Nuk ka kohë për lojëra në Europë

Nga Janis Varufaqis

Po e shkruaj këtë artikull në kulmin e një negocimi thelbësor me kredidhënësit e vendit tim – negocim, rezultati i të cilit mund të shenjojë një brez, si dhe të shërbejë si pikë kthese për eksperimentin e pambaruar të Europës me bashkimin monetar.

Teoricienët e lojërave i analizojnë negociatat sikur ato të ishin lojërat e ndarjes së një keku nga ana e disa lojtarëve egoistë. Duke qenë se kam kaluar një pjesë të gjatë të jetës sime si një kërkues akademik i teorisë së lojërave, opinionistët hamendësuan se ministri i ri i Financave i Greqisë do të merrej gjatë gjithë kohës si të lunte me blofin, me strategjitë dhe opsionet më ekstreme, në përpjekje për të përforcuar pozitat e dobëta në të cilat ndodhej.

Nuk ka asgjë më larg të vërtetës së kjo.

Nëse ka ndonjë gjë për të cilën më ka bindur teoria ime e lojërave, është se do të ishte një marrëzi e mirëfilltë t’i mendoja bisedimet aktuale mes Greqisë dhe partnerëve tanë si një lojë pazaresh mes humbësish dhe fituesish, përmes blofesh dhe dredhish taktike.

Rreziku me teorinë e lojërave, sikurse iu thosha studentëve të mi, është se ajo i merr si të mirëqena arsyet e lojtarëve. Në poker apo në blackjack, ky pretendim nuk përbën problem. Por në diskutimet aktuale ndërmjet partnerëve tanë europianë dhe qeverisë së re të Greqisë, çështja është të farkëtohen arsye të reja. Të bëjmë të modës një mendësi të re që i tejkalon ndarjet kombëtare dhe u jep fund dallimeve huadhënës-huamarrës në favor të një perspektive paneuropiane dhe e vendos të mirën e përbashkët europiane mbi politikat e vogla dhe mbi dogmat që, nëse universalizohen, shkaktojnë toksikime dhe një mendësi të tipit ne-kundër-atyre.

Si ministri i Financave i një vendi të vogël dhe të dërrmuar nga taksat, që nuk ka një Bankë Qendrore dhe që shihet nga shumë prej partnerëve tanë si një debitor problematik, jam i bindur se kemi vetëm një opsion: të shmangim çdo tundim për ta trajtuar këtë çast kyç si një eksperiment strategjish dhe në vend të kësaj të paraqesim ndershmërisht faktet që shqetësojnë ekonominë sociale të Greqisë, të shfaqim propozimet tona për ta ringritur Greqinë, të shpjegojmë përse ato janë në interes të Europës dhe të tregojmë vijat e kuqe përtej të cilave logjika dhe detyra na e ndalojnë që të shkojmë.

Dallimi i madh midis kësaj qeverie dhe qeverive të mëparshme greke është i dyfishtë: ne jemi të gatshëm të ballafaqohemi me interesa të mëdha në mënyrë që ta ringremë Greqinë dhe të fitojmë besimin e partnerëve tanë. Ne jemi gjithashtu të vendosur që të mos trajtohemi si një koloni borxhesh, që duhet të vuajë atë që i takon. Parimi i masave më të mëdha shtrënguese për ekonominë më në krizë do të ishte i drejtë në rast se nuk do të kishte shkaktuar kaq vuajtje të panevojshme.

Shpesh më pyesin: Si i bëhet që e vetmja mënyrë që të sigurosh fonde është që ta kalosh vijën tënde të kuqe dhe të pranosh masa që i konsideron si pjesë e problemit më shumë se sa e zgjidhjes? Duke qëndruar besnik karshi parimit se nuk kam të drejtë të bëj blof, përgjigja ime është: vijat që i kemi paraqitur si të kuqe nuk do të kalohen. Përndryshe, nuk do të ishin plotësisht të kuqe, por një blof i vërtetë.

Por si i bëhet nëse kjo i shkakton edhe më shumë dhimbje popullit tënd?- më pyesin. Me siguri duhet të jesh duke bërë blof.

Problemi me këtë vijë argumentesh është se ajo pretendon, sikurse teoria e lojërave, se ne jetojmë në një tirani pasojash. Pra se nuk ekzistojnë rrethana në të cilat ne mund të bëjmë atë që është e drejtë jo si strategji, por thjesht sepse është…e drejtë.

Kundër një cinizmi të tillë qeveria e re greke do të sjellë risi. Ne do të ndahemi, cilatdo të jenë pasojat, nga marrëveshje që janë të gabuara për Greqinë dhe për Europën. Loja “tërhiq e mos e këput” që nisi pas borxhit publik të Greqisë, u bë e papërdorshme në 2010-n dhe do të përfundojë. Nuk do të ketë më huamarrje, për sa kohë nuk do të kemi një plan të besueshëm për ta rritur ekonominë në mënyrë që të paguhen huatë dhe të ndihmohet klasa e mesme të ringrihet me këmbët e veta dhe t’i bëjë ballë krizës së tmerrshme humanitare. Nuk do të ketë më programe “reformash” që shenjestrojnë pensionistët e gjorë dhe farmacitë familjare ndërkohë që lënë të paprekur korrupsionin e gjerë.

Qeveria jonë nuk po u kërkon partnerëve tanë një mënyrë për të mos i paguar borxhet. Ne po kërkojmë disa muaj kohë qëndrueshmërie financiare, që do të na lejonte të ndërmerrnim detyrimin e reformave që shumica e popullit grek mund t’i përballonte dhe përkrahte, në mënyrë që të rikthejmë rritjen ekonomike dhe t’i japim fund paaftësisë sonë për t’i paguar detyrimet që kemi.

Ndokush mund të mendojë se tërheqja nga teoria e lojërave ka në thelb ndonjë axhendë të ekstremit të majtë. Nuk është kështu. Ndikimi më i madh këtu është Immanuel Kant, filozofi gjerman që na ka mësuar se racionalja dhe liria e shpëtojnë leverdinë e perandorisë duke bërë atë që është e drejtë.

Si ta dimë se axhenda jonë modeste politike, që përbën vijën tonë të kuqe, është e drejtë në terma kanteskë? Këtë e kuptojmë duke parë në sytë e të uriturve nëpër rrugët e qyteteve tona apo duke menduar për klasën e mesme të shpërbërë, apo duke marrë parasysh interesin e atyre që rropaten duke punuar në çdo fshat apo qytet europian brenda bashkimit tonë monetar. Tekefundit, Europa do të rifitojë shpirtin e saj pasi të rifitojë besimin e njerëzve duke i vendosur interesat e tyre në qendër të skenës./ The New York Times

*Janis Varufaqis është ministër i Financave i Greqisë.

SHKARKO APP