Nuk e kemi luksin të qëndrojmë si spektatorë në Kumanovë‏

 

Nga Skënder Minxhozi

Publicisti i njohur Kim Mehmeti shprehej sot se ky i Kumanovës, duhet të jetë me shumë gjasë konflikti më i habitshëm që ka ndodhur ndonjëherë. Sipas tij, familjet shqiptare po kthehen në shtëpitë e tyre të djegura nga luftimet, po gjejnë njolla gjaku në dysheme dhe nuk dinë se kujt i përkasin. Një luftë ku ka pasur 22 viktima, dhjetra të plagosur, por ku publiku s’ka mundur të ketë as informacion, as akses. Ka qenë një operacion i stilit të vjetër “jugosllav”, i dhunshëm dhe i shurdhët, nga ata që rëndom i atribuoheshin UDB së vjetër të Beogradit.

Por kohët kanë ndryshuar. Ka ndryshuar edhe Maqedonia. Për keq, më shumë se për mirë. Sot në Shkup kemi një regjim autoritarist, thellësisht të korruptuar e arrogant, që po skedohet me shpejtësi si një formë qeverisjeje hibride, ku shquhet një nacionalizëm deklamativ e fals që e ka mbushur Shkupin me statuja qesharake dhe ku imazhi i Gruevskit po merr përherë e më tepër trajtat e një Vëllai të Madh gjysëm-komik.

Megjithatë ngjarja e Kumanovës nuk është aspak komike e aq më pak spontane. Versionin zyrtar, me “terroristë” e njerëz të armatosur që vijnë “nga një vend fqinj”, tashmë e ka hedhur poshtë çdo mendje racionale në Maqedoni, në rajon, por edhe në Perëndim. Aty ku kanë folur dendur, këto orë, për një demarsh të Gruevskit, për të devijuar vëmendjen e opinionit të brendshëm, nga përgjimet e bujshme të Zaevit, si dhe për të ndërprerë vrullin që këto zbulime skandalesh po i japin opozitës maqedone.

Po ne si shtet fqinj, si duhet të sillemi në këtë skenar që nuk është as i ri dhe as i panjohur?! Më së pari do të duhet të kishim bërë prej kohësh gjënë më të thjeshtë: t’i japim ambasadës tonë në Shkup një drejtues me kohë të plotë. Mungesa e ambasadorit në Shkup, e cila ndodh për shkak se kreu ynë i shtetit vijon të jetë ai partiaku meskin që njohim prej vitesh, shënon një boshllëk aspak normal. Fjala është për një ambasadë të rajonit, në një vend ku jeton një pjesë e kombit shqiptar. Si mund të tolerohet ende mungesa e një kryediplomati shqiptar aty?!

Së dyti, Tirana zyrtare nuk mund të qëndrojë pasive, kur sheh se liderët shqiptarë janë totalisht të çoroditur nga ngjarjet më të fundit në Kumanovë. BDI, parti në pushtet, priti dy ditë të plota, për të bërë një deklaratë zyrtare, ndërkohë që partia tjetër shqiptare e Menduh Thaçit ka heshtur. Vizita e sotme e Zaevit në Kumanove, ishte një sfidë e vogël direkte për liderët zyrtarë shqiptarë.

Shqipëria nuk ka nevojë të ketë ndonjë rol paternalizmi në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë, por kur forcat politike shqiptare atje nuk arrijnë të orientohen në momente kaq delikate, suporti publik me qëndrime të qarta dhe deklarata zyrtare, do të ishte në ndihmë të të gjithë bashkësisë shqiptare, e cila aktualisht është e tronditur, e traumatizuar dhe pa lidership politik

Së treti, sjellja e palës maqedone, nuk ka pse tolerohet më tej me deklarime diplomatike dhe indirekte. Në Shkup është instaluar një regjim gjysëm-banditesk, i cili nuk po heziton të përdorë sherrin e vjetër etnik me shqiptarët, si karburant të interesave të momentit, në luftën politike me opozitën e Zaevit. Tentativa për luajtur me konfliktin etnik në një terren eksploziv, siç është Maqedonia e sotme, është një aventurë që duhet të marrë një përgjigje të qartë dhe të fortë nga ana e Tiranës zyrtare. Dhe për këtë duket se forcat kryesore politike në kryeqytetin shqiptar, ndajnë pozicione të ngjashme. Shqiptarët nuk mund të përdoren si barut për topat e politikës së Shkupit. Ndryshe, mund të shemben muret e të gjithë shtetit, jo të vetëm të disa shtëpive në një lagje shqiptare të Kumanovës.

*Javanews.al

SHKARKO APP