Nuk ka faj biznesi pse fiton tendera, por qeveria që i jep ato

Ylli Manjani

Nga Ylli Manjani –

Sulmi ndaj biznesit e pasurisë është monizëm.

Patetizmi me të cilin sulmohet publikisht biznesi dhe pasuria është i NEVERITSHËM. Sulmi në vetvete, ndaj të pasurve dhe pasurisë është i RREZIKSHËM. Këto janë shenja të qarta që shoqëria, po ndjek rrugën e qeverisë dhe po rrëshqet në monizëm.

Duhet ndalur kjo rrëshqitje e rrezikshme! E provuam për 50 vite pa pasuri e pa të pasur dhe përfunduam refugjatë (jo vetëm jashtë vendit) të pangopur me bukë. Akoma duam prova se sa i keq është regjimi që sulmon pasurinë?!

O njerëz nuk është turp të jesh i pasur. Sa më shumë të pasur të kemi aq më mirë i bëhet vendit, ne të gjithëve. Shoqërisë i vjen veç e mira nga pasuria e anëtarëve të saj.

O gazetarë, mos bini preh e bosëve tuaj e as bosëve politikë sepse asnjëri nuk e ka seriozisht. Ata duan të sulmojnë një takëm biznesi për të rrëmbyer vetë ose të njohurit e tyre bisnesin e lakmuar. Lojë e vjetër kjo… Nuk ka faj biznesi pse fiton tendera, por qeveria që i lëshon ato pa kriter e pa hesap. As ka faj bisnesi pse ndërton, por qeveria që lëshon leje pa hesap..

Kërkojini hesap qeverisë pse nuk i jepet mundësia të gjithëve të jenë të pasur, sepse ky është problemi. Por jo pse dikush është i pasur sepse bën bisnes dhe ka pasuri. Qeveria është ajo që duhet të përgjigjet për zbatimin e barabartë e pa dallim të ligjit e normave që disiplinojnë pasurinë, bisnesin, tregun, cilësinë e produkteve e shërbimeve. Nuk kemi votuar bisnesmenët, por politikanët të qeverisin. Këta të fundit vetëm fërkojnë duart se humbet vemendja ndaj zullumeve të tyre, sa herë që ne merremi me njëri-tjetrin dhe pasurinë e bisnesin. Gëzohuni more pse tjetri ka pasuri e bisnes! Gëzohuni që të plasë pushteti nga inati.

Ç’është gjith ky helm ndaj pasurisë?!

Kush mendon se duhet sulmuar pasuria si shpëtim i shoqërisë , ose ka luajtur mendsh ose është hipokrit. Në fakt nuk çuditem nga hipokrizia, sepse nuk kam lexuar ende asnjë gazetar apo sulmues ndaj pasurisë që të jetë pa shtëpi apo në nevojë akute për ushqim, fjala vjen…

Nejse, cilado qoftë arsyeja e sulmit ndaj pasurisë private çdo rast i shërben MONIZMIT, kërcënimit më të madh të shoqërisë demokratike.

 

SHKARKO APP