O njerëz, mos e shani Shqipërinë

 

Nga Prof. Pandi Zdruli*

Një vit më parë në këtë kohë shkrova një artikull me titull “Shqipëria po bëhet por të gjithë duhet të bëjnë pjesën e tyre”, i cili u botua në disa gazeta shqiptare. Një vit më vonë gjatë pushimeve në Shqipëri konstatoj se ka shume prej tyre që vazhdojnë të ankohen me vendin tonë, por nuk dinë ku ta gjejnë zgjidhjen. Dikush bëhet pishman pse u ktheva nga jashtë (këtu e mbi dhjetë vite me parë) se do të kisha qenë më mirë andej edhe pse në Tiranë ka dy shtëpi tepër moderne që jashtë në aq pak kohë nuk do ti kishte patur kurrë. Dikush tjetër ankohet se burokracia shtetërore është e tillë që të duhen ditë të tëra për një certifikatë lindje, gjë që nuk ishte aspak e vërtetë pasi unë timen e morra në pesë minuta. Për më tepër, shërbimi që mu ofrua në Komisariatin e Policisë tek “21 Dhjetori”, për një denoncim të humbjes së kartës së identitetit të sime bije ishte tepër profesional dhe i kulturuar. Po ashtu edhe procedura në zyrat e lagjes. Shumë nga ata që ankohen nuk kanë patur eksperiencë me burokracinë perëndimore, e cila nuk është e pakët, edhe pse nuk mund të mohohet që shumë aspekte janë tejet më të lehta andej matanë Adriatikut se sa në Shqipëri.

Në një natë të nxehtë Gushti bashkë me familjen ishim të ftuar në një dasëm në Pezë Helmës pranë Tiranës, në një lokal gjigant të cilit nuk po ja përmend emrin, për të mos bërë publicitet. Ishte një eveniment tepër aristokratik, ku askush prej pjesëmarrësve nuk kishte të bënte fare as me “aristokratët” e rinj, apo politikanët e sotëm. Përkundrazi ishin njerëz që kishin humbur edhe vendet e punës dhe përpiqeshin të gjenin vetveten brenda apo jashtë Shqipërisë. Por atmosfera ishte tepër festive dhe e këndshme, të cilën rrallë e gjen jashtë Shqipërisë, të paktën për ne që jemi rritur me ato këngë e valle dasmore, edhe pse nuk mungoi muzika moderne e kohës. Për më tepër kjo nuk ishte e vetmja dasëm në atë ndërtesë, pasi në katin e parë oshëtinte një tjetër martesë. Nuk dua të them se jeta në Shqipëri është dasëm çdo ditë, kjo nuk ndodh kurrkund, por ka edhe momente të tilla të bukura që kujtdo i japin gëzim, sidomos për ne që jetojmë jashtë.

Shumë ankohen për mungesën e vendeve të punës, por ndërsa shëtisnim nëpër rrugët e Tiranës, tim biri nëntëmbëdhjetëvjeçar i ra në sy që në shumë dyqane kishte njoftime “Kërkojmë shitëse”, apo në xhamet e kafeneve e restoranteve kishte njoftime për kamarierë. Shumë prej tyre që bëjnë këtë punë janë të rinj studentë në Tiranë që gjatë verës në vend që të pushojnë si gjithë të tjerët, punojnë të mbledhin ca lekë për sezonin e vjeshtës e të dimrit. Kjo ndodh në çdo vend të botës dhe nuk pse të mos ndodhte edhe në Shqipëri. Pa dyshim që këto vende pune mund të jenë si pika shiu në oqeanin e papunësisë, por ja vlen të përmenden gjithsesi.

Ajo që bie në sy më shumë ndërsa lëviz nëpër rrugët e Tiranës janë telat e pafund të telefonit apo elektrikut që varen mbi kokat e njerëzve sa që trembesh se mos bien mbi ty. Personalisht nuk kam më shpresë se ato do të futen një ditë nën tokë, apo do të vendosen ndryshe, pra me sa duket do të na duhet të rrojmë me to. Por ndërsa ky është një problem masiv i pallateve të vjetra, ato modernet i lënë mbrapa edhe komplekset më të mira të banimit perëndimor.

Mbasi je mbushur me ankesa e sharje pa fund që nga korrupsioni i politikanëve, qeveritarëve e zyrtarëve të shtetit e deri tek varfëria e “skajshme” apo aludimi se “ilaçet që shiten në farmacitë e Shqipërisë janë të gjitha të skaduara ose me datë të falsifikuar skadimi???”, kur ke nevojë shkon tek dentisti dhe mjekon dhëmbët për një fraksion të asaj që do të duhej të paguaje jashtë, apo pa pritur i hipën autobusit urban Kinostudio – Kombinat dhe vëren se ka ajër të kondicionuar (aha!), jo pak për këto ditë të nxehta Gushti. Por po të kesh nevojë për një rrugë më të gjatë, siç më qëlloi mua, mund të shkosh deri në Korçë për 5 mijë lekë të vjetra (pak më shumë se 3 Euro), po ashtu me një autobus me ajër të kondicionuar. Rrugës vura re me kënaqësi se rruga nga Filologjiku deri tek TEG-gu në Tiranë paska mbaruar për bukuri, po rruga deri tek tuneli i Krrabës për fat të keq vazhdon si më parë. Nga ana tjetër, rruga anash liqenit të Pogradecit gati po përfundon bashkë me trotuaret anësore dhe pistën e biçikletave. Është e vërtetë që shumë restorante simpatike si për shembull “Rrushi” nuk janë më, por në se ishin bërë në mënyrë abuzive herët apo vonë ky moment do të vinte, siç ndodhi shumë vite më parë në Tiranë me ndërtimet në parkun përballë Hotel Dajtit apo anash Lanës. Në fillim shumë ankohen, por pastaj harrojnë dhe ndoshta e kuptojnë se kështu do të ndodhte një ditë.

Si dardhar mu bë qejfi shumë të vëreja se rruga në hyrje të fshatit nga Hotel Dardha, deri afër kishës po bëhej në mënyrë të shkëlqyer me një kalldrëm që do ta kishin zili shumë zona turistike malore në Greqinë fqinje, apo kudo qoftë. Por është e vërtetë që më dhëmbi në shpirt të merrja vesh se pyjet rreth e rrotull ishin prerë dhe vazhdoheshin të priteshin në mënyrë shtazarake. Më thanë se pyje kanë mbetur vetëm ato që shikon nga brenda fshatit, pasi pak më tutje pak pemë i kanë shpëtuar motosharrës shkatërrimtare. Dardha dhe çdo zonë malore pa pyjet është e vdekur, ky është një mësim që shumë popuj e kanë provuar në kurrizin e tyre në shekuj dhe ne nuk duhet ta lejojmë në asnjë mënyre të ndodhë jo në Dardhë, por në asnjë cep të Shqipërisë.

Pastaj ata që ankohen më shumë me Shqipërinë, venë edhe me pushime që nga Saranda deri në Shëngjin, apo në Theth dhe shikojnë se na paska edhe disa gjëra të mira kjo Shqipëria jonë, që nga ushqimet e shijshme deri tek pastërtia e rrugëve të shëtitores së Pogradecit buzë liqenit, të cilën një miku im që kishte kaluar atje pushimet dhe sapo ishte kthyher në Tiranë ma lavdëroi pa masë. Në artikullin që shkrova një vit më parë kam thënë se në 10 vjet Pogradeci do t’ja kalojë Ohrit, edhe pse shume miq e shokë të mijë e kundërshtojnë këtë ide, prandaj le t’ja lë kohës ta vërtetojë nëse do të jetë e vërtetë. E them këtë edhe për faktin se një mikja jonë nga Bari, ndërsa bisedonim për Shqipërinë na tha se bashkë me një grup turistësh italianë kishin mbetur tepër të kënaqur me gatimin dhe shijen e koranit të Pogradecit. E thënë kjo nga barelët, që për gatimin e peshkut dhe të prodhimeve të detit janë të famshëm në të gjithë Italinë nuk është pak.

Nga shumë intelektualë e miq që takova morra vesh se po i studiojnë fëmijët jashtë shtetit. Është e kuptueshme, që për ta përballuar një kosto të tillë duhen goxha para, unë nuk e di si ja bëjnë me rrogat që marrin, por ama fëmijët e tyre po studiojnë me të ardhurat që vijnë nga Shqipëria dhe jo jashtë saj dhe kështu po marrin një edukim të klasit të parë, të njëjtë me atë të shumë të rinjve perëndimorë. Ajo që të vjen keq ama është se shumë prej këtyre prindërve ju thonë fëmijëve të tyre “mos u ktheni më këtu”.

Prandaj, o miq të mijë, të njohur e të panjohur, ju lutem mos e shani kaq shumë Shqipërinë se ajo ka zemër të madhe të hapur për të gjithë ne dhe në se ka plot gjëra që shkojnë akoma keq fajin nuk e ka Shqipëria por ata që marrin në duar drejtimin e saj.

*Bari, Itali

 

SHKARKO APP