2005 deri më 2008 drejtoi Ministrinë e Jashtme dhe të Integrimeve Europiane.

Në këtë funksion ajo drejtoi edhe negociatat për anëtarësim në BE. Pastaj u emërua ambasadore në Washington. Në vitin 2011 Grabar-Kitaroviq ishte gruaja e parë që mori postin e asistentes së sekretarit të përgjithshëm të NATO-s. Presidentja e re e Kroacisë është nënë e dy fëmijëve: një vajze dhe një djali.

Burrin e saj, një profesor i së drejtës detare, ajo e përshkruan si “baba profesionist”. Jakov Kitarovic ka hequr dorë nga karriera e tij në favor të bashkëshortes së tij. Ndonëse katolike dhe e afërt me kishën, Grabar-Kitarovic ka deklaruar se do të jetë tolerante ndaj homoseksualëve dhe do të angazhohet që ata të kenë sa më shumë të drejta.

Po ashtu presidentja ka premtuar se do të përkrahë legalizimin e mariuanës për qëllime mjekësore dhe të drejtën e grave për abort. Sa i përket politikës ndaj rajonit pritet që presidentja do të jetë më e ashpër ndaj Beogradit dhe mbështetëse më e madhe e kërkesave të kroatëve në Bosnjë për më shumë të drejta. Me zgjedhjen e saj Kroacia bëhet vendi i dytë ballkanik pas Kosovës me një grua presidente.

*Koha Ditore

SHKARKO APP