Nuk do të kursejmë askënd
Nga njëra anë, çështja e vlerësimit të shkollave të mesme, bashkë me rezultatet e Maturës Shtetërore dhe nga ana tjetër, çështja po aq e rëndësishme e hapjes së një kapitulli tërësisht të ri për rekrutimin dhe vlerësimin e mësuesve.
Jemi shumë të vetëdijshëm që situata ku ne morëm vendin, përfshirë dhe sistemin tonë arsimor ishte dhe mbetet, sot e gjithë ditën, një situatë që është shumë larg ëndrrave dhe shpresave të prindërve të këtij vendi për fëmijët e tyre, që është shumë larg ambicies sonë për Shqipërinë evropiane.
Por nga ana tjetër, besoj, se e ndaj pa merak me shumicën dërrmuese të shqiptarëve bindjen se për herë të parë në historinë e këtij procesi demokratizmi të vendit, pas rënies së regjimit komunist, Ministria e Arsimit është vendosur në atë rol që është dashur të vendoset qysh në krye të herës, për të mos e lënë sistemin arsimor të katandisej në derexhenë ku u katandis, roli i një force tërheqëse të një transformimi rrënjësor, një lokomotive të reformave rrënjësore, për të cilat ka nevojë vendi ynë në tërësi, por në këtë rast, arsimi në mënyrë të posaçme. Nga njëra anë, ne e dimë fort mirë se reformat, ato të vërtetat dhe të thellat, efektet e tyre të plota i japin në kohë dhe jo menjëherë, njësoj si operacionet e thella në trupin e njeriut për të shkulur që aty një sëmundje që kërcënon trupin me vdekjen apo me paralizë të përjetshme. Operacione që kur janë të suksesshme nuk zgjidhin aty për aty problemin e riaftësimit të trupit për të bërë gjithçka bënte përpara sëmundjes, por krijojnë kushtet që trupi të riaftësohet ditë pas dite dhe më në fund të rikthehet në gjithë praktikën e vet të mëparshme.
Sot, rezultatet e Maturës së parë Shtetërore të organizuar me një sistem të ri, bazuar tek transparenca dhe tek meritokracia, i kemi të gjithë përpara syve. Ministrja i renditi duke bërë një krahasim të arsyeshëm me të shkuarën e deridjeshme dhe duke na dhënë një pamje të qartë se brumi të cilin sot punon Universiteti në vitin e I-rë, falë Maturës Shtetërore është shumë më cilësor se sa brumi plot “krunde” i viteve që lamë pas.
Megjithatë, ajo çka unë konsideroj sot me rëndësi për këtë takim dhe për vijim e përpjekjes sonë të përbashkët në këtë aspekt, është se Matura Shtetërore, e para, na dha mundësinë të hapin një kapitull të ri lidhur me atë që ne e kemi marrë si angazhim qysh në krye të herës dhe që do të përbëjë një pikë referimi të patjetërsueshme në vite për prindërit, për nxënësit dhe për drejtuesit e sistemit arsimor, rankimin e shkollave në bazë të cilësisë së shërbimit që ato ofrojnë. Rankim i bazuar në rezultate. Rankim që u jep mundësi prindërve ta dinë qysh përpara se çfarë do të presin nga shkolla ku çojnë fëmijët dhe i jep mundësi drejtuesve të sistemit të kenë një pasqyrë të qartë për atë çfarë duhet të bëjnë, për të rritur cilësinë e shërbimit dhe për të zgjeruar bazën cilësore të shkollave në të gjithë territorin e vendit.
Por, nga ana tjetër, jemi të gjithë të vetëdijshëm që procesi i modernizmit është përgjigja reale dhe e qëndrueshme ndaj korrupsionit, ndaj klientelizmit, ndaj favoreve me natyrë politike apo klanore që bëjnë që të bjeri poshtë çdo program, sado i shkruar mirë; të bjerë poshtë çdo plan, sado i menduar mirë dhe të bjeri poshtë çdo përpjekje, sado vullnetmirë. Dhe ndërkohë jemi të vetëdijshëm që njerëzit kanë të drejtën të thonë: Ne mund ta kuptojmë këtë gjë, por shërbimin e duam sot. Ne mund ta kuptojmë që ndryshimi i sistemit është përgjigja për një fitore të qëndrueshme ndaj korrupsionit, por nuk mund të pranojmë sot që fëmijët tanë të marrin mësim nga mësues që janë aty, jo sepse e meritojnë, por sepse kanë paguar Drejtorin e Drejtorisë Rajonale, apo Drejtorin e Zyrës Arsimore apo dikë tjetër. E, ndaj, beteja jonë do të zhvillohet paralelisht dhe do të zhvillohet paralelisht. E kemi thënë qysh në fillim dhe do ta provojmë përditë se nuk do të kursejmë asgjë dhe askënd. Nuk do të kursejmë pushtetin tonë, siç e kanë kursyer të tjerë përpara nesh, që për të qëndruar në pushtet kanë preferuar t’i shtyjnë përballjet me sëmundjet dhe me plagët e vendit, duke i lejuar sëmundjet dhe plagët që të zotërojnë të gjithë organizmin në vend, por do ta konsumojmë pushtetin në funksion të kësaj përpjekje.
E, nuk do të kursejmë askënd që në këtë rrugë do të na dali përpara duke u bërë pengesë e kësaj përpjekje të madhe kombëtare dhe duke abuzuar me detyrën.
Jam shumë i shqetësuar për faktin që edhe pse ka ndryshime rrënjësore të ndjeshme dhe të padiskutueshme vazhdon të ketë një shprehje të përgjithshme shqetësimi, nga veriu në jug, për mitmarrje në sistemin arsimor. Jam i bindur që ngjarja e rëndë e Zyrës Arsimore në Lushnje nuk është një aksident i veçuar, por është maja e një ajsbergu që ne do ta bëjmë copë-copë. Do ta bëjmë copë-copë, pa kursyer askënd. Por, duke filluar nga ky ndryshim rrënjësor, që do të kurorëzohet në muajin dhjetor në një fazë të parë dhe pastaj do të kthehet në sistem, duke filluar nga viti tjetër, asnjë drejtor Drejtorie Rajonale dhe asnjë drejtor Zyre Arsimore nuk do të ketë në dorë të bëjë emërime dhe çemërime mësuesish. Asnjë drejtor Zyre Arsimore dhe asnjë drejtor Drejtorie Rajonale nuk do të ketë më në dorë fatin e asnjë njeriu që shkon troket në zyrat e arsimit për të ofruar dijet e tij dhe që i përplaset dera në fytyrë, apo lihet në rrugë, sepse i duhet hapur rruga dikujt tjetër që e gjen rrugën me para apo me mbështetje të çfarëdoshme, për t’ia kaluar këtij tjetrit.
Kjo është e pa tolerueshme!
Me këtë, ne do të ndahemi jo mbas një viti, por mbas një muaji. Do të ndahemi duke u bashkuar me të gjithë ata që kanë çfarë t’i japin arsimit shqiptar dhe që kanë nevojë vetëm për një rrugë konkurrence të ndershme. Rrugën e konkurrencës së ndershme do ta përcaktojë metoda e re e prezantuar nga Ministrja e Arsimit, duke ftuar të gjithë qytetarët e qytetaret e këtij vendi që kanë arsimin përkatës, që janë në profilet e kërkuar dhe që janë të gatshëm të konkurrojnë me të tjerët, përmes një procesi tërësisht transparent dhe plotësisht të sekretuar në momentin e konkurrimit, njësoj si Matura e shkuar Shtetërore.
Praktikisht, përpara pak javësh, ne u gjendëm në situatën e vështirë të të përballurit me një shifër skandaloze që e bën Shqipërinë të duket si një vend tragjikomik, i pashoq në rajon dhe në Europë, 2278 mësues pa arsimin përkatës ose jashtë profilit. Dhe Raporti i Vlerësimit të Maturës Shtetërore flet shumë qartë. Aty ku prezenca e këtyre mësuesve është më e madhe, rezultatet janë mizerabël. Aty ku prezenca e këtyre mësuesve është e pandjeshme, ose nuk është fare, rezultatet janë shumë të larta.
Sigurisht që ne nuk kemi nevojë për këto fakte për të kuptuar se çfarë maskarade është një sistem arsimor që bazohet tek mësuesit pa shkollë dhe jashtë profilit, por këto fakte ndihmojnë për të kuptuar se jemi tërësisht në rrugën e duhur, kur themi që 2278 personat në fjalë duhet të largohen nga sistemi arsimor dhe duhet të zëvendësohen me 2278 mësues me arsimin përkatës dhe në profilet përkatëse.
Kjo do të bëhet bazuar tek portali i hapur për të gjithë ata që duan të aplikojnë dhe bazuar tek një testim tërësisht i mirëorganizuar, me rregulla strikte sekretimi, me mbikëqyrje të drejtpërdrejtë nga Ministria e Arsimit, në 12 qarqet e vendit. Ku komisioni i ekspertëve nuk do të dijë se kush është ky dhe kush është ajo, por thjesht dhe vetëm do të vlerësojë testet që do ketë përpara, duke qëndruar matanë një hendeku të pakapërcyeshëm nga korrupsioni, sepse është objektivisht e pamundur që ky konkurs të korruptohet dhe që vendi që i takon dikujt, të zihet nga dikush tjetër, me para apo me mbështetje politike, klanore, farefisnore dhe gjitha këto kategori, me radhë.
Secili ka aplikuar dhe praktikisht, unë kam qenë më shumë sesa i inkurajuar, kur kam parë raportin e Ministres së Arsimit që 85% e aplikantëve nga Tirana kanë shprehur gatishmërinë që të shkojnë të punojnë mësues në profilin e tyre, edhe në zona të tjera të vendit. Çka e bën nul pretendimin se meqë nuk kemi ne këtu mësues matematike, atëherë po marrim një ish futbollist, se ka qenë i shquar në skuadrën e katundit tonë dhe po i besojmë fatin e fëmijëve tanë në mësimin e matematikës. Apo meqë nuk kemi ne, në këtë zonën tonë të largët, mësues biologjie, po marrim një këngëtare dasmash dhe po i japim mundësinë që të marri dhe një rrogë, për ditë jave, duke i dhënë nxënësve tanë biologji. Alibi që këtu i bën për të qeshur ata që, mbase nuk e dinë, janë pjesë e realitetit të hidhur të sistemit tonë arsimor.
Se çfarë janë këta mijëra njerëz pa shkollë dhe jashtë profilit? Janë nga këta. Janë pjellë e një sistemi që provon se nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, por është sistemi që korrupton njerëzit. Dhe për të luftuar korrupsionin në rrënjë, duhet të ndërtojmë sisteme që nuk korruptojnë. Pastaj, njerëzit njerëz janë në Gjermani, në Shqipëri dhe ku të doni ju dhe sillen ashtu siç i imponon sistemi.
Sigurisht që do të jetë një konkurs më shumë sesa real, sepse për 2278 vende të lira janë deri tani të regjistruar 7475 kandidatë. Por ama do të jetë një hap i jashtëzakonshëm për të përcjellë tek të gjithë një mesazh të forte shprese, se edhe po nuk fitova këtë radhë, së paku, mu dha mundësia që të tregoj sa vlej dhe nuk ma mori në kthesë dikush pa shkollë apo dikush jashtë profilit, sepse tek kthesa, mua më pengoi Drejtori i Drejtorisë Rajonale apo drejtori i Zyrës arsimore.
Nga ana tjetër, ne jemi të vetëdijshëm që problemi i sistemit tonë arsimor nuk janë vetëm mësuesit jashtë profilit apo mësuesit pa shkollë, me të cilët, e thashë, do të ndahemi në dhjetor. Problemi janë edhe mësuesit me shkollën përkatëse, në profilin përkatës, por që nuk janë në lartësinë e ëndrrave dhe shpresave të prindërve dhe fëmijëve që shkojnë në shkollë. Për këtë arsye, deri në fund të muajit maj do të testohen dhe certifikohen të gjithë mësuesit në sistem.
Pra, praktikisht, ne do të arrijmë brenda këtij viti shkollor të ndërtojmë një trupë e cila do të jetë aty falë meritës së çdo individi dhe të ndërtojmë një rrugë përmirësimi të kësaj trupe, që do të jetë e garantuar me kritere të qarta të konkurrencës dhe të meritës. Kështu që, asnjë drejtor rajonal dhe asnjë drejtor Zyre Arsimore s’do ketë shansin që t’i thotë një drejtori që do edhe dy muaj të dalë në pension “ik ti tani, se do të vijë një shoqja ime”. Apo që t’i thotë një mësuese me 15 vjet eksperiencë “çohu ti tani dhe shko në fshatin filan, se në vendin tënd do vijë kunati im”.
Këto praktikisht mbarojnë. Çdo mësues i Republikës së Shqipërisë do ketë licencën e vet, që do të jetë një dokument që do të përmbajë aty brenda kuotat që burojnë nga testimi. Kjo licencë do të jetë një dokument që nuk mund ta shkeli asnjë drejtor, asnjë burokrat dhe asnjë drejtues qoftë dhe në Tiranë, pasi sistemi do të jetë i tillë që do t’i garantojë që të gjithë, bazuar tek merita e tyre.
Neve nuk na kanë kuptuar mbase deri në fund, mbase jo për fajin e tyre, të gjithë ata që kanë dëgjuar se për ne, në radhë të parë, shkolla nuk mund të jetë një depozita votash dhe një magazinë militantësh të asnjë partie. Për ne sot, por besoj ne do ta kthejmë këtë në një kapitull zhvillimi të qëndrueshëm brenda sistemit edhe për këdo që do të vijë nesër, nuk do të jetë tesera e partisë, por licenca e mësuesit që do të përcaktojë pozicionin e mësuesit në sistem. Dhe nuk do të jetë vullneti apo teka e drejtorit të drejtorisë, por do të jetë testimi i përgjithshëm që do të përcaktojë edhe se ku do të shkojë për të punuar një mësues i ri që futet në sistem. Gjithashtu, menjëherë pas kësaj faze, shtatorin e ardhshëm, ne do të hapim edhe shkollën për drejtorët. Kemi drejtorë arsimi shumë të mirë, por kemi edhe drejtorë arsimi që me thënë të drejtën, për mos thënë më shumë se kaq, nuk janë shumë të mirë. Mbi të gjitha, sot ne besojmë se drejtimi i shkollës është më shumë sesa vullneti i mirë i një mësuesi të mirë, është menaxhim i mirëfilltë. Aq më tepër ambicia jonë e shkollës si qendër komunitare kërkon drejtor të mirëkualifikuar. E, për këtë arsye, ne besojmë që drejtuesit e arsimit, drejtorët e shkollave do të mund të shërbejnë shumë më mirë, nëse t’i nënshtrohen formimit për qëllime kualifikimi. Kjo do të bëjë të mundur që të lidhim shumë më fort shkollën me meritën, qysh kur përcaktojmë mësuesit dhe drejtorët. Sepse një mësues pa shkollë, që ka shkuar aty pa meritë, çfarë respekti mund të ketë për meritën e një nxënësi dhe një tjetri?! Siç ka shkuar aty duke paguar lekë, do të vlerësojë nxënësit duke marrë lekë. Çfarë sistemi shërbimi në arsim mund të presim ne, në rast se ky sistem që kemi trashëguar është plotësisht i korruptueshëm nga marrësi më i parë?!
Nga ana tjetër, unë besoj që shembujt që kemi këtu janë të mjaftueshëm për të qenë shumë, shumë, shumë shpresëplotë se në 3 vjet, ne mund ta kthejmë plotësisht faqen e arsimit. Plotësisht.
Besoj se shembulli i shkollave publike dhe atyre private që ia kanë dalë dhe që ofrojnë shërbim cilësor provon se janë të gjitha mundësitë që këtë forcë të së mirës ta shtrijmë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Duke pasur një pamje të qartë, qoftë të cilësisë së çdo drejtori individualisht, qoftë të cilësisë së çdo mësuesi individualisht do të kemi mundësinë që pastaj të bëjmë edhe lëvizje me natyrë strategjike, duke kërkuar nga drejtorë të shkëlqyer që të marrin përsipër të ngrenë shkolla të tjera në nivelin e shkollës që kanë ngritur, por duke pasur edhe shpërblimin përkatës më shumë. Ashtu si dhe mësuesit, në të njëjtën mënyrë. Duke bërë që të kemi shkolla të mira ose shkolla shumë të mirë jo vetëm në disa qendra të mëdha urbane, por edhe në qendra më të vogla urbane.
Matura Shtetërore, padyshim, u përmirësua ndjeshëm, por vendi për përmirësim është aty. Fakti që 30% e nxënësve nuk arritën të kapërcejnë testet është domethënës, por është edhe inkurajues. Besoj që vitin e ardhshëm, cilësia e Maturës Shtetërore do të jetë edhe më e lartë, kur kemi parasysh që vetëm rritja e kufirit të kalimit në 20 %, si dhe procesi i miradministrimit solli këto rezultate kaq të prekshme.
Jam shumë i kënaqur që më në fund mori fund edhe loja e “part time”-it. “Part time”-i u bë në Shqipëri një histori tjetër qesharake, për të krijuar iluzionet shtesë, a thua nuk mjaftonin iluzionet e atyre universiteteve dhe atyre shkollave që ishin “full time”. Heqja e licencave për 13 “piramida” të “part time”-it ishte një operacion shumë i shëndetshëm.
Unë besoj që në këtë vit të ri, prindërit e këtij vendi do të mund të ndjehen më të qetë dhe nxënësit dhe nxënëset në këtë vend do të mund të ndjehen me më shumë shpresë, sepse në këtë vit të ri mbaron epopeja e mësuesve pa shkollë apo jashtë profilit dhe në këtë vit të ri do të kemi 2278 mësuesit e parë që do të përzgjidhen nëpërmjet një procesi konkurrues dhe meritokratik në 12 qarqe të vendit, falë vetëm dijeve të tyre. Dhe që nuk do të jenë zgjedhja subjektive, arbitrare apo e rastësishme e një drejtori Drejtorie në qark, apo e një Zyre Arsimore në një rreth.
Dhe ky, sigurisht, është vetëm fillimi!
Fillimi është edhe falënderimi, mirënjohja dhe vlerësimi më i thellë për shkollën “Ismail Qemali”, e cila është renditur e para. Me shumë kënaqësi, së bashku me Ministren e Arsimit dhe së bashku me Zëvendësministren e Arsimit, me dy zyshat që po bëjnë atë që shumë profesorë, për 20 vjet, si ministra, as që nuk e menduan, jo më ta bënin, të ndajmë disa Certifikata Nderi dhe vlerësimi, të përulur nga ana jonë, për shkollat që janë rankuar më të mirat, në bazë të rezultateve të Maturës Shtetërore.
Përpara sesa të fillojmë ndarjen e certifikatave, unë dua të them se jo vetëm që nuk është e pamundur, por është e dhimbshme, ndërkohë që është absolutisht e mundur që në 10 shkollat më të mira të vendit, apo në 50 shkollat më të mira të vendit, të mos ketë asnjë shkollë nga qytetet të rëndësishme të vendit.
Është e dhimbshme dhe sfida jonë është që në të ardhmen e afërt të kemi gjimnaze të rankuara shumë lart, patjetër në Tiranë, patjetër edhe në Vlorë, Lushnje apo Shkodër, Durrës, Korçë e Elbasan, por edhe në Gjirokastër, edhe në Lezhë, edhe në Kukës, edhe në Sarandë, edhe në Përmet, padyshim e me radhë edhe në qytete të tjera, tradita e të cilave flet qartë që katandia ku jemi sot, nuk vlerëson potencialet e këtyre territoreve.
Me shumë mirënjohje, unë dëshiroj që Drejtores së Shkollës “Ismail Qemali” t’i dorëzojmë Certifikatën e Nderit për vendin e parë në renditjen kombëtare të gjimnazeve publike.
*Fjala e Kryeministrit Edi Rama, në takimin për vlerësimin e shkollave të mesme më të mira, publike dhe private, sipas Raportit të Maturës Shtetërore 2013-2014: