Një tjetër plagë mbi Tiranë?!

 

Nga Ben Andoni

Ndërtimi i ri 9-katësh që po bëhet në rrugën “Brigada e VIII” në Bllok, tregon sesa pak mund të ndikojë publiku në politikat dhe premtimet bashkiake. Rasti i fundit tregon se premtimet e kryebashkiakut Basha, kur mori mandatin se nuk do të ndërtonte pallate shumëkatëshe i ka marrë era me kohë, ashtu si edhe reagimin e strukturave të qeverisë së sotme, që kinse nuk dinë asgjë!!!

Ndodh si dy pika uji. Të gjithë kryetarët e bashkive në fillim premtojnë se nuk do ketë ndërtime dhe në largim, kur bëhet bilanci i mandateve të tyre, ti shikon se ata kanë mbjellë beton dhe atje ku nuk mund të ndërtohej. Rasti i fundit, që po ndodh në Tiranë, është njësoj flagrant dhe ka të bëjë me një ndërtim 9-katësh në zonën e Bllokut, pjesës më të lakmuar për ndërtime në qytetin e Tiranës.

Ndërtimi, që është duke u realizuar me lejen e Bashkisë së Tiranës, ka filluar pak ditë më parë në rrugën “Brigada e VIII”, mu në të vetmen hapësirë, ku nuk kishte ndërtesë. Në fakt, ishte një vilë, që strukturat e Ministrisë së Kulturës e kishin në të ashtuquajturënmbrojtje paraprake me një urdhër të Janarit 2015, sigluar nga titullarja e tyre.

Por, e gjitha ka rezultuar një fiasko sepse Pallati i cili po ndërtohet nga shoqëria “LID” sh.p.k, me 2 kate parkim nëntokësor, ka filluar punë. Kalimtari i thjeshtë nuk mund të shikojë më pas llamarinave, që e rrethojnë. Leja e Bashkisë së Tiranës është dhënë në fakt qysh në janar të 2014-s, sipas vëzhgimeve të medias, por leja zhvillimore për ndërtim është dhënë në 11 qershor 2014. Punimet kanë nisur ditën e fundit dhe pritet të përfundojnë në qershor të 2016-s. Ajo, që e tregon flagrant rastin, është arroganca e ndërtimit, ku distanca mes pallatit që do të ndërtohet dhe ndërtesave të tjera fqinje do të jetë nga 1 deri më 2 metër, mu një shkelje e Planit të Përgjithshëm Vendor që e ka miratuar vetë Bashkia e Tiranës në 2012-n. Gjithashtu pallati po ndërtohet vetëm 2 metra larg rrugës “Brigada e VIII”, që është një tjetër kriter i cili është shkelur me planin e ri urbanistik të Tiranës.

Paradoksi tjetër lidhet me faktin që në këtë vend ka qenë një vilë, e përfshirë në numrin rendor 44, të një liste që Instituti i Monumenteve, nën siglimin e drejtoreshës së vet Arta Dollani më 16 janar të vitit 2015, e ka hartuar për mbrojtjen paraprake të tyre. Titullarja e Monumenteve bazuar nenit 26 të Ligjit 9048 për “Trashëgiminë Kulturore “të vitit 2003  ka urdhëruar: 1-shpalljen e disa objekteve në qytetin e Tiranës në mbrojtje parapake;2-të përgatitet dokumentacioni brenda periudhës 6-mujore për përcaktimin e mëtejshëm të statusit të objekteve;3-gjatë kësaj periudhe ndalohet çdo lloj ndërhyrje në gjendjen fizike të objekteve. Më poshtë vijon lista, ku objekti që ka qenë aty është numri 44. E pyetur për JAVA-n, znj. Dollani ka qenë e paditur për objektin në fjalë dhe madje ka reaguar menjëherë se do përcillte inspektoren e saj për verifikim!!! Por në një përgjigje të mëvonshme është përgjigjur se: “Është në proces. Po verifikohen leje dhe datat. Objekti është në listën e objekteve të shpallura në mbrojtjen paraprake dhe është jashtë kufirit të qendrës historike”.

 Me sa duket si të tjerët

Me pak fjalë, ndërtimi do të marrë udhë në sy të të gjithë publikut kryeqytetas dhe fakti që është jashtë qendrës historike, në mënyrë të tërthortë do të thotë se gjërat do vazhdojnë. Kjo e bën shqetësimin më të madh sepse kryeqytetasit sot nuk mund të menaxhojnë qytetin e tyre. Që do të thotë, me pak fjalë se problemi i madh që kemi sot me njerëzit që e menaxhojnë qytetin tonë është çuditërisht se gjithnjë janë në të njëjtën varkë, kundër interesave të publikut. Duke e shpënë pak kujtesën në zgjedhjet e shkuara, kryebashkiaku Basha erdhi me një proces shumë të dyshimtë e me premtime të mëdha, që i shoqëronte me gjestikulacionet e fryra, ku premtoi me forcë se nuk do të ndërtonte pallate shumëkatëshe. Anipse, në vitet e fundit në Kryeqytet kemi më shumë ndërtime. Të tilla saqë të trembin. Ajo që tronditi mendjet e publikut dhe nervat e tij ishte fakti i ndërtimit të pallatit 17-katësh që do të ngrihet mu tek diga e “Liqenit Artificial”. Edhe pse fasha të gjera të shoqërisë janë ankuar dhe kanë protestuar ndaj këtij ndërtimi, Bashkia e Tiranës është mjaftuar me prononcimin e thatë se: “pallati nuk do ta cenojë pronën publike”. Dhe edhe pse Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit arriti të bllokojë punimet për mungesë dokumentacioni, ishte Gjykata ka vendosur vazhdimin e tyre. Por, se mos vetëm kjo: zhurma e madhe që u bë për pallatin 11-katësh që do të ndërtohet pranë Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli” dhe përballë Ambasadës Amerikane përfshiu aktorë të ndryshëm, por edhe kjo u harrua. Të mendosh se është një godinë që do u zërë frymën shumë objekteve përreth.

Ajo që i bashkon të tre rastet është se: Në të gjitha momentet, ndërtimet kanë nisur pak muaj para zgjedhjeve vendore të 21 qershorit. Media që është marrë me problemin ka mundur t’i shkëpusë vetëm një prononcim zyrtarëve të Bashkisë, sipas të cilëve përgjigjja mbetet njësoj: “çdo gjë është brenda rregullave”, por pa dhënë më sqarime për një godinë të tillë mu në zonën e “Ish-bllokut”.

Tirana, si mund të ishte

Blloku, ish-zona rezidenciale e udhëheqjes komuniste, ishte zona më e kërkuar në fillim të viteve ’90. Makutëria e ndërtimit bëri që ai shpejt të ndryshonte pamje e përmbytur nga ndërtesat shumëkatëshe. Blloku, menduar se mund të mbijetonte me vilat e tij, që në konceptin fillestar të ndërtimit, ishte shumë e këndshme pasi largësitë e studiuara të ish-vilave dhe rrugët e gjëra garantonin ta bënin hapësirën një zonë të qetë pushimi për kryeqytetasit, ajo shpejt ia la vendin kaosit të ndërtimeve, që janë në çdo centimetër. Në rastin tonë ndërtimi është vetëm 2 metra larg Rrugës “Brigada e VIII” një fakt që si përcaktohet në Vlerësimin Strategjik Mjedisor të Planit Rregullues të Tiranës, ku hartues i tij ka qenë një nga njerëzit kryesor të PD-së, Jamarbër Malltezi: “Ndërtesat që mund të ngrihen duhet të respektojnë një largësi të mjaftueshme nga sistemi rrugor, përfshi trotuaret apo korsitë e biçikletave sipas rastit”. Edhe pse distanca mes pallatit që do të ndërtohet dhe ndërtesave të tjera do të jetë nga 1-2 metër, që është një shkelje e Planit të Përgjithshëm Vendor që ka miratuar Bashkia e Tiranës në 2012-n.

Larg shumë gjërave, ndërtimi i këtij pallati ka treguar dhe pafuqinë e qeverisë së Ramës dhe realitetin që ajo ka krijuar dhe përgjegjësia shkon deri te KRT dhe INUK, për faktin se në Shqipëri duket se veprohet me dy standarte. Që do të thotë shkatërrim dhe forcë për të dobëtit dhe lejim për të fortët. Kjo është një nga të shumat arsye sepse shqiptarët për ditë e më shumë po humbin shpresën në qeverinë e tyre.

“JAVA”

SHKARKO APP