Një strategji rikthimi për Europën
Nga Carl Bildt dhe Javier Solana
Kur Papa Françesku iu drejtua Parlamentit Europian në nëntor të vitit që kaloi, ai e krahasoi Bashkimin Europian me një gjyshe-e kënaqur dhe e pasur me përvojë, por pa vitalitetin dhe energjinë e të kaluarës. Ka ardhur koha, argumentonte Françesku, që udhëheqësit europianë të hedhin tutje pamjen e tyre të përgjumur, të pranojnë sfidat strategjike me të cilat përballet Europa, si dhe të krijojnë një politikë të qartë për t’i trajtuar ato. Duhet pranuar që përshkrimi i Papës ishte në disa drejtime-e kjo është për t’u alarmuar-shumë i saktë. Por pavarësisht lodhjes së saj, Europa ka ende disa pika të forta të rëndësishme. Ajo është një nyjë e mendimit të nivelit të lartë dhe inovacionit; është vendi ku ndodhen disa prej rajoneve dhe industrive më konkuruese të botës; dhe, ç’është më mbresëlënësja, ajo ka ndërtuar një komunitet dhe një treg që përfshin gjysmë milioni njerëz.
Por bota po ndryshon: rajoni i Azisë-Paqësorit po influencon gjithnjë e më shumë zhvillimet globalë, ekonomikë ose jo. Partneriteti i Trans-Paqësorit-me anë të të cilit SHBA dhe 11 shtete të tjerë do të krijonin një zonë megarajonale të tregtisë së lirë-me shumë gjasë do e përshpejtonte këtë ndryshim (edhe më shumë, nëse më pas i bashkohet edhe Kina). Ndonëse këtij partneriteti nuk u mungojnë pengesat përpara se të mbërrihet në një marrëveshje, potenciali i tij për të rritur fuqinë ekonomike të Azisë nuk duhet të nënvlerësohet. Europa duhet të punojë për të siguruar vendin e saj në rendin e ri botëror-duke filluar me fuqizimin e lidhjeve të saj tregtare dhe të investimeve me SHBA. Problemi është se, ndërkohë që negociatat për Partneritetin e Trans-Paqësorit përparojnë, bisedimet për Partneritetin Transatlantik për Tregtinë dhe Investimet SHBA-BE (TTIP) kanë ngecur kaq thellë në kontradiktat e brendshme, saqë i gjithë projekti mund të “hidhet në erë”. Liderët e biznesit në të dy anët e Atlantikut janë të bindur se një marrëveshje e suksesshme TTIP do të sillte dobi të madhe ekonomike-një perceptim ky që forcohet prej shumë studimeve. Megjithatë, probleme të vegjël-për shembull, përdorimi i pulave të kloruara apo zgjidhja e mosmarrëveshjeve mes investitorëve-vazhdojnë të dominojnë debatin.
Objektivi i TTIP është që të çlirojë fuqinë e ekonomisë transatlantike, e cila mbetet tregu më i madh dhe më i pasur i botës, duke zënë tre të katërtat e veprimtarisë financiare globale dhe më shumë se gjysmën e tregtisë botërore. (Nëse TTIP do të hapej për ekonomi të tjera, si për shembull Turqia, Meksika dhe Kanadaja, përfitimet do të ishin edhe më të mëdhenj). Edhe më imponues se përfitimet e arritjes së një marrëveshje, janë pasojat e mundshme katastrofike të një dështimi. Si fillim, një prishje e bisedimeve për TTIP do i jepte shumë municion atyre në Mbretërinë e Bashkuar që mbrojnë daljen nga BE; në të kundërt, nëse TTIP do të zbatohej, Mbretëria e Bashkuar do të bënte një veprim jo të mençur nëse do të largohej. Veç kësaj, perceptimi se zënkat e brendshme në BE e kanë bërë atë që të çojë dëm një shans strategjik do ta shtynte me siguri SHBA që të përshpejtonte shkëputjen e vet prej kontinentit. Dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, me shumë gjasë do e shihte dështimin e BE si një shans të madh për të ushtruar edhe më shumë ndikimin e tij mbi disa pjesë të Europës. Të gjithë këto kontribuojnë për një risk strategjik themelor: Nëse TTIP ngec ose dështon, ndërkohë që marrëveshja tjetër me vendet e Azisë ecën përpara me sukses, atëherë ekuilibri global do të anohej fort në favor të Azisë. Pas kësaj, Europa do të kishte pak opsione, në mos asnjë, për të rifituar influencën e saj ekonomike dhe gjeopolitike. Kur TTIP u propozua për herë të parë, Europa dukej se e njihte vlerën e saj. Në të vërtetë, ishte BE-ja që e shtynte SHBA-në të nisnin negociatat në qershor 2013, ku kjo e fundit fillimisht kishte dyshime për përkushtimin e Europës. Ambicia ishte që negociatat të përfundonin me “një serbator”. Askush nuk donte bisedime të zgjatur-apo edhe dhimbjet politike që i shoqërojnë ata.
Por udhëheqësit e BE praktikisht e braktisën projektin, duke konfirmuar kështu frikërat e Amerikës. Negociatorët u munduan shumë të çajnë përpara, ndërkohë që grupet antiglobalizim morën kontrollin e debatit publik, duke e paraqitur TTIP si një rrezik ndaj gjithçkaje, që nga demokracia e Europës, deri tek shëndeti i saj. Këta janë debate rrezikshëm të pasaktë, dhe udhëheqësit e BE duhet të mos lejojnë që të fitojnë më shumë tërheqje, duke promovuar dobinë strategjike të marrëveshjes. Dhe ata duhet t’i rikthehen përkushtimit për t’i përfunduar me sukses bisedimet në 2015-ën. Kjo nuk do të thotë se zgjidhja e problemeve të mbetur të TTIP do të jetë e lehtë. Por firmosja e një marrëveshje tregtare, sidomos një që përfshin kaq shumë çështje rregullatore, është gjithmonë e vështirë, pasi do të ketë të bëjë me kompleksitetin dhe ndryshueshmërinë e ekonomive moderne. Eshtë fakt që sfidat që pengojnë përfundimin e TTIP nuk janë më shumë të vështira se ato që udhëheqësit e BE kanë ndeshur në vitet e fundit të krizës. Kur negociatat e TTIP të rifillojnë muajin tjetër, udhëheqësit e BE duhet të kërkojnë një përparim real, me objektiv arritjen e një marrëveshjeje deri në fund të vitit. Lajmi i mirë është se zgjedhjet e fundit të mesit të mandatit në SHBA mund t’i kenë rritur shanset. Presidenti Obama mund të marrë tashmë të drejtën e të ashtuquajturave “negociata në shinat e shpejtësisë” nga Kongresi. Nëse ndodh, Kongresi thjeshtë do të miratonte ose refuzonte çdo marrëveshje të negociuar, në vend që ta linte atë mënjanë. Sezoni i zgjedhjeve presidenciale në SHBA po fillon. Cështje të tjera në këtë vit të ri mund ta dominojnë agjendën e BE-së. Për këtë arsye udhëheqësit e Europës nuk kanë kohë për të humbur. Duhet të rrokin shansin ekonomik-dhe të shmangin katastrofën strategjike.
Shënim: Carl Bildt ish Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm i Suedisë. Javier Solana, ish Përfaqësues i Lartë i BE për Politikat e Jashtme dhe të Sigurisë, ish Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s. Përgatiti: bota.al