Një vend që prodhon vetëm kriza
Nga Sadedin Çeliku
Shqipëria në këto dy dekada e gjysëm ka përjetuar kriza të çuditshme si krizë ekonomike e financiare, kriza politike, krizë morali, krizë identiteti, krizë solidariteti, krizë e kulturës politike, krizë e mendimit etj. Kriza ekonomiko-financiare nuk e kanë burimin vetëm tek politikat e gabuara, mungesa e programeve dhe e objektivave qeverisëse, por dhe tek korrupsioni, fenomen i cili ka qenë permanent dhe bashkudhëtar gjatë gjithë kohës postkomuniste. Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se kriza globale gjatë këtyre pesë viteve të fundit, i ka kushtuar ekonomisë shqiptare rreth tre miliardë dollarë prodhim i munguar. Kjo uli ndjeshëm konsumin, prodhimin e përgjithshëm bruto, buxhetin familjar. Kështu u rrit borxhi publik në masën 74 % të PBB, kriza energjetike, privatizimi pa efektivitet e klientelist, në drejtimin e gabuar dhe pa rentabilitet, konçensionimi i ekonomisë për interesa personale dhe me pasoja të rënda për shqiptarët, papunësia, trafiqet e drogës, borxhet e këqija, bllokimi i kredive sipërmarrjes private, krimi i organizuar, qenë disa arsye dhe shkak i ekonomisë së dobët shqiptare.
Kriza politike në vendin tonë është shfaqur pothuajse gjithnjë madje po të kthehemi pas në kohë, ajo e ka zanafillën qysh në vitin 1920 e më pas. Ajo e filloi siparin në 1990, ku u desh Peres de Kuelari ta ç’bllokoi krizën, më pas në vitin 1991 ishte Xhani de Mikelis Ministër i Jashtëm në atë kohë i pranishëm në vendin tonë, në vitin 1994 rrëzimi i projekt Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në vitin 1996 vjedhja e votës së lirë dhe protestat gjithëpopullore, në vitin 1997 u desh kancelari austriak Franc Vranicki që negocioi me ish presidentin e vendit ku si rezultat u rrëzua qeveria nga protestat e fuqishme mbarëkombëtare të cilat erdhën nga humbja e parave në fajde, në vitin 1998 kriza artificiale që rezultoi me puç shteti nga ana e opozitës atëhershme por e papranuar nga ndërkombëtarët. Në vitet 2001 dhe 2014 kemi bojkotin e parlamentit nga opozita. Por krizat vazhdojnë sepse pushteti konsiderohet si çiflig ku mund të pasurohesh menjëherë dhe kështu popullit të cilit i vidhet pasuria e tyre dhe publike vazhdon e voton ata plangprishës që mendojnë vetëm për vete. Kriza e moralit e ka burimin tek kultura e dobët e klasës politike dhe tek konflikti i interesit. Në çdo zgjedhje garojnë njerëz me një të kaluar të dyshimtë, pa arsimin e lartë ose me diploma të trukuara shumë pranë kufirit me Shqipërinë. Kërkesat e vazhdueshme të ndërkombëtarëve për dekriminalizimin e parlamentit tregon qartë krizën morale që ka përfshirë parlamentin shqiptar.
SHBA anuluan takimin e grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri-SHBA për shkak se në përbërjen e listës së grupit të deputetëve shqiptarë bëjnë pjesë deputetë të inkriminuar. Thuhet se jo pak deputetë shqiptarë janë në listat e zeza të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vitet e fundit është vënë re dhe trafikimi i deputetëve të cilët kalojnë nga djathtas-majtas ose anasjelltas, nga e djathta në të djathtën tjetër, nga njëra e majtë në tjetrën edhe pse elektorati ju ka besuar e votuar aty ku ka kandiduar kandidati. Ky gjest i shëmtuar e ka kthyer parlamentin në një institucion jo serioz dhe parlamentarët shqiptarë në klounë cirku.
Kriza e identitetit është një tjetër krizë që ka zënë vend në shoqërinë shqiptare. Modernizimi ka krijuar premise që kanë të bëjnë me identitetin tone vetjak, shoqëror e politik. Bota që po globalizohet me shpejtësi, vazhdon të këpusë lidhjet ndërmjet identiteteve kombëtare dhe kulturave lokale. Zgjatja e krizave politike, sociale dhe ekonomike, dobëson unitetin dhe vetëdijen shoqërore. Mungesa e normave, e forcës dhe e besimit në të cilat është zhytur shoqëria përgjatë krizave, e bëjnë atë që largohet nga vlerat e saj të vërteta. Pasojat e një krize identiteti është rënia e besueshmërisë ndaj elitave politike dhe e institucioneve të tyre. Kjo krizë, rritet e konsolidohet së bashku me dështimin e udhëheqësve në fushat politike, ekonomike e shoqërore. Sipas filozofit Erik Erikson kriza e identitetit paraqet konfliktin më kryesor me të cilin njeriu përballet gjatë procesit të zhvillimit. Shpesh ndodh që interesat afatshkurtra politike vihen para interesave afatgjata kombëtare. Paaftësia dhe dështimi i elitës politike për të zgjidhur vetë çështjet e brendshme pa ndihmën e ndërkombëtarëve, buron nga e shkuara totalitare. Ndërkaq interesat e afatshkurtra politike të mbajtjes së pushtetit apo të ardhjes me çdo mjet qoftë dhe me dhunë shpesh bëhen prioritare. Çështja Doshi duket se nuk paraqet rëndësi për askënd përballë halleve që ka qytetarët shqiptarë, aq më shumë kur në rastet e tjera janë vrarë qindra të pafajshëm në minierën e Bulqizës, Gërdec apo katër qytetarët e vrarë në mes të bulevardit më 21 Janar. Rezultati askush nuk është dënuar dhe askush nuk mbajti përgjegjësi për krimet e kryera. Është koha të mos prodhojmë kriza pa shkak, artificiale dhe kriza të atilla që i mban në kurriz vetëm populli dhe asnjë nga politikbërësit. Çdo veprim i paarsyeshëm ka kosto të lartë jo vetëm politike, ekonomike e sociale por dhe më gjerë.