Një roman për të vërtetën se qytetet janë si njerëzit

Pra, ato që të mundësojnë që hija jote të shtrihet edhe përtej kohës kur ke jetuar. Është, pra, e pamundur sot të mos rikujtojmë se Rexhai Surroi dhe veprimtaria e tij e dëshmojnë të vërtetën se jeta e njeriut nuk matet vetëm me ditë, muaj e vite, por me gjurmët që lë pas, pra se njeriu nuk mbetet i pajetë atë ditë kur ndahet nga ne, por atëherë kur zbehet kujtimi për të, kur nuk ka kush dhe pse ta kujtojë.

Nga Kim Mehmeti

Shikuar nga ky këndvështrim, përjetësisht mes të gjallëve mbesin vetëm ata që për së gjalli e kuptojnë se si duhet ndërlidhur mes vete ëndrrat, të përcjella gjeneratë pas gjenerate, e që ato të bëhen farë nga e cila do mbijë bima e ardhmërisë. Pra, atë që pa dyshim e kishte kuptuar Rexhai Surroi, veprimtaria e të cilit e bëri pjellore arën ku do të mbillej fara e idealeve të pasardhësve të tij, arë ku rritet bima, në hijen e së cilës do qëndrojmë edhe ne që sot do të shpallim një vepër letrare si më të mirën të vitit që lëmë pas, pra një roman të vlefshëm për ne, por që njëkohësisht është vazhdimësi e ëndrrës së Rexhai Surroit.

Pra, çastet e këtilla kur kurorëzojmë punën artistike të një autori janë edhe mundësi që të ndërmendim atë që ishim dje dhe kësaj që jemi sot. E që do të thotë se domosdo lind pyetja se ç’do të ishim ne pa kujtesën për vetveten dje dhe për ata që ishin atje dikur, dhe se vallë ne jemi vazhdimësi e ëndrrave të paraardhësve tanë, apo fara nga e cila do të mbijë bima e pasardhësve tanë. Nuk ka dyshim se pa kujtesën për të kaluarën, ne do të ishim bredhacakë të humbur në paqartësitë e së sotmes.

Mbase çdonjëri nga ne nuk është vetëm kujtesë e asaj që ka përjetuar në të shkuarën vetjake, por edhe arkiv ku është regjistruar edhe një pjesë e mbamendjes kolektive, e përcjellë brez pas brezi nga ata që na kanë ngjizur neve. Pra, pa kujtimet për të kaluarën tonë, pa ua ndërthurur këtyre kujtimeve edhe ato të paraardhësve që kanë ëndërruar të ardhmen tonë, do ishte e pamundur ta zbërthenim drejt shenjën njohëse të së sotmes sonë, e madje do të ishte a pamundur ta lexonim siç duhet kalendarin që e jetuam dhe këtë që e jetojmë.

Mbase andaj, pjesa dërrmuese e letërsisë më shumë brumoset nga kujtesa për të kaluarën, sesa nga e sotmja apo nga parashikimi i së ardhmes. Pra, mbase andaj ne më me ëndje rrëfejmë për atë që ka ndodhur, sesa për atë që presim të ndodhë të nesërmen. Dhe, mbase kjo ndodh edhe për shkak se rrëfimi për të shkuarën është i pagabueshëm, e ai që sajon imagjinata jonë për të papërjetuarën, mund të mbetet i parëndësishëm për përmbajtjen jetësore.

Por të rrëfesh për të shkuarën tënde, të përshkruash atë që ka ndodhur në një hapësirë dhe gjatë një harku kohor të së kaluarës, do të thotë të përballesh me rrezikun që imagjinata atë ta pikturojë jo ashtu siç e ka regjistruar mbamendja, por me ngjyrat që do t’i bënte ato më joshëse për të sotmen. Dhe këtij rreziku mund t’i ikin vetëm shkrimtarët që e dinë se imagjinata është punëtori që prodhon art, por që nuk mund ta deformojë realen dhe të ndodhurën, pra se fantazia të mundëson ta shfytyrosh e ta pikturosh ndryshe edhe realitetin, por, megjithatë, ai mbetet i tillë siç është.

Andaj art i mirëfilltë është ai që nuk tenton ta ndryshojë realitetin, e as atë ta japë si një fotografi të regjistruar nga objektivi i fotoaparatit, por që gjatë përshkrimit të së vërtetës të përcjellë pamje të cilat për çdo ditë i ke parë, por kurrë nuk i ke regjistruar, apo për të cilat shumëçka ke dëgjuar, por nuk ua ke kuptuar domethënien.

Kur jemi te kujtesa dhe arti letrar, ato janë si burim, uji i të cilit zhytet diku nën koren e tokës, e që asnjëherë nuk mund ta dish se ku do të dalë sërish në sipërfaqe në formën e ndonjë kroi. Dhe ajo pjesa e rrjedhës nëntokësore është hapësira që mbetet nën sundimin e imagjinatës, ndërkaq burimi e kroi janë realiteti që nuk guxon të pikturohet ndryshe ngaqë janë. Dua të them: letërsia e mirëfilltë o merret me realen e përpunuar në punëtorinë e imagjinatës, o me të fantazuarën që e shpjegon realen. Dhe, sipas meje, lënda më e përshtatshme e imagjinatës për të prodhuar vepër të mirëfilltë letrare janë kujtimet që frenojnë fantazinë krijuese.

Të nderuar, unë u fola për kujtimet dhe letërsinë, ngaqë ne, anëtarët e jurisë për ndarjen e çmimit “Rexhai Surroi” për roman më të mirë të vitit, patëm mundësi të lexonim shumë vepra të arrira, në mesin e të cilave nuk mungonin as ato ku qartë shihej se autorët kanë tentuar që nëpërmjet të shkuarës, ta përcaktojnë shenjën njohëse të së sotmes tonë. Mes këtyre veprave lexuam edhe dorëshkrime të pabotuara, pa kopertina, ku mungonin emrat e lexuesve profesionistë të saj, e që të jepte mundësinë të jesh vlerësues i parë i atij romani, që do të thotë ta shmangësh rrezikun që vlerësimin tënd ta përballesh në njëfarë mënyre me atë të atyre që atë vepër e kanë miratuar për botim. Por që njëkohësisht të përball me rrezikun që pas botimit të saj të tregohesh si vlerësues jo i mirë.

Dhe telegrafisht thënë, mes shumë romaneve me vlera të larta letrare, ne lexuam edhe dorëshkrimin e romanit ku nëpërmjet portretizimit të së shkuarës së një qyteti kosovar, është portretizuar tërë një e kaluar e Kosovës. Pra, bëhet fjalë për roman që shpalos të vërtetën se qytetet janë si njerëzit, se ato kanë fytyrën dhe karakterin e vet, se fytyra e tyre janë godinat, bulevardet e natyra që i rrethon, ndërkaq karakterin ia përcakton shpirti i banorëve të tyre. Pra, bëhet fjalë për roman nëpërmjet të të cilit autori na përball me të vërtetën se qytetet nuk dallojnë mes vete vetëm nëpërmjet ngrehinave që kanë lënë mbi tokë ndërtues të ndryshëm, por edhe nëpërmjet ngjarjeve, kujtimeve dhe ëndrrave të atyre që kanë jetuar e që nuk janë më, se qytetet me rrugicat e veta dhe me çdo gjë që ka të bëjë me tërësinë e tyre janë të ngjashme me njerëzit: jetojnë po aq sa gjallërojnë në kujtimet e banorëve të vet. Pra, ne lexuam një roman në dorëshkrim ku autori me mjeshtri ndërlidh kujtimet për kohët kur Peja, si edhe e tërë Kosova, ishte e detyruar të fliste serbisht e të bënte gjumë në shtratin e trishtueshëm të robërisë, por që gjithmonë ëndërronte shqip dhe për shqiptarinë. Pra, lexuam një roman që tregon se një popull e ka të garantuar lirinë, por vetëm nëse nuk i tradhton ëndrrat e veta për liri dhe kur nuk lejon t’i veniten idealet për shqiptari.

Dhe unë u fola për kujtimet si brumë letrar dhe për dorëshkrimet e pabotuara që konkurruan për çmimin "Rexhai Surroi", ngaqë këtë vit, për herë të parë, ne si juri vendosëm që çmimin si romani më i mirë i vitit t’ia ndajmë një romani të pabotuar. Një romani që përshkruan portat e një qyteti, nëpër të cilin qytet autori na shëtit duke i hapur portat e kujtimeve të veta për të shkuarën e Pejës. Pra, ne anëtarët e jurisë, vendosëm që me çmimin “Rexhai Surroi” për roman më të mirë të vitit ta dekorojmë romanin në dorëshkrim të Binak Kelmendit “Portat e Pejës”./koha.net/

(Fjala e shkrimtarit Kim Mehmeti gjatë dhënies së çmimit “Rexhai Surroi” për romanin më të mirë të vitit)

SHKARKO APP