Një vetëvrasje greke?

 

Nga Anatole Kaletsky

Lajmi i mirë është se një mospagim grek, që u bë më i mundshëm pas refuzimit provokues të kryeministrit Alexis Tsipras ndaj asaj që ai e konsideroi si një ofertë “absurde” shpëtimi prej kreditorëve të Greqisë, nuk është më një kërcënim serioz për pjesën tjetër të Europës. Lajmi i keq është se Tsipras duket se nuk e kupton këtë.

Duke gjykuar nga agresiviteti i Tsipras, ai beson me vendosmëri se Europa ia ka nevojën Greqisë po aq shumë sa Greqia Europës. Ky është “absurditeti” i vërtetë gjatë negociatave aktuale dhe keqkuptimi i Tsipras në fuqinë që ka në bisedime tani rrezikon katastrofën për vendin e tij, turpëron partinë e vet Syriza, ose të dyja bashkë.

Rezultati më i mundëshëm është që Tsipras do të hajë fjalën e vet dhe do t’i dorëzohet kushteve të vëna nga “trojka” (KE, BQE, FMN) përpara fundit të qershorit. Nëse jo, BQE-ja do të ndalojë mbështetjen ndaj sistemit bankar grek dhe qeveria do mbesë pa para për t’i shërbyer borxheve të huaja dhe më e keqja, për të paguar pensionet dhe pagat e shtetasve grekë. Pa financimin nga jashtë, Greqia do të bëhet një shtresë e varfër – Argjentina e Europës – dhe presioni publik do ta rrëzojë nga pushteti Syrizën.

Ky rezultat është edhe më tragjik, duke qenë se analiza ekonomike që mbështeste kërkesën e Syrizës për një lehtësim të masave shtrënguese ishte kryesisht e drejtë. Në vend që të kërkonte një kompromis shpëtimtar në zbutjen e programit trojka, Tsipras humbi gjashtë muaj në beteja simbolike mbi çështje të parëndësishme për ekonominë si ligjet e punës, privatizimet, madje edhe me emrin e trojkës.

Kjo sjellje provokative i kushtoi Greqisë të gjithë aleatët e mundshëm në Francë dhe Itali. Edhe më keq, koha e humbur në spektakle politike shkatërroi bilancin pozitiv të buxhetit, që ishte karta e triumfit të Tsipras në negociatat e hershme.

Tani Tsipras mendon se ai ka një tjetër kartë triumfi: frikën e Europës për një mospagim në kohë të borxhit grek. Por kjo është një iluzion i nxitur nga ministri i tij i financës, Yanis Varoufakis. Një profesor i teorisë së lojës, Varufakis së fundmi u mburr te “Nju Jork Times” se “Greqia e vogël për të mbijetuar mund të rrënojë botën financiare” dhe se imazhi i tij në media si “një idiot i palogjikshëm, po e bën punën për mua” duke frikësuar ministrat e financës në BE.

Mesa duket, Varoufakis beson se “zotërimi i tij i sofistikuar për teorinë e lojës” i jep Greqisë një avantazh kryesor në “dinamikat e komplikuara” të negociatave. Në fakt, loja që po luhet në Europë është më pak si shahu sesa si tic-tac-toe, ku një barazim është një rezultat normal, por një lëvizje e gabuar do të thotë humbje e sigurt.

Rregullat e kësaj loje janë më të lehta sesa Varoufakis priste për shkak të një ngjarje shumë të rëndësishme që ndodhi në të njëjtën javë me zgjedhjet greke. Më 22 janar, BQE-ja bëri veprimin vendimtar për të mbrojtur eurozonën nga një mospagim grek i borxhit. Duke lajmëruar një program të madh të  blerjeve të bonove, i lidhur më shumë me tregun e obligacioneve në eurozonë sesa me lehtësimin sasion në SHBA, Britani apo Japoni, presidenti i BQE, Mario Draghi, ngriti murin mbrojtës të papenetrueshëm që duhej prej kohësh për të mbrojtur bashkimin monetar nga një rrënim financiar i stilit Lehman.

Aftësia e re e BQE për të printuar para, në thelb pa limit, për të mbështetur si bankat me para dhe qeveritë ka reduktuar rrezikun grek deri aq sa e ka bërë të parëndësishëm. Kjo përfaqëson një ndryshim të thellë në mjedisin financiar të Europës, që politikanët grekë, mes tyre shumë analistë ekonomik, duket se nuk e kuptojnë.

Përpara vendimit të BQE, problemi nga Greqia ishte një kërcënim i pastër. Nëse qeveria greke nuk paguante ose përpiqej të braktiste euron, bankat greke do të falimentonin dhe grekët që nuk do mundnin t’i nxirrnin paratë e tyre nga vendi do të humbnin kursimet, siç ndodhi në Qipro në 2013. Kur kursimtarët në shtete të tjera borxhlie të euros si Portugalia dhe Spanja do ta vëzhgonin këtë, ato do trembeshin nga humbje të ngjashme dhe do t’i zhvendosnin paratë e tyre në banka në Gjermani dhe Austri, si dhe do të shisnin aksionet e tyre të bondeve të qeverisë portugeze ose spanjolle.

Si rezultat, çmimet e obligacioneve të shteteve debitore do të binin, normat e interesit do të fluturonin dhe bankat do të kërcënonin me faliment. Nëse ‘sëmundja ngjitëse’ nga Greqia do të intensifikohej, shteti tjetër i dobët, ndoshta Portugalia, do ta gjente veten në pamundësi për të mbështetur sistemin e vet bankar apo për të paguar borxhet e veta. Në fund do ta braktiste euron, duke ndjekur shembullin grek.

Përpara janarit, kjo rrjedhë ngjarjesh kishte më shumë gjasa të ndodhte, por programi i BQE për blerjen e obligacioneve pengoi procesin e përhapjes. Nëse zotëruesit e obligacioneve portugeze janë të alarmuar nga një mospagim grek në të ardhmen, BQE thjesht do të rrisë blerjen e obligacioneve, pa limit në fuqinë e saj blerëse, Banka Qendrore Europiane do ta kalojë me lehtësi çdo presion shitës.

Nëse kursimtarët në bankat portugeze fillojnë t’i zhvendosin paratë në Gjermani, BQE-ja do t’i riciklojë eurot e tyre në Portugali përmes depozitave ndërbankare. Edhe një herë, nuk ka kufi në sasinë e parave që BQE mund të riciklojë, duke i ofruar bankave portugeze aftësi pagimi, gjë që ato mund ta bëjnë për sa kohë BQE-ja vazhdon të blejë obligacione te qeveria portugeze.

Shkurt, programi i blerjes së obligacioneve nga BQE-ja e ka transformuar BQE-në nga një vëzhguese pasive të krizës së euros, e paralizuar nga kufizimet e vjetruara të Traktatit të Mastrihtit, në një huadhënëse. Me pushtete për të monetarizuar borxhet qeveritare të ngjashme me ato të ushtruara nga Rezerva Federale e SHBA, Banka e Japonisë dhe Banka e Anglisë, BQE-ja tani ka garantuar eurozonën kundër sëmundjeve financiare ngjitëse.

Fatkeqësisht për Greqinë, kjo ka humbur në qeverinë e Tsipras. Politikanët grekë që e shohin ende kërcënimin e përhapjes së krizës financiare si kartën e tyre të triumfit duhet të kuptojnë rastësinë e zgjedhjeve greke me programin e BQE për blerjen e obligacioneve dhe të kuptojnë përfundimin e dukshëm. Politika e re e BQE u projektua për të mbrojtur euron nga pasojat e një dalje të Greqisë ose mospagimi.

Strategjia më e fundit negociuese e Greqisë është që të kërkojë një shpërblim për ndërprerjen e kërcënimit vetëvrasës. Një kërcënim i tillë mund të funksionojë për një kamikaz. Por Greqia po e mban armën në kokën e saj dhe Europa nuk ka përse të shqetësohet nëse e tërheq këmbëzën ose jo.

Project Syndicate-BIRN

SHKARKO APP