Një portret i paautorizuar për Florian Raunig

Nga Besnik Aliaj*

Duke u distancuar nga personalizimet dhe debati diplomatik e politik i diteve te fundit, e ndjej si obligim te them dy fjale per nje mik te vecante dhe dinjtoz te shqiptareve – Ambasadori Florian RAUNIG. Që nga shtatori 2009 deri në vjeshtë të 2013, Ambasadori Florian Raunig ka përfaqësuar Austrinë në Shqipëri dhe me tej deri sot edhe përfaqësinë e OSBE në Tiranë. Por lidhjet e tij me këtë vend datojnë më herët – qysh në verën e vitit 1990, kur ai vizitoi për herë të parë Shqipërinë si fotograf dhe anëtar i një delegacioni kulturor. Në mbrëmjen e 1 dhe 2 Korrikut 1990, Florian Raunig u bë dëshmitar i përpjekjes së parë për kryengritje ndaj regjimit totalitar.

Pas kësaj ai u detyrua të lërë vendin duke marrë me vete një koleksion prej 700 fotografish që kish bërë gjatë qëndrimit në Shqipëri. Tejet i impresionuar nga vendi dhe ngjarjet në horizont, Raunig vendos të kthehet në Shqipëri menjëherë pas rënies së diktaturës. Kështu në verën e vitit 1991 ai kthehet për një kurs veror të gjuhës shqipe, gjatë zhvillimit të së cilit do të zinte miqësi me shumë shqiptarë, me të cilët ruan ende sot e kësaj dite kontakte të rregullta e miqësi të ngushtë.

Pasi aplikoi si kandidat për një “Projekt në Edukimin Qytetar” në Budapest, Z. Raunig u kualifikua si fitues dhe u vendos në vjeshtën e vitit 1996 në Universitetin e Elbasanit si lektor i filozofisë dhe historisë. I gjendur në një ambient sfidues ai ia del të frymezojë studentët dhe të zgjojë interesin e kolegëve atje, përmes lëndës së filozofisë. Kjo kohë do të mbetet e ngulitur thellë në memorjen e tij si një nga sfidat por edhe eksperiencat më interesante të fillimit të karierës së tij profesionale në Shqipëri.

Pas përjetimit të protestave popullore e anarkisë së Marsit 1997, ai do të evakuohej nga porti i Durrësit në 13 Mars në një situatë realisht dramatike. Por jo rastësisht Florian Raunig do kthehej përsëri shumë shpejt dhe do të ishte ndër të parët të huaj që pranuan ta bejnë këtë duke marrë përsipër edhe risk, në emer të pasionit dhe respektit për vendin e shqiptarëve.

Vetëm pak javë më vonë në Shqipëri ai do të pranonte detyrën si vëzhgues afatgjatë i ODIHR/OSBE në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe ai do të bëhej edhe një mik mjaft i mirë e këshillues i projekteve dhe organizatave të zhvillimit ne vend. Në cilësinë e vëzhguesit të OSBE/ODHIR ai dërgohet në një tur njohës në zonat e trazuara të Shqipërisë, perfshi Kukës e Tropojë, e më pas në Berat, Skrapar e Korcë me qëllim observimin dhe përgatitjen e zgjedhjeve parlamentare të Qershorit 1997.

Gjatë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme në Shqipëri, në një situatë anarkie totale, kur “grupe të armatosura lokale” morën në kontroll territorin e vendit, Z. Raunig do të përballte me kurajo disa situata mjaft të vështira përfshi: sulme fizike e terroriste në Qafë Mali, Bajram Curri e Çorovodë. Në vjeshtën e vitit 1997, Z. Raunig do të ngrejë zyrën e përfaqësisë së OSBE në Shkodër e cila u hap nga përfaqësuesi i OSBE dhe ish Kancelari i Qeverisë Federale të Austrisë Z. Franz VRANITZKY. Kjo zyre do të ishte zyra e parë lokale model e OSBE në Shqipëri.

Në pranverën e vitit 1998 ai punon edhe në Tropojën e trazuar për të hapur zyrën lokale të Misionit të OSBE në Bajram Curri, zyrë që do kishte si mision kryesor kontrollin e kufirit me Kosovën. Ndërsa në prag të luftës së Kosovës Z. Raunig në bashkëpunim me partnerët lokalë do të menaxhonte me sukses një ekip vëzhguesish multinacionalë që operonte në një terren jashtëzakonisht të vështirë e të rrezikshëm.

Në të gjitha këto misione e detyra në një terren tepër kompleks, Florian Raunig do të fitonte simpatinë dhe respektin e komunitetit dhe përfaqësuesve vendorë. Kjo është lehtësisht e verifikueshme kudo që të shkosh edhe sot e kësaj dite. Njerëzit ende e mbajnë mend dhe flasin për të me respekt të veçantë për durimin, mencurinë, modestinë, humorin dhe humanizmin e tij. Jo rastësisht ende sot ai mbetet mjaft i ndjeshëm për problematikën dhe ndihmën ndaj këtyre zonave. Jo rastësisht ai ka bashkëpunuar dhe mbeshtetur kudo ku ka mundur projekte me përgjegjësi sociale në këto njësi vendore. Ambasadori Raunig ka qenë gjithmonë inkurajuesi i mire i këtij bashkëpunimi mes shqiptarëve, dhe mbështetës tepër konstruktiv.

Në verën e vitit 1998 Florian Raunig caktohet Shef i Zyrës për Bashkëpunim Teknik në Ambasadën Austriake në Tiranë, pozicion që e mban për rreth dy vjet. Duke qenë i ngarkuar me zbatimin e Programit Austriak të Zhvillimit ai pati mundësi të zgjeronte njohuritë e tij rreth Shqipërisë si nga ana përmbajtësore edhe nga ana gjeografike. Gjatë kësaj kohe ai pati mundësi të shkelte pothuajse gjithë territorin e Shqipërisë, duke bërë miq kudo që shkonte.

Në këtë kohë Z. Raunig u caktua nga investitorët të ndiqte edhe zbatimin e “Projektit të Rehabilitimit të Kaskadës së Drinit” si dhe “Projektit të Furnizimit me Ujë në Shkodër”. Pikërisht në këtë periudhë ai thellon bashkëpunimin edhe me stafet e shume OJF-ve mjedisore e zhvilluese. Ai ka merite vecante per iniciimin e “Projektit te integrimit te Zonës Informale të Kënetës ne Durrës”, financuar nga “Zyra për Bashkëpunim dhe Zhvillim e Austrisë, ADA” qe u bë shkas për krijimin e një bashkëpunimi unikal, të qëndrueshëm e të sukseshëm që vazhdon edhe sot e kësaj dite mes institucioneve të shoqerise civile, organizatave te zhvillimit dhe të akademisë në Austri e Shqiperi. Në këtë pikë Florian Raunig do të ishte një nga mbrojtësit dhe promovuesit kryesorë të nxitjes dhe zhvillimit të kapaciteteve lokale të zhvillimit në vend.

Ndërkohë në kulmin e krizës së Kosovës në vitin 1999 Z. Raunig u bë pjesë e ekipit të rikonjicionit të Ushtrisë Federale të Austrisë, ngarkuar të gjente një vend të përshtatshëm për të ngritur kampin austriak të refugjatëve, i cili u instalua në zonën e Shtoit të Ri në veri të Shkodrës. Në këtë kohë kohe Z. Raunig luajti një rol kryesor në evakuimin e mjaft qytetarëve kosovarë në Austri, të cilët kishin nevojë urgjente për trajtim me dializë, një operacion shumë i veshtirë që i’a doli të shpëtojë jetë.

Në dimrin e vitit 2000 Z. Raunig njihet, po në Tiranë, me gruan e jetës së tij Znj. Judith Knieper, një juriste nga Gjermania, gjithashtu e apasionuar me Shqiperinë, dhe së bashku do të krijonin një familje po aq të lidhur fort me Shqiperinë.

Në verën e vitit 2000 ai punësohet në Delegacionin e Komisionit Evropian në Tiranë për të ndjekur zbatimin e programit të zhvillimit lokal, detyrë qe i dha atij mundësinë të zbulojë e kontribuojë edhe më shumë në territore të tjera të Shqiperisë të panjohura për të me parë. Në këtë mënyrë Florian Raunig është ndoshta nga të paktët të huaj që ka vizituar e njohur nga afer pothuaj cdo ‘skutë’ të vendit, gjë që do ja kishin zili edhe shqiptarët e qeveritaret më të mirë.

Në pranverën e vitit 2002 Z. Raunig punësohet në Ministrinë e Jashtmë të Austrisë me detyrën e shefit të sektorit të menaxhimit të projekteve të zhvillimit për Shqiperinë, Maqedoninë dhe Kosovën të financuara nga Projektet e Zhvillimit të Austrisë. Ky pozicion u mbajt prej tij deri në vitin 2004 kur emërohet në Agjencinë Austriake të Zhvillimit e sapo krijuar në atë kohë.

Më tej pasi kryen me sukses misionin diplomatik në Malin e Zi gjatë periudhës 2005-2009, fillimisht si Shef i Zyrës së bashkëpunimit e më pas si Ambasador i Austrisë atje, Z. Raunig do të emërohej Ambasador i Austrisë në Shqipëri në Shtator të vitit 2009.

Duke qenë nga të paktët ambasadorë që paraqet letrat kredenciale në gjuhën shqipe Z. Raunig qysh nga ajo ditë e cdo ditë më pas në këtë pozicion, ja dedikon gjithë karierën e tij profesionale e personale zhvillimit dhe forcimit të marrëdhenieve dypalëshe Shqipëri-Austri, duke pasur synim parësor integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, si dhe zhvillimin e marrëdhenieve ekonomike e kulturore mes dy vendeve.

Shqiptarët vlerësuan Ambasadorin Raunig për xhestin e tij human pas aksidentit tragjik të një autobuzi studentësh në Himarë në 2012, kur mundësoi transferimin e të dëmtuarve në Austri për trajtim mjekësor të specializuar. Po kështu vlerësohet kontributi me rastin e festimeve kombëtare për 100-vjetorin e Pavarësisë, ku Ambasadori Raunig dhe Ambasada Austriake luajtën rol kryesor për mundësimin e ekspozimit në Tiranë të helmetës, shpatës si dhe emblemës së heroit kombëtar Skëndërbeut, që ishin lënë në Austri qysh në shekullin e 16-të.

Ndërkohë Z. Raunig është nderuar më parë me “Medaljen e Mirënjohjes” nga Presidenti i Shqipërisë Z. Nishani, për angazhimin e tij të shquar në forcimin e marrëdhenieve Shqipëri-Austri. Ai është nderuar si ”Qytetar Nderi” i Komunës Bushat. Raunig flet rrjedhshëm shqip, po ashtu si dhe bashkëshortja dhe fëmijët e tij. Së bashku me bashkëshorten Judith Knieper ata kanë botuar një album fotografik me pamje unikale nga Shqipëria e vitit 2002, me tekst në tre gjuhë (shqip, anglisht, gjermanisht) nga autorët e njohur shiptarë Fatos Kongoli dhe Ylljet Aliçkaj. Ky është një kontribut i prekshëm për promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Ndërkohë Florian Rauning është edhe një udhëtar pasionant që ka eksploruar në këmbë pjesë të ndryshme të Alpeve dhe bregdetit të Shqipërisë. Bashkë me një mik të ngushtë shqiptar ai ka ecur në këmbë gjithë vijën bregdetare Vlorë-Velipojë. Por ai është edhe një admirues i rregullt edhe i bregdetit të Jon. Aktualisht hobi i tij është përkthimi në gjermanisht i nje romani të Ylljet Aliçkajt. Ky pasion ushqehet edhe nga tradita familjare e tij, si një kontribuese e hershme e promovimit të shqiptarëve, dhe promotore e albanologjisë në tërësi, përfshi të parën ekspozitë për Shqiperinë në Austri gjatë luftës së ftohtë.

Në respekt të kësaj dashurie të qëndrueshme për vendin tonë dhe kontributit për integrimin drejt BE-së, që nuk ka përjashtuar as kritikat konstruktive në momentet e duhura; në respekt të forcimit të marrëdhenieve midis dy vendeve tona. edhe të kontributit konkret personal qe Z. Raunig ka dhene per Shqiperine e shqiptaret, atij i eshte akorduar titulli honorifik “Doktor Honoris Causa” nga Universiteti Polis.

Shqiperisë i duhen më shumë shembuj të tillë dashurie të thjeshtë por të ndjerë dhe më shumë ënderrimtarë që guxojnë!

*Marrë nga faqja në FB

SHKARKO APP