Një reportazh ndryshe! Luan Rama: E dija që kam një fotografi me Spiro Dedën…
Nga Luan Rama
Po, po, e dija që kam një fotografi me Spiro Deden. Kemi qenë të mbledhur në atë që dikur quhej klubi i Partisë Socialiste. Tani më duket e kanë dhënë, nuk di me qira apo koncension, por di që aty nuk mblidhen më socialistë e as simpatizantë të tyre.
Qemë mbledhur shokërisht për të festuar datëlindjen e Dritëroit.
Duhet të ketë qenë tetori i vitit 1992.
Në atë kohë, kohë lufte e hallesh të mëdha jo vetëm për opozitën, në Partinë Socialiste gjenim kohë edhe për të tilla veprimtari. Ishin ngjarje të bukura; mblidheshim, gëzonim bashkë. Tregonim edhe forcë.
Se përballë kishim një pushtet armiqësor. Për opozitën po e po, por edhe për liritë e të drejtat e qytetarëve, edhe për vendin, për fat të keq. Histori e njohur.
Por le të kthehem tek fotografia me Spiro Deden. Unë isha moderatori i veprimtarisë. Më saktë i asaj darke. Midis shumë miqve të Dritëroit, kam intervistuar edhe Spiron. Dhe ky çast është fiksuar nga aparati i fotografit (nuk e mbaj mend në ka qenë Niko Xhufka, fotografi i njohur i “Zërit të Popullit” apo dikush tjetër), por falë tij, unë e kam sot atë foto një kujtim të bukur.
E kam kujtim të bukur dhe me vlerë, sepse është një foto me Spiro Deden.
Në atë darkë ka qenë edhe një kameraman. Mbase ka qenë Timo, kameramani ynë i luftës. Pra, besoj se ajo darkë duhet të jetë edhe e filmuar.
Ia kam thënë edhe Elonës së Dritëroit, mbase e gjen. Ka në atë filmim shumë detaje, episode e rrëfime interesante. Nuk duhet të humbasin.
Ndaj, duke marrë shkas prej këtij kujtimi, që më vjen nga datëlindja e Dritëroit, unë do të shkruaj sot për Spiro Deden; gazetarin emërmirë të “Zërit të Popullit” dhe poetin e vibrimeve çajupiane të Zagorisë, për funksionarin derëhapur të aparatit politik të kohës së Partisë së Punës ku e mbanin vrapin sa e sa krijues e intelektualë që ndjenin rrezikun e pushtetit e kishin nevojë për dikë që t’i mbronte, por edhe për reformatorin politik me një rol shumë të rëndësishëm në gjithë procesin transformues të Partisë së Punës së Shqipërisë, në Partinë Socialiste.
Por, mbi të gjitha, unë dua të shkruaj për njeriun qytetar e mendjehapur, për intelektualin kurajoz dhe atdhetar të mirë.
E di shumë mirë se shumë të tjerë, shkrimtarë, gazetarë, botues, intelektualë e jo vetëm, gjirokastritë e tropojanë, emra të mëdhej të kulturës tonë si Xhevahir Spahiu mik jete me Spiro Deden apo anonimë zemërbardhë gjithkund nëpër atdhe, mund të shkruajnë për Spiro Deden. Mund të shkruajnë shjmë më mirë se sa unë. Por, unë po shkruaj në një farë mënyre edhe për ata.
Sa herë më është dhënë mundësia, kam shprehur ndonjë opinion, ndonjë konsideratë apo vlerësim për Spiro Deden, sepse e kam ndjerë si nevojë edhe për t’iu kundërvënë heshtjes apo memecërisë së atyre që kur marrin përsipër të flasin për historinë e krijimit të Partisë Socialiste, “harrojnë” rolin përcaktues të disa personaliteteve, mes të cilëve padyshim edhe të Spiro Dedes, e flasin më shumë për veten e tyre, edhe pse nuk kanë qenë nga ata të rendit të parë.
I kam njohur disa syresh. Shkonin fshehur në Komitetin Qendror dhe, edhe pse i ftonte Ramiz Alia e i luste të angazhoheshin e të merrnin përgjegjësi, të merrnin në dorë partinë, nuk guxuan.
E sot, kur flasin e shkruajnë për atë kohë, “harrojnë” se ndër ata që përgatitën kongresin qe edhe Xhelil Gjoni, madje më kryesori, i cili mbajti edhe raportin e kongresit, pasi refuzuan ta mbanin ca nga këta heronjtë e kujtimeve, siç harrojnë edhe nënkryetarin tjetër të Partisë Socialiste, Profesor Ismail Lleshin, apo Profesor Xhevat Lloshin e shumë të tjerë.
Këtë shkrim për Spiro Deden në fakt e kam menduar prej shumë kohësh. Më saktë “ngacmimin” e parë e mora para disa vitesh në një nga festimet e krijimit të Partisë Socialiste.
Kishte plot të ftuar. Më bëri përshtypje e më tërhoqi vëmendjen që nuk qe Spiro Dede. Nuk e kishin ftuar!
Me sa duket, emri i tij mungon në listat e protokollit të saj, edhe pse ai ke qenë një nga themeluesit dhe nënkryetarët e parë.
Mandej, shtysën ma dha shkrimtari Besnik Mustafaj.
I shpenguar e pa asnjë kompleks, siç është Besniku kur flet me të, ndërsa e kisha të ftuar në emisionin tim, në “Drejt” në Ora News, më pat thënë:
“- Spiro Dede ka qenë mentori im që në Tropojë (në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar kur Spiro Dede ishte gazetar në “Zërin e Popullit” e çuan të bënte stazhin si korrespondet i gazetës në rrethin e Tropojës (shënimi im). Dhe më tej vazhdon: -Një njeri me virtyte të larta, njeri i rrallë. Me të më ka prezantuar poeti Ndoc (Anton) Papleka, kanë qenë shokë shkolle me Spiron, dhe që prej atëherë, kam mbajtur marrëdhënie shumë të mira me Spiron”.
Çfarë më tha Besniku më mbeti në mendje jo sepse vlerësimi i tij përkonte me çfarë unë mendoja për Spiron, por se mbarttëte një mirësi të fisme që jo të gjithë e shfaqin. Dhe vendosa të shkruaj.
Sepse Spiro Dede e meriton nderimin dhe mirënjohjen publike.
Unë Spiro Deden e kam njohur nga afër kur erdhi kryeredaktor i gazetës “Zëri i Popullit”.
Isha në fillimet e mia në profesionin e gazetarit. Ndjeja një lloj meraku se si do të më shkojë puna me shefin e ri. Sepse, sidomos për një gazetar të ri, roli i kryeredaktorit, natyra, karakteri i tij luajnë një rol të rëndësishëm.
Sidomos në “Zërin e Popullit”.
Prej kolegëve me më shumë përvojë të gazetës, kisha mësuar raste kur karriera e gazetarëve shumë të zotë qe ndërprerë prej inatit, mërisë apo edhe më keq, prej hakmarrjes së kryeredaktorit.
Ndaj, një lloj “shqetësimi” qe i shpjegueshëm. Aq më tepër, edhe sepse Spiro vinte pasi kishte punuar për shumë vite në Komitetin Qëndror të PPSH-së dhe zëvendësoi Marash Hajatin, kryeredaktorin që kishte vendosur “fatin” tim, duke më marrë në “Zërin e Popullit”.
Spiro vetë, me natyrën liberale dhe shumë tolerante, me dashamirësinë e një gazetari e jo rreptësinë si shef, me kulturën e komunikimit njerëzor dhe jo klishetë e ftohta të një burokrati prej të cilëve kishte shumë në atë kohë, krijoi një mjedis pune krejt miqësor.
Ai e “zbriti” kryeredaktorin tek gazetarët.
Qëndroi pak muaj, por qenë të mjafta për të ndjerë njeriun ndryshe; njeriun e dominuar nga mirësia.
Por edhe drejtuesin vizionar, edhe kolegun e zot.
Mandej shkoi në detyrën e Sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH. Shumëkush mendoi se gaboi që e pranoi atë detyrë. PPSH ishte në fundin e vet. Dikush tjetër edhe mund të zgjidhte të shmangej.
Por, jo Spiro Dede.
Ai e ndjeu përgjegjësinë si mision intelektual. Sepse edhe mbyllja e një historie, varet shumë nga ata që e kanë në dorë. E nëse pak më lart fola për rolin shumë të rëndësishëm të Spiro Dedes në gjithë procesin transformues të Partisë së Punës së Shqipërisë në Partinë Socialiste, druaj se ai do të mund ta luante atë rol, nëse nuk do të kishte pranuar të shkonte në krye të drejtimit politik të PPSH.
Spiro Dede që një figurë politike e pranueshme, kur shumë të tjerë jo vetëm refuzoheshin, por edhe stigmatizoheshin e anatemoheshin. Ai ia dha të drejtën vetes të ishte aktor i rëndësishëm politik, në një moment shumë të vështirë e delikat.
Prej këtij roli e në shenjë besimi u propozua dhe u zgjodh edhe nënkryetar i Partisë Socialiste në kongresin themelues të saj, duke qenë pjesë e një ekipi intelektualësh nga më të zotët, që i çelën udhë lindjes, rritjes dhe faktorizimit politik të PSSH, si forcë politike moderne në një Shqipëri që përpëlitej për të lënë pas krahëve epokën e socializmit.
Socialistët e parë, ata të viteve 1991-1992 e mbajnë mend se çfarë kohe ka qenë. Dhe vetëm ata e dinë se sa shumë punë e përpjekje janë dashur që të hapeshin mendjet më parë se dyert, për të krijuar klimën që të rinjtë të guxonin të vinin në Partinë Socialiste.
Spiro Dede ishte padyshim njëri nga ata, tek të cilët më të rinjtë kishin besim.
Edhe pse u gjend apo më mirë u vendos mes dy zjarresh (tradhëtar të Enverit e quanin më të egrit e shërbëtor të Enverit pale tjetër!), ai diti me shumë maturi të dëshmojë veten, dhe po aq ta lartësojë emrin e tij me gjithë veprimet dhe hapat politik që ndërmori.
U largua nga politika dinjitetshëm dhe iu përkushtua librit, dashurisë së tij të jetës.
Spiro Dede është poet. Fillimet e veta na e dëshmojnë me poezi interesante.
Por ai është poet edhe në jetë, është poet edhe në të gjithë punët që ka kryer.
E theksoj këtë veçanti, sepse poetët, edhe në mos bëfshin mirë (Spiro Dede ka plot dëshmitarë për të mirat që ka bërë!), nuk bëjnë kurrë keq.
Ndaj po e them prapë, fotografia me Spiro Deden për mua është një kujtim i bukur dhe me vlerë.
Sepse është një fotografi me Spiro Deden…
KOHA JONË SONDAZH

