Nuk ishte vrasje, por ekzekutim publik
Natalia Antonova
Mbaj mend, që kur isha 17 vjeçe, njoha një djalë në urën “Bolshoi Moskvorestski” . Ishte verë, ngrohtë dhe një vend frymëzues për gjëra të bukura. Edhe shumë vjet më pas, kam kaluar mbi këtë urë mbrëmjeve. Gjithmonë jam ndjerë e sigurt aty, qoftë ditën dhe qoftë natën. Dukej si vendi më i sigurt në botë. Fundja, çfarë mund të të ndodhte në një vend aq afër mureve të Kremlinit? Lideri i opozitës ruse, Boris Nemcov, u qëllua për vdekje mu aty, ditën e premte. Në vendin më të sigurt, në vendin më të shenjtë dhe në vendin më të paqtë. Dje u riktheva përsëri atje, por nuk ishte më e njëjta pamje. Dikush thërriste: “Nuk është vrasje, por ekzekutim publik!”. Dhe ashtu është. Vdekja e Nemcovit është një akt tjetër i tragjedisë ruse që vazhdon që prej aneksimit të Krimesë. Por nuk është e qartë shumë se kush përfiton nga kjo tragjedi. Politika e jashtme ruse, përfshirë sanksionet dhe propaganda e egër antiperëndimore e kanë ndarë shoqërinë tonë. Megjithatë, ka shumë zëra në Moskë dhe kudo, që për vrasjen mund të jetë i përfshirë lideri i Çeçenisë, Kadirovi. Ky i fundit duket si një vegël në duart e Putinit, që përdoret vetëm për vepra të pista. Megjithatë pista ka shumë për vrasjen e Nemcovit. Por që të vërtetohet ndonjëra duhet të hulumtojmë thellë në histori.
Sot, mbështetësit e Putinit po thonë se Nemcovi është pjesë e një konspiracioni liberal, pra një lloj sakrifice për një kauzë antiqeveritare. Logjika që përdoren në këtë rast, nis me një pyetje: “Kush përfiton nga vrasja e Nemcovit?” Jo Putini, por liberalët. Sipas tyre, Nemcovi nuk ishte ndonjë politikan i spikatur. Ai njihej në publik për shkak të posteve që ka mbajtur në qeveritë e mëparshme. Për ta, Nemcovi ishte pa të ardhme në politikë. Kështu, shokët e tij vendosën ta sakrifikonin për të nxitur urrejtje qeveritare. Ky është një arsyetim i frikshëm dhe pasojë e propagandës. Megjithatë, ka një pjesë të mirë të rusëve që mendojnë më ndryshe se ata që kanë qenë dhe janë viktimë e propagandës. Duke parë me objektivitet ngjarjet e fundit në Rusi, luftën në Ukrainë dhe urrejtjen ndaj Perëndimit, vrasja e një politikani si Nemcovi, paralajmëron se më shumë skena horrori do të ketë në Rusi. Kjo është shtresa më intelektuale në Rusi dhe ajo që po vuan së bashku me më të varfrit. Tashmë parashikohet që Rusia të pushtohet nga një valë terrori, pak a shumë si ngjarjet e përgjakshme që ndodhën në vitet 1930. Janë kokëboshë ata që kanë iluzione se Rusia do të jetë më e mirë pa Boris Nemcovin.
E gjitha kjo shihet si pasojë e dështimeve që ndodhën me shembjen e Bashkimit Sovjetik, i cili edhe pse është shpërbërë, ka lënë në fuqi të njëjtat metoda terrori si ato të Stalinit, por pak më të rafinuara dhe të pabazuara në ligj. Njerëzit janë ndrydhur së tepërmi dhe dikush atje lart, në qeveri, nuk po i lejon që ata të bëjnë paqe me të shkuarën e tyre të zezë dhe të ecin drejt identiteteve të reja, demokratike. Po nuk bërë paqe me të shkuarën, nuk shkëputesh dot prej saj. Ne akoma nuk jemi përballur si duhet me fantazmat e së shkuarës dhe ato nuk do të rreshtin kurrë së shfaquri. Kjo gjendje është rezultat i propagandës qeveritare. Njerëz si Boris Nemcovi, qeveria i cilëson në të gjitha mediet dhe instrumentet e saj të komunikimit, si tradhtarë të kombit dhe si agjentë perëndimorë që duhen zhdukur. Pra edhe nëse ndodh që qeveria vetë të mos ketë gisht në këtë vrasje, më e pakta është që njerëzit që e kanë kryer, të jenë viktima të propagandës së saj.
Nëse ka një perceptim te shumica se opozitari rus është agjent i huaj dhe tradhtar, atëherë secili prej këtyre njerëzve që e ka një perceptim të tillë, nuk e ka të vështirë të gjejë një arsye për ta vrarë. Qeveria autoritare ruse po i mban peng qytetarët e saj. Shumë rusë kanë gjenerata të tëra që po jetojnë si pengje. Ata kanë sindromën e Stokholmit. Ata përpiqen çdo ditë të besojnë se udhëheqësit e tyre janë të mirë dhe të mëshirshëm, dhe nëse nuk ia dalin ta besojnë këtë, përballen me një monstër të frikshme, që është asgjë më shumë se e vërteta. Nuk është normale që në një vend demokratik, te ketë protesta kundër protestave, dhe që në këto protesta kundër protestave të kërkohen ekzekutime, vrasje dhe burgime. Kjo ndodh në Rusi. Kjo ndodhi të premten. Urrejtja dhe përçarja shënuan viktimën e radhës. Viktima dergjej aty, në urën më të bukur, në simbolin më të shenjtë rus, si thirrje e fundit e ndërgjegjes njerëzore për një ndryshim. Por është e vështirë që ajo të arrijë diçka, sidomos në një vend si Rusia, ku jo gjithkush e ka mundësinë që të shkojë dhe ta shohë vetë me sytë e tij skenën e krimit. Pjesa më e madhe e ka parë në televizionet propagandistike, por jo të njëjtën skenë. Kanë parë me siguri një skenë tjetër. Skenën e vrasjes ordinere të një njeriu ordiner, armik të shtetit, që shëtiste me të dashurën e tij rrugëve, duke lënë gruan dhe fëmijët në shtëpi.
Marrë nga “The Guardian”
*Autorja është gazetare ruse
Përktheu: Erald A. Deliu