O sa leht’ me ken’ patriot
“Askush në Beograd, në Athinë, në Shkup apo në Podgoricë, nuk ka ndonjë arsye të posaçme që të dojë shqiptarët tiranas, prishtinalinj, tetovarët, ulqinakët apo çamët. Por dhe kjo nuk ka rëndësi. Mes popujsh të ndryshëm, njëlloj si mes individësh nuk ka dashuri të përhershme. Ka interesa që kushtëzojnë bashkëjetesën!”…
Nga Lorenc Vangjeli
Profesioni më i lehtë në botë duhet të jetë ai i patriotit. Patriotin e duan në shtëpi, por e urrejnë fqinjët. E duartrokasin në pallat, por e përçmojnë në lagje. E adhuron qyteti, por e ka tmerr vendi. Eshtë shenjti i një vendi, por rajoni e quan djall. Ky është risku. Ky është kontrasti. Kjo është diferenca. Mjafton të flasësh në emër të urrejtjes ndaj të ndryshmit dhe e është pothuaj e garantuar dashuria e të ngjashmit. Nuk duhet bërë asgjë. Njëlloj si tifozi që zgjedh gjithmonë një skuadër fituese. Nëse Barcelona do të luante në superioren shqiptare të futbollit, mjaftonte të ishe tifoz me të dhe e kishe të garantuar lumturinë dy herë në javë mbas ndeshjeve. Kaq e thjeshtë është dhe të zgjedhësh profesionin e patriotit. Duke mallkuar shumë dhe duke rrezikuar fare pak. Ky është një profesion që varet nga këndvështrimi dhe nga zgjedhja vetjake. Varet nga sistemi i referimit. Çfarë është e bardhë për dikë, është e zezë për tjetrin. Çfarë është e mirë diku, është e keqe diku tjetër! Eshtë ndarja. Eshtë muri. Eshtë antiura. Jo mali për t’u ngjitur, por zbrazëtia për të rënë. Eshtë kontrasti, diferenca dhe risku.
Për shqiptarët e sotëm, nipa të heroit Gjergj Kastrioti, nipi i tij Hamza është një tradhëtar i urryer. Për otomanët e djeshëm, Hamzai ishte heroi që luftoi xhaxhain e tij, tradhëtarin e egër të perandorisë.
Në botën e dikurshme Isa Boletini që nuk hiqte armët në Londër, në takim me ministrin e jashtëm britanik ishte krenaria e paepur dhe miti krenar i shqiptarit patriot që nuk çarmatoset kurrë dhe në asnjë rrethanë. As nga turku me çallmë të mëndafshtë e jatagan të harkuar dhe as nga inglizi me frak në trup, cilindër në kokë, papion në qafë dhe qindra vjet perandori. Në botën e sotme, diplomacia nuk është më thjesht arti i armës pararojë para se t’u vijë rradha armëve të vërteta.
Pistoleta e fshehur në jelek, në kancelaritë e sotme ku bëhet politikë e diplomaci, është një e qeshur e pavend në funeral. Dje një gjerman që kalonte kufirin francez, me gjasë i hipur në tank, quhej pushtues dhe luftohej. Sot është turist dhe në këmbim të eurove lejohet të vijë rrotull plazheve të mrekullueshëm franceze.
Nipi i të njëjtit gjerman që dje quhej nazist gjakatar, sot në Shqipëri do të quhej investitor i dashur i të ardhmes, do t’i hapej çdo derë nga politika, edhe pse shkallë pas shkalle, hilacakë të vegjël, kapitalistë materialistë administrate dhe politike, do t’i nxijnë jetën poshtë e përpjetë me shpresë për t’i futur nga pak dorën në xhep. Dje sovjetikët ishin vëllezërit ideologjikë, sot, për shqiptarin e mesëm, rusët janë sllavët që duan të depërtojnë në rajon me idenë e pansllavizmit.
Amerikanët e djeshëm imperialistë janë sot lumturisht aleati strategjik, zgjidhja dhe zgjedhja, janë garancia e siguria, edhe arbitri, edhe lojtari i dorës së parë deri në qelizën e fundit të shoqërisë shqiptare, janë edhe ana Perëndimore e Atlantikut, edhe bregu evropian i tij.
Pak histori shqiptare që sa më shumë ndryshon, aq më shumë është e njëjta gjë. Të paktën në retorikë. Diku nga fillimi i viteve 90’, në vitin 1993, Aleanca Demokratike, një parti zëmadhe e kohës, guxoi të dërgonte një delegacion në Beograd për të takuar opozitën e Milosheviçit. Ishte një lëvizje për të dëshmuar forcën e një partie intelektuale, që duke qenë faktor në rajon, do të ishte pashmangshmërisht e tillë edhe në Shqipëri. Por pikërisht në Shqipëri u sulmua si tradhëtare, pro serbe dhe e shitur për më pak se tre aspra tek armiqtë shekullorë.
Diku nga fundi i viteve 90’, Fatos Nano, ish-kryeministër, u takua në Kretën greke me Milosheviçin serb. Me papion të zi në qafë dhe këmishë me butona në mëngë (si kamarier, thanë disa), Nano u konsiderua si tradhëtar në Kosovë. Edhe pse si kryeministër ai kishte bërë gjithçka kishte mundur për të ndihmuar në krizën e tmerrshme të Kosovës, ndërsa paraardhësi i tij, i cili kishte lejuar përrenj me naftë për serbët nën embargo, quhej po nga të njëjtët njerëz si hero i tyre.
Pse ndodh kështu? Kjo është ndoshta e pamundur të shpjegohet nëse nuk konsiderohet fjala e thënë më e rëndësishme se vepra. Retorika më e rëndësishme se rezultati. Deliri më i madh se madhështia.
Dy krerët e maxhorancës së sotme, për arsye shumë të ndryshme, janë pothuaj nën të njëjtën akuzë. Rama në Beograd ka marë mërinë e Prishtinës, kurse Meta i kthyer nga Athina ka ngjallur zemëratë në nujë pjesë të Tiranës politike. Duke krijuar kontrast të fortë dhe duke ndryshuar pamje sipas këndvështrimit. Për Enver Hoxhajn e Visar Ymerin, Rama nga Shqipëria nuk mund të jetë zëri i Kosovës në Beograd. Për Shpëtim Idrizin dhe PDIU-në, Meta në Athinë nuk ishte i mjaftueshëm në ngritjen e çështjes çame si në Tiranë dhe si në të shkuarën e tij. Por edhe njëri si kryeministër, edhe tjetri si kryetar parlamenti, nga pikpamja e Brukselit, janë dy evropianistë që dinë diçka jashtëzakonisht të rëndësishme: asgjë nuk mund të zgjidhet në mënyrë unilaterale. Asgjë e mirë nuk vjen nga lufta. Paqja mund të ruhet me armë, me diplomaci apo me retorikë, por me retorikë të armatosur, edhe paqja zhytet konflikt.
Në Tiranë e në Prishtinë duhet të mendohen më gjatë kur flitet për tradhëtarë dhe heronj dhe kur theksohen përemrat fatale “Ne & Ju”. Në Tiranë, nëse Shpëtim Idrizi dhe PDIU-ja do të mungonte, ai duhej të shpikej. Në profesionin e politikanit patriot. Në Tiranë, në Prishtinë dhe kudo gjetkë, shqiptarët duhet të kuptojnë pikërisht lojën e fortë të kontrasteve, të dialogut, të orientimit të detyruar si rrugë të vetme të të gjithë politikës shqiptare, pavarësisht avazeve orientale të sherreve të brendshme, në një drejtim të vetëm: legjitimimin e plotë si një partnere të rëndësishme të Evropës Perëndimore, në përpjekje për stabilitet në rajon, aty ku nacionalizmi ka pasur shtëpinë e vet.
Askush në Beograd, në Athinë, në Shkup apo në Podgoricë, nuk ka ndonjë arsye të posaçme që të dojë shqiptarët tiranas, prishtinalinj, tetovarët, ulqinakët apo çamët. Por dhe kjo nuk ka rëndësi. Mes popujsh të ndryshëm, njëlloj si mes individësh nuk ka dashuri të përhershme. Ka interesa që kushtëzojnë bashkëjetesën! Ndërtimi i tyre, konstruksioni i asaj që bashkon para asaj që ndan, është profesioni më i vështirë i mundshëm në një botë që bëhet përherë e më e ndërlikuar, por që thjesht preferon të dëgjojë më shumë për vithet e Kim Kardashianit sesa për shkelmin e munguar vitheve të koreanit Kim Jong-un. (Javanews.al)