Një urim për Papa Françeskun

Sot në ditën e lindjes, më 17 dhjetor urojmë 80- vjetorin e Lindjes së Papa Françeskut, të një lideri universal, që i angazhon të gjithë për mbrojtjen e shtëpisë së përbashkët, e falënderojmë për gjithçka ka bërë për popullin shqiptar dhe Shqipërinë që së fundmi, në vigjilje të krishtlindjeve, emëroi  Imzot George Frendo, baritorin e filozofin, në krye të Kishës Katolike në Dioqezën Tiranë-Durrës.

Nga Zef Bushati

Muaji shtator 2016 filloi me një atmosferë festive për Kishën Katolike Universale si dhe për Kishën Katolike Shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, me rastin e ceremonisë së Shenjtërimit të Nënë Terezës nga Papa Françesku në Selinë e Shenjtë në Vatikan, kjo atmosferë vazhdoi me firmosjen e Dekretit nga Papa të Lumturimit të 38 Martirëve dhe me emërimin e Dom Ernest Troshanit Kardinal. Më tej u pasua me një tjetër ngjarje të rëndësishme. Më 17 Nëntor u dha lajmi në Katedralen e Shën Palit në Tiranë në praninë e meshtarëve, motrave dhe besimtarëve katolikë që gjendeshin në Katedrale se: Papa Françesku kishte emëruar Imzot George Frendo Arqipeshkev i Dioqezes Tiranë-Durrës.

Sot në ditën e lindjes, më 17 dhjetor urojmë 80- vjetorin e Lindjes së Papa Françeskut, të një lideri universal, që i angazhon të gjithë për mbrojtjen e shtëpisë së përbashkët, e falënderojmë për gjithçka ka bërë për popullin shqiptar dhe Shqipërinë që së fundmi, në vigjilje të krishtlindjeve, emëroi  Imzot George Frendo, baritorin e filozofin, në krye të Kishës Katolike në Dioqezën Tiranë-Durrës.

Imzot Frendo, intelektuali i lartë, me një përgatitje teologjike dhe juridike të fortë, ka mbuluar detyra të rëndësishme në Dioqezën e Tiranë-Durrësit, por edhe në brendësi të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë. Njohës shumë i mirë i gjuhës shqipe, ka qenë ndër përthyesit e disa teksteve liturgjikë në gjuhën shqipe e në mënyrë të veçantë i mesharit të ri shqip. Ka shërbyer prej shumë vitesh në Shqipëri. Ka pasur një zell dhe pasion baritor për vendin tonë dhe popullin tonë, që është bërë shpesh pikë referimi për të varfrit dhe për ata njerëz që kishin nevojë në famullinë e Durrësit dhe ne Katedralen e Shën Palit në Tiranë. Emrimi i tij në detyrën e lartë e rrit edhe më shumë nivelin intelektual të udhëheqjes së kishës katolike në Shqipëri. Imzot Frendo gjatë ceremonisë së meshës me datën 3 dhjetor mori zyrtarisht drejtimin e Dioqezës Tiranë-Durrës. Fryma baritore e arqipeshkevit dhe idetë e mendimet e tij filozofike mendohet se do të jenë shtyllat më të forta të misionit të tij. Besimtarët shprehin gëzimin e tyre dhe bindjen se Arqipeshkëvi i ri do të jetë një bari i mirë për dioqezën e tyre dhe një udhëheqës që do të dijë të dialogojë me ta, që do të ndërtojë një kishë të popullit e jo një kishë për popullin, që do të forcojë edhe më shumë bashkëjetesën e tolerancën fetare me besimet e tjera të pranishme në Shqipëri. Papa Françesku gjatë një homelie deklaroi se: “barinjtë të thonë të vërtetën, por ta mirëpresin hapin e parë të njerëzve”

Kush është Imzor George Frendo Arqipershkevi i Dioqezës Tiranë-Durrës.

Mons. George Anthony Frendo është lindur në Qormi, Maltë, me 4 prill 1946, duke qenë fëmija i pestë ndër shtatë fëmijët e familjes. Pasi kreu shkollën fillore e të mesme, në vitin 1962 hyri në Urdhrin e Predikatorëve (Domenikanë). Në vijim ndoqi studimet në filozofi dhe teologji në Collegium Philosophico-Theologicum Sancti Thomae Aquinatis në Rabat, Maltë. Është shuguruar prift më 7 prill 1969.

Nga Kolegji i Shën Tomës së Rabat-it, mori gradën e Lektoratit në Teologji me tezën Baptism as the Sacrament of Faith in the Doctrine and Practice of the Church (Pagëzimi si Sakramenti i Fesë në Doktrinën dhe në Praktikën e Kishës).Vazhdoi studimet në Pontificia Universitas Sancti Thomae Aquinatis në Romë, në Fakultetin e së Drejtës Kanonike dhe në 1973 u diplomua në si Doktor në të Drejtën Kanonike duke mbrojtur tezën, Indissolubility and Divorce in the Theology of Thirteenth Century Scholastics (Pazgjidhshmëria e Martesës dhe Divorci në teologjinë e Skolastikëve të shekullit trembëdhjetë).

Me kthimin në Maltë, menjëherë nisi të japë mësimin e Teologjisë Dogmatike në Collegium Philosophico-Theologicum Sancti Thomae Aquinatis e domenikanëve; dha mësim gjithashtu në disa kurse të Teologjisë Dogmatike (Sakramentet, Kristologji dhe Eskatologji) në Fakultetin e Teologjisë në Maltë si dhe një kurs mbi ateizmin bashkëkohor në Seminarin e Gozo-s.

Në Shqipëri ka dhënë mësim Teologjinë Trinitare dhe Kristologjinë në Seminarin Ndërdioqezan në Shkodër. Është autor i librave të ndryshëm të natyrës doktrinale apo shpirtërore (p.sh. Eukaristia, Sakramentet, Maria e Tejshenjtë, tre libra katekeze për tre vitet e përgatitjes për jubileun e madh, familja, një përmbledhje e Katekizmit të Kishës Katolike, adhurimet eukaristike etj).

Ka pasur përvojën e shumë takimeve ndërkombëtare, si provincial i domenikanëve në Maltë, pastaj si president i Konferencës së Eprorëve të Lartë në Maltë dhe në Shqipëri, si Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Europian për Eprorët e Lartë Rregulltarë dhe gjithashtu si  Delegat në emër të Konferencës Ipeshkvore Shqiptare. Është Sekretari i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë.

Kisha Katolike e Shqipërisë ka qenë dhe do të jetë edhe në vazhdim pranë popullit, pranë njerëzve të thjeshtë, dhe gjithmonë në shërbim ndaj tyre.

SHKARKO APP