Nuk është një kauzë opozitare

Nga Skënder Minxhozi

Kur në 22 nëntor disa dhjetra mijë njerëz vërshuan rrugëve të Tiranës nën thirrjen e opozitës, shqiptarët kuptuan se më në fund PD kishte arritur të mblidhte një dozë të mirë konsensusi, rreth temave të luftës kundër korrupsionit, keqqeverisjes, papunësisë e varfërisë. Ishin tema që preknin ndjeshmërinë e një pjese të mirë të shoqërisë shqiptare, e cila vuan pasojat e krizës së tejzgjatur, por edhe të masave represive të qeverisë Rama. Basha dhe Berisha mund të ndjeheshin më në fund të lumtur, që arritën të ngrenë, qoftë edhe për pak orë, qoftë edhe duke sjellë demostrues nga e gjithë Shqipëria, frymën opozitare, e cila ishte tejet e dobët që nga 23 qershori 2013.

Kjo qe protesta e parë e madhe e opozitës. E cila, imagjinohej, do të pasohej nga një tjetër protestë, mundësisht po aq e madhe. Ja që nuk ndodhi kështu. Sepse politika ka disa ligjësi të çuditshme, të cilat bëjnë që një moment i mirë të mos i ngjajë një momenti tjetër që vjen pas tij. Fryma e nëntorit u duk e mpakur të enjten, në Bulevardin qëndror të Tiranës. Aty ku shumëkush priste që të prodhohej një impuls i fuqishëm politik, që do të shkundte fort nga themelet qeverinë. Në vend të këtij vërshimi të premtuar popullor, u panë më pak se dhjetë mijë demostrues, edhe ata të sjellë nga të katër anët e vendit, por shumë më të paktë se në sfidën e katër muajve më parë.

Të enjten opozita, e bashkë me të edhe maxhoranca dhe opinioni publik që këqyrte në sfond zhvillimin e ngjarjeve, kuptuan se kauza e Tom Doshit nuk mund të jetë një kauzë opozitare. Të paktën jo një kauzë popullore dhe e mbështetur masivisht nga shqiptarët. Ajo u gatua dhe mori formë si një konflikt plot të panjohura dhe zona të errëta brenda kampit të shumicës, për t’u shndërruar gradualisht në një proces të gjerë hetimor, prej të cilit po del gjithçka, përveç fajësisë direkte e të provuar të Ilir Metës.

Pak orë pasi Tom Doshi drejtoi gishtin nga kreu i Kuvendit, opozita shpejtoi ta bëjë të vetën sfidën e deputetit të majtë. Me hovin karakteristik, me të cilin Berisha merr historikisht çdo fushatë kundër socialistëve, PD u hodh në një vrimë të errët, pa e parë fundin e saj. Ky kërcim në boshllëk duket se nuk solli atë që pritej. Me kalimin e ditëve, versioni tronditës i Doshit u pasua nga detaje që e hidhnin poshtë ose që së paku e relativizonin, ashtu siç nuk mungoi edhe një tendencë e rrjeteve sociale dhe figurave të humorit, për t’ja hequr seriozitetin akuzës së deputetit.

Opozita i lexoi keq këto nuanca që po merrte afera Doshi, duke preferuar t’i drejtohet shesheve, pa menduar gjatë për faktin se një çeshtje në proces hetimor, mund edhe të përfundojë në më shumë se një mënyrë. Pjesëmarrja e pakët në mitingun e opozitës, ditën e enjte, na tregoi se shqiptarët e shohin me një dozë jo të vogël mosbesimi këtë ngjarje. Çka u përkthye në një pasivitet të lexueshëm edhe për iniciativën politike që u ngrit mbi akuzat e Tom Doshit.

Ky fund i palumtur i nismës opozitare, rikthen në skenë problemin e madh të kursit që ka ndjekur opozita në thuajse 18 muajt e fundit. Një kurs i mbështetur më së shumti mbi temat kazuale, mbi betejat rastësore dhe mbi oponencën emotive, sesa mbi një linjë të qartë programore. Çka është në fakt një sëmundje endemike e opozitave në këtë vend, prej 24 vjetësh.

SHKARKO APP