Një përmbysje pa kundërshtarë
Nga Mero Baze
Alfred Guileuma Rodriges është një shtatëdhjetë vjeçar që ka dalë qysh herët para Ambasadës Amerikane në Havana, një ndërtesë që deri më sot ka shërbyer si një përfaqësi ekonomike e SHBA-së në Kubë, buzë shëtitores kryesore përballë detit. Alfredi ka qenë një nga drejtuesit e revolucionit së bashku me Fidelin dhe në vitet 60 është tërhequr nga ushtria nën akuzën e tradhtarit të revolucionit.
"Unë nuk kam frikë të them çfarë ka ndodhur. E kam pritur këtë ditë, të them rroftë Kuba e lirë, këtu para ambasadës. Unë nuk jam tradhtar. Unë e dua vendin tim. Unë e kam dashur revolucionin, por jo tiraninë, thotë ai.
Alfred është një nga qindra-mijëra kubanë, që e ka vuajtur disidencën në Kubë pa u munduar të iki prej saj. Fytyra e tij e thatë, e mplakur dhe plot vula mjerimi është një arkivë e gjallë e asaj që ka ndohur në këtë vend.
Tony një djal i ri me flamur amerikan në dorë, shpreson të jetë ndër ata që do marrë një vizë për të ikur. Ai ka xhaxhain në Majami dhe nuk ka ndërmend më të rrijë në këtë vend, nëse i lejohet të iki. I futur mes gazetarëve që presin të raportojnë para ambasadës për hapjen e saj, Tony është në mëdyshje nëse duhet ta mbajë në dorë ose jo flamurin amerikan, për shkak të frikës që ende nuk është vrarë.
Situata para amabsadës është absurde. Askush nuk njfoton se kur do të fillojë aktiviteti dhe rrjetet më të forta të raportimit si BBC apo Reuters, kanë çuar ekipet në disa pika, pasi ceremonia do të zhvillohet në një sallë të mbyllur qeveritare ndërsa flamuri do ngrihet para ambasadës.
Marrëdhëniet diplomatike u lidhën disa muaj më parë, pas negociatash që morën më shumë se dy vjet kohë, ndërsa sot do rihapet ambasada pas gati më shumë se gjysmë shekulli nga revolucioni.
Pas kësaj dite shumë pyetje mbeten pezull, lidhur me kohën dhe mënyrën sesi do të bëhen. Mbi të gjitha vlen të mësohet kur do të hiqet embargoja amerikane për Kubën, si do hapet vendi i izoluar i Fidel Kastros dhe a do përsëriten dramat e vendeve ish-komuniste këtu?
Zyrtarët kubanë nuk preferojnë të flasin për asnjë temë të tillë, edhe për faktin se aty lejohet të mendoj vetëm "i pari". Amerikanët thonë se do të marrë ende kohë heqja e embargos, për shkak të ngurimit që vet kubanët kanë për shumë terma të bashkëpunimit ekonomik. Kështu në Shtator pritet të vendoset linja e parë e trageteve nga Key Est në Kuba, por pa lejuar të ketë makina. Pra turistët do të duhet të përdorin ende makinat e vjetra kubane, shumica e të cilave kanë moshën para revolucionit. Makina me të cilën lëvizëm ishte një Chevrolet i vitit 1952, së cilës i kishte ngelur vetëm stema e Chevrolet-it. Gjithçka ishte një modifikim vit pas viti e brez pa brezi i familjes së shoferit.
Por, vet Kuba po bëhej gati për kapitalizmin. Sekretarët e partive po bëheshin gati të ishin kapitalistët e rinj të Kubës. Shtëpia ku ne bujtëm ishte një vilë luksoze që ofronte katër dhoma me qera me rreth 110 euro nata për dhomë, duke fituar afërsisht 12 mijë euro në muaj vetëm nga qeraja me turistët që kanë përmbytur Kubën. Pronari është njeri i afërm dhe shumë i besuar i Fidel Kastros dhe ka shërbyer edhe si shofer i tij. Përveç kësaj vile ai kishte blerë dhe një tjetër që kushtonte 600 mijë euro, të cilën do ta bënte restorant, ndërsa kishte një biznes dhe në Majami në SHBA. Kjo ishte diçka e papërfytyreshme për njerëzit e thjesht. Në shtëpinë e tij kishte gjashtë të punësuar, tre gra dhe tre burra. Gratë shërbenin në guzhinë dhe pastronin dhomat, burrat ishin roje tek dera dhe baçhevanë. Paga e tyre ishte 20 euro në muaj dhe të gjithë paguheshin me çmimin e një nate të dhomës sime.
Pronari, i cili ishte në zemër të pushtetit të revolucionit dhe njeri i afërt i familjes në pushtet, në të vërtetë i kishte harruar me kohë predikimet e barazisë dhe komunizmit. Ai ishte thjesht një kapitalist i pamëshirshëm, nëse do t’i refereoheshim dogmave të revolucionit kuban.
Viztorët në shtëpinë e tij ishin biznesmenë meksikanë, kolumbian dhe amerikan, të cilët bënin plane se çfarë duhet të bënin me Kubën.
Por kishte dhe njerëz të thjesht që po bëheshin gati për kapitalizmin, R. ishte një kubanez i thjeshtë që punonte në një fabrikë purosh në Havana. E kontaktuam të blenim disa puro dhe ai na tregoi historinë e "biznesit" të tij. Kishte miqësi me "shefin" në fabrikë dhe ai i kishte lejuar të administronte kafen e Fabrikës. Deri këtu lejohej kapitalizmi. Pastaj R. kishte ofruar një paketë ushqimi për punëtorët, por me klering. Ai u merrte punëtorëve që donin të hanin një puro në ditë, e cila ishte dhuratë e fabrikës për çdo punëtor. Dhe përmes këtij sistemi kleringu brenda fabrikës, ai kishte krijuar një koleksion të madh purosh që ua shiste turistëve. Plani i tij i parë ishte të blente një fermë duhani me 27 hektarë në periferi të Kubës perëndimore.
Kubanezët e thjesht po bëheshin gati për shërbimet turistike, sidomos veturat. Kuba është vendi me veturat më të vjetra në botë, për shkak të embargos dhe çmimeve të larta në hyrje të një veture. Çmimi ditor i një makine ishte rreth 90 euro dhe ajo në shumicën e rasteve ilegale. Makinat janë krejt të pasigurta, por rrugët janë të gjera dhe bosh dhe kjo shmangë masakrën e aksidenteve, që besoj nuk do të vonojë.
Të kesh një veturë sot në Kubë bëhesh i pasur, pasi në një ditë merr rrogën e tre muajve të një kubani.
Sistemi i shërbimeve turistike është zhvatës për turistët. Të gjithë ata që nisen për Kubë me shpresë se është lire, do të zhgënjehen. Sapo zbret ne aeroport ti duhet t’i kthesh valutat perëndimore në CUC kubanë, një valutë specifike vetëm për turistë me të cilat do blesh çdo shërbim. Kursi i saj është afërsisht 1 dollarë. Një taksi të merr 10 dollarë për një rrugë të shkurtër dhe dhomat e hoteleve janë mbi 150 dollarë nata. Të hysh në një klub nate ku ka muzikë nga grupe kubane kushton 20 dollarë në hyrje, pastaj ke taksën e një bodigardi që të ofron " siguri" dhe që do 40 dollarë. Më tej tavolina kushton 100 dollarë dhe gjendesh në një mjedis ku shikohesh si gjah nga të gjithë që të rrethojnë.
Turizmi seksual është po ashtu një fenomen para syve të revolucionarëve që nuk duan ta shikojnë. "Elita" e femrave të Kubës, kryesisht balerina, modele, këngëtare, por edhe nga ato jo shumë të njohura, kanë ndërtuar një rrjet të përsosur shërbimesh seksuale për turistët nën një dokumentim të plotë nga regjimi, i cili ka urdhëruar çdo femër që shkon me një turist si shoqëruese, të dorëzojë ID e saj pranë dikujt që është njeri i shtetit. Dhe nëse dikush ka probleme, të gjitha letrat hapen.
E vetmja gjë e lirë janë plazhet. Play del Esta, rreth tridhjetë kilometra nga Havana është një dejavu e plazhit të Durrës-Golem, me rërë, por tejet i pastër dhe pa asnjë ndërtim. Hyrja është e lirë, dhe çadrat kushtojnë pak. Ka plot policë nëpër këmbë sa të bindesh se je i sigurt dhe të ofrojnë pije dhe ushqim, të cilat janë të shtrenjta dhe të pasigurta.
Restorantet kubane janë ndoshta gjëja më e keqe e Kubës. Ushqimi është i gatuar keq, prodhimet e detit janë të pangrënëshme për shkak të pasigurisë se kur është furnizuar dyqani i shtetit. E vetmja gjë e sigurt është pilafi me pulë dhe pijet e freskëta të shtrydhura në shtëpi.
Një restorant i ri privat, i hapur në qendër të Havanës përballë Kapitolit, e ka rradhën dhjetëra metra jashtë dere, për shkak të shërbimit të mirë dhe furnizimit ditor që ka.
Komunzimi kuban, në të vërtetë nuk është një komunizëm klasik. Ai nuk ka asgjë të përbashkët me komunizmin lindor të Europës. Së paku aty ekzistojnë tre liri të mëdha, liri artistike, liria fetare dhe liria seksuale si dimensione themelore të mungesave të komunzimit lindor. Në Havanë ka Muze të Artit Modern përkahë muzeut të Revolucionit. Jeta e natës është njsoj si në Miami për ata që kanë mundësi, ndërsa muzika dhe arti janë thuajse të lirë dhe nuk kanë asnjë lidhje me realizmin socialist. Në Kështjellën e Havanës është një nga statujat më të mëdha të Krishtit, ndërsa arkitektura e Havanës jo vetëm që është mahnitëse, por nuk ka dy ndërtesa njëlloj. Ndryshe nga komunizimi ynë ku uniformiteti i arkitekturës është thelbësor, aty nuk ka gjurmë të tilla. E vetmja gjurmë e komunizimit mbi ndërtesa është fakti që ato janë të mrekullueshme, por të rrënuara si ish zonja të rënda të lëna pas dore nga varfëria. Kastro dhe regjimi i tij nuk kanë mundur të lënë gjurmë në gjeografinë e Kubës me ndërtimet e tyre. Ata thjesht s’ia kanë dalë dot të mbajnë Kubën siç ishte para revolucionit.
Destinacionet kryesore kulturore të turizmit mbetën ende të pakta. Pelegrinazhi kryesor është drejt shtëpisë së Heminguejit, në perfieri të Havanës. Shoferi ynë, një 40 vjeçar nuk kishte dëgjuar kurrë për të dhe mezi gjeti rrugën, pasi dhe dikë që pyeti vetëm 100 metra larg shtëpisë, pyeti me çudi duke përmendur emrin e Hemingueit keq, gati sa nuk pyeti i kujt është ky djal.
Shtëpia e tij, një vilë e mrekullueshme franceze e fillimshekullit 20, rreth 4.3 ha ishte në një kodër të vogël nga ku dukej gjithë Havana. Ciceronia, me 5 euro linte çdo punë dhe të shpjegonte çdo detaj, por viztorët ishin të pakët dhe kryesisht nga Europa lindore.
Po aq e braktisur dukej dhe shtëpia e Che Guevara-s, përveç disa nostalgjikëve të tij.
Gjërat e vjetra, me të cilat Havana ishte krenuar dukej se nuk vlenin më. Të gjithë ishin duke menduar sesi do t’ia dilnin në periudhën post-revolucion. Është një përmbysje pa kundërshtarë. Disidentët e Majamit janë lejuar prej dy vitesh të kthehen në atdhe dhe të investojnë. Askush nuk i arreston më, por as i lënë aq të lirë. Post-revolucionin po e udhëheqin sërish revolucionarët, tashmë të bindur se kapitalizmi u duhet më shumë se dogma që u dha pushtet gjysmë shekulli më parë. Është një vend që nuk ka shumë gjëra të përbashkëta me komunizmin, përveç regjimit autoritar dhe sundimit familjar të tyre. Është një vend, që nuk besoj se do të bëhet demokratik, por do të bëhet kapitalist. Dhe do të vazhdojë të udhëhiqet çdo gjë, nga ata që sot kanë shanse të bëhen kapitalist.
Havana, 20 korrik 2015