Obsesioni i rrezikshëm amerikan me arsimimin
Aftësitë teknike janë vetëm një prej përbërësve që nevojiten për risi dhe sukses ekonomik. Duhen avantazhe të tjera si kreativitet, mendim kritik dhe këndvështrim optimist
Nga Fareed Zakaria*
Nëse amerikanët janë të bashkuar rreth ndonjë bindjeje kohët e fundit, ajo është nevoja urgjente për të zhvendosur arsimin e të rinjve të vendit drejt aftësive të veçanta teknike. Çdo muaj, mësojmë për rezultatet e dobëta të fëmijëve tanë në matematikë dhe shkencë- dhe për iniciativa të reja nga kompanitë, universitetet ose fondacionet, në drejtim të zgjerimit të kurseve të SHTIM (shkencë, teknologji, inxhinieri, matematikë) dhe për të zbehur shkencat humane. Nga Presidenti Obama e poshtë, zyrtarët publikë kanë paralajmëruar kundër shtimit të degëve si histori arti, të cilat shihen si shpenzime luksi në botën e sotme. Republikanët duan të shkojnë disa hapa më tej duke i hequr fare këto degë studimi. “A ka më ndonjë interes real, të domosdoshëm, jetësor, që të ketë më shumë antropologë?” pyet guvernatori i Floridas Rick Scott. “Unë nuk mendoj kështu.” Kauza e fundit bipartizane në Amerikë është kjo: Një arsim liberal është irrelevant dhe trajnimi teknik është rruga e re përpara. Na thonë se kjo është rruga e vetme që të sigurojmë se amerikanët do të mbijetojnë në një epokë të përcaktuar nga teknologjia dhe të formësuar nga konkurrenca globale. Aksionet nuk mund të jenë më të larta.
Ky varfërim i të mësuarit me bazë të gjerë, sidoqoftë, vjen thelbësisht nga një lexim i keq i fakteve dhe e vendos Amerikën në një shteg të ngushtë e të rrezikshëm për të ardhmen. Shtetet e Bashkuara kanë udhëhequr botën në dinamizmin ekonomik, inovacion dhe sipërmarrje falë saktësisht kësaj lloj mësimdhënieje, të cilën tani na thonë ta zëvendësojmë. Një edukim i mirë i përgjithshëm ndikon në thellimin e mendimit kritik dhe kreativitetit. Ekspozimi ndaj një variacioni fushash dijeje prodhon sinergji. Është e vërtetë që shkenca dhe teknologjia janë përbërës kyçë të këtij edukimi, por gjithashtu të tillë janë edhe gjuha angleze dhe filozofia. Kur përuroi modelin e ri të Ipad-it, Steve Jobs-i shpjegoi që “në ADN-në e Apple-s, tekonlogjia, e vetme nuk është e mjaftueshme-është teknologjia e lidhur me artet liberale dhe humanitetet që jep rezultatet që na e çojnë zemrën peshë.”
Risia në teknologji nuk është thjesht një çështje teknike, por përkundrazi një çështje e të kuptuarit se si njerëzit dhe shoqëritë funksionjnë, çfarë pëlqejnë dhe për çfarë kanë nevojë. Amerika nuk do ta dominojë shekullin e 21-të duke prodhuar qarqe kompjuterike më të lira, por në vend të kësaj, duke rikonceptuar mënyrën si kompiuterat dhe teknologjite e tjera ndërveprojnë me qenien njerëzore.
Për shumicën e historisë së tyre, Shtetet e Bashkuara kanë qenë unike në ofrimin e arsimit të harmonizuar. Në studimin e tyre gjithëpërfshirës, “Gara mes edukimit dhe teknologjisë”, Claudia Godlin dhe Laërence Katz nga Harward-i, nxjerrin në pah se në shekullin e 19-të, vende si Britania, Franca dhe Gjermania arsimuan vetëm një pakicë dhe i kaluan ata përmes programeve të ngushta të arsimit të dizenjuara për të kujtuar vetëm aftësitë themelore të profesioneve të tyre. Amerika, në dallim nga këto vende, siguroi një arsimim të përgjithshëm e në masë sepse njerëzit nuk ishin të vendosur në vende të veçantë me degë të përcaktuara dhe që ofronin të vetmet mundësi për të rinjtë e sapodalë nga shkollat. Ekonomia amerikane historikisht ndryshoi kaq shpejt saqë natyra e punës dhe kushtet për të patur sukses patën prirje për të ndryshuar nga një brez në tjetrin. Njerëzit nuk donin të bllokonin veten e tyre vetëm në një profesion ose të mësonin vetëm një mjeshtëri gjatë gjithë jetës.
Kjo ishte e përshtatshme në një tjetër epokë, argumendtojnë teknologët, por është e rrezikshme në botën e sotme.
Le të krahasojmë fëmijët amerikanë me bashkëmoshatarët e tyre jashtë SHBA-ve. Testi i fundit ndërkombëtar, zhvilluar në 2012, tregoi se mes 34 anëtarëve të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), Shtetet e Bashkuara renditeshin në vendin e 27-të në matematikë, në vendin e 20-të në shkencë dhe në vendin e 17-të në lexim. Nëse këto rezultate mesatarizohen, SHBA-të, vijnë në vendin e 21 bashkë me vende të tjera si Republika Çeke, Polonia, Estonia.
E vërteta është se Shtetet e Bashkuara nuk kanë dalë asnjëherë mirë në teste ndërkombëtare dhe nuk janë parashikues të mirë të suksesit tonë kombëtar. Që prej vitit 1964 kur një test i tillë (nga OECD) iu bë 13 vjeçarëve nga 12 vende, Amerika ka mbetur prapa vendeve të tjera, duke u ngritur rrallë mbi mesin e renditjes dhe veçanërisht dobët në shkenca dhe në matematikë.
E çuditshme, ende pas këtyre pesë dekadave, i njëjti vend i ngelur prapa të tjerëve nëpër testet e matematikës, ka dominuar botën e shkencës, teknologjisë, kërkimeve dhe inovacionit.
Shohim të njëjtën situatë në dy vende të tjera të teknologjisë së lartë, Suedia dhe Izraeli. Izraeli renditet i pari në botë në investimet e sipërmarrjeve kapitale si përqindje e PBB; Shtetet e Bashkuara renditen të dytat, Suedia është e gjashta së bashku me Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë. Këto vende janë në rrugën e duhur me shumicën e mjeteve të inovacionit, si për shembull me kërkimet, shpenzimet e zhvillimit dhe me numrin e kompanive të teknologjisë së lartë si përqindje e të gjitha kompanive publike. E megjithatë këto tre vende dalin çuditërisht jo mirë në testet e OECD. Suedia dhe Izraeli performuan edhe më dobët madje se SHBA-të, në vlerësimin e 2012 , duke u renditur në vendet e 28-të dhe 29-të respektivisht, mes 34 ekonomive më të zhvilluara.
Por, po të harrojmë për pak, “faqezinjtë” nëpër teste, ekonomitë e këtyre vendeve kanë disa tipare të përbashkëta: Ato janë fleksibël. Kulturat e tyre të punës nuk janë hierarkike dhe janë të bazuara në meritë. Ata operojnë si vende të reja, me energji dhe dinamizëm. Të treja janë shoqëri të hapura ndaj ideve që vijnë anekënd botës, të mirave të ndryshme dhe shërbimve. Njerëzit në këto tre vende kanë një cilësi që mund të matet: vetëbesimin. Pavarësisht të renditurit në vendet e 27-të apo 30-të në matematikë, respektivisht, studentët amerikanë dhe izraelitë u renditën të parët përsa i përket besimit të tyre në aftësitë e tyre matematike. Suedia u rendit e shtata, edhe pse në matematikë, në test, u rendit në vendin e 28-të.
Tridhjetë vjetë më parë, William Bennett, Sekretari i Arsimit i administratës së presidentit Regan, vërejti dallimin mes arritjeve dhe besimit në vetvete dhe shkroi: “Ky vend është shumë herë më i aftë të të mësojë vetëbesimin sesa matematikën.” Fjalia e mësipërme sigurisht që përmban doza ironie dhe sarkazme, por në të vërtetë ka diçka të fuqishme në vetëbesimin e krisur të studentëve amerikanë, izraelitë dhe suedezë. Kjo u mundëson atyre të sfidojnë më të mëdhenjtë, të fillojnë vetë një kompani, të këmbëngulin kur të tjerët mendojnë se e kanë gabim dhe t’i japin kurajo vetes në rastet e dështimeve. Një vetëbesim i tepruar rrit rrezikun e vetëshkatërrimit, por ky tipar është përbërësi thelbësor për sipërmarrjen.
Nuk dua të them aspak se është gje e mirë që studentët amerikanë dalin keq nëpër teste. Vendet e Azisë Lindore si Korea dhe Japonia kanë përfituar pafundësisht nga forcat e kualifikuara të punës. Por aftësitë teknike janë vetëm një prej përbërësve që nevojiten për risi dhe sukses ekonomik. Amerika e kapërcen disavantazhin e saj, një forcë punëtore më pak e trajnuar teknikisht, me avantazhe të tjera si kreativitet, mendim kritik dhe këndveshtrim optimist. Një vend si Japonia, për të nxjerrë në pah diferencën, nuk mund të bëjë shumë me forcën e vetë të trajnuar punëtore sepse i mungojnë përbërësit e tjerë që sjellin risinë.
Amerikanët duhet të tregohen të kujdesshëm përpara se të imitojnë sistemin aziatik të edukimit, i cili është i fokusuar tek memorizimi dhe testimi i memories. Unë e kam provuar atë sistem. Ka pikat e veta të forta sigurisht, por në thelb nuk nxit të menduarit, zgjidhjen e problemeve dhe kreativitetin. Kjo është arsyeja pse shumica e vendeve aziatike nga Singapori, Koreja e Jugut, deri në Indi, po përpiqen të shtojnë lëndë dhe degë të edukimit liberal në sistemet e tyre. Jack Ma, themeluesi i qendrës tregtare online kineze Alibaba, së fundmi hodhi një hipotezë në një fjalim, duke thënë se kinezët nuk janë aq inovativë sa perëndimorët sepse sistemi arsimor kinez, i cili mëson bazat shumë mirë, më vonë nuk e ushqen plotësisht inteligjencën e studentit, duke mos e lejuar atë, pra inteligjencën, të lëvizë lirisht, të eksperimentojë, dhë të shijojë të nxënit: “Shumë piktorë mësojnë duke u argëtuar, shumë vepra (të artit dhe letërsisë) janë produkte të të argëtuarit. Kështu që sipërmarrësit tanë kanë nevojë të mësojnë si të argëtohen.“
Pavarësisht sa të forta janë aftësistë e tua matematike apo shkencore, ti ende duhet të dish si të mësosh, të mendosh dhe shkruash. Jeff Bezos, themeluesi i Amazon (dhe pronari i The Washington Post) insiston që drejtuesit e lartë të kompanisë të shkruajnë memorandume, shpesh të gjata 6 faqe të printuara dhe i fillon takimet me menaxherët me një periudhë qetësie, pa folur, e cila ndonjëherë zgjat 30 minuta, e gjatë së cilës, gjithsecili lexon me vete “rrëfimet“ dhe bën shënime mbi to. Në një takim me Adam Laashinsky të Fortune-s, Bezos tha: “Fjalitë e plota janë të vështira për t’u shkruar. Ato kanë folje. Paragrafet kanë fjali temë. Nuk ka asnjë mundësi që të shkruash një memo të strukturuar, prej 6 faqesh, e të mos i kesh gjërat e qarta”.
Kompanitë shpesh preferojnë baza të forta të ekspertizës së ngushtë. Andrew Benett, një këshillues menaxhimi, anketoi 100 lidera biznesesh dhe gjeti që 84 prej tyre ishin gati të punësonin njerëz të zgjuar dhe të apasionuar për punën edhe nëse nuk i kishin saktësisht mjeshtëritë e duhura që donte kompania.
Risia në biznes është zhvilluar gjithmonë përtej, thjesht teknologjisë. Le të marrim shembullin e Facebook-ut. Mark Zuckemberg-u ishte një student i arteve liberale klasike i cili, gjithashtu ishte i apasionuar pas kompjuterave. Ai studioi intensivisht greqishten antike në gjimnaz, dhe iu fut psikologjisë në universitet. Jo rastësisht, risitë e Facebook-ut kanë të bëjnë shumë me psikologjinë. Zuckemberg-u ka thënë shpesh se përpara se të krijohej Facebook-u, njerëzit kishin prirje ta fshihnin identitetin e tyre në Internet. Interneti ishte bota e anonimitetit. Ndërkohë ardhja e Facebook-ut krijoi kulturën e identiteteve reale, ku njerëzit mund të zgjidhnin me vullnet të lirë të ekspozonin veten tek miqtë e tyre, e shumë shpejt kjo do të kthehej në një platformë transformuese për shoqërinë. Sigurisht që Zuckemberg-u i njeh kompjuterat thellësisht dhe përdor gjuhë të shumta programimi për të vënë idetë e tij në praktikë, por krijesa e tij, Facebook-u, “është sa teknologjike, aq edhe sociologjie dhe psikologji gjithashtu.“
Njëzet vite më parë, kompanitë e teknologjisë mund të kenë mbijetuar vetë si prodhues produktesh. Tashmë ato duhet të jenë një hap me kohën paralelisht edhe në marketing, dizajn dhe rrjete sociale. Ti mund ta prodhosh një atlete marke, njësoj mirë në shumë vende të botës, por ti nuk mund ta shesësh atë për 300 USD, deri sa të ndërtosh një histori për atë. Kjo është e vërtetë njësoj edhe për makinat, rrobat dhe kafenë. Vlera e shtuar është tek marka, si marketohet, si prezantohet, shitet dhe mbështetet. Le të mendojmë për industrinë gjigande amerikane të argëtimit, të ndërtuar rreth historive, këngëve, vizatimeve dhe kreativitetit. E gjitha kjo kërkon aftësi shumë më tepër se thjesht aftësi shkencore, matematike dhe teknike.
Mendimi kritik është, në fund të fundit, mënyra e vetme për të mbrojtur punët amerikane. David Autor, ekonomisti i Institutit të Teknologjisë së Massachusetts, ka studiuar me shumë vigjilencë impaktin e teknologjisë dhe globalizimit në punë dhe shkruan se “detyrat njerëzore më të përshtatshme për kompiuterin, janë ato që ndjekin procedura eksplicite dhe te kodifikuara, si shumëzimi, në të cilat tashmë kompjuteri në masë të madhe tejkalon punën njerëzore në shpejtësi, cilësi, siguri dhe efiçencë. Detyrat që janë provuara si më të vështira për t’u automatizuar janë ato që kërkojnë fleksibilitet, gjykim, aftësi që ne i kuptojmë vetëm në mënyrë të heshtur,për shembull, të zhvilluarit e një hipoteze. Në vitin 2013, dy studiues nga Oksfordi, ndërmorrën një studim të plotë mbi punësimin dhe gjetën se, në mënyrë që punëtorët të parandalonin kompjuterizimin e punës së tyre, “ata duhet të përfitonin aftësi kreative dhe sociale.”
Sa më sipër, nuk e zbeh aspak nevojën e trajnimit në teknologji, por sugjeron që ndërkohë që punojmë me makineri dhe kompjutera (gjë e cila është e ardhmja e punës), mjeshtëritë më të çmuara duhet të jenë ato që janë unike dhe specifike njerëzore, aftësi të cilat, kompjuterat nuk mund t’i kenë ende. Për këto punë, dhe për këtë jetë, ti nuk mund të besh gjë më të mirë se të ndjekësh pasionin tënd duke u angazhuar në një edukim dhe arsimim personal të gjerë si në shkenca ashtu edhe në humanitete, dhe ndoshta mbi të gjitha të studiosh gjendjen e qenies njerëzore.
Arsyeja finale e vlerës së paçmueshme të edukimit liberal gjendet në fillesat e tij. Për shumicën e historisë njerëzore, gjithë edukimi ishte i bazuar tek aftësitë teknike. Gjuetarët, fermerët dhe luftëtarët i mësonin pasardhësit e tyre të gjuanin, të punonin tokën dhe të luftonin.
Por 2500 vite më parë, kjo gjë ndryshoi në Greqinë e Lashtë. Filloi të eksperimentohej forma e re e qeverisjes: demokracia. Kjo risi në qeverisje, kërkonte risi në edukim dhe në koncepte. Aftësitë bazë për të kultivuar ushqim dhe për të ndërtuar vegla nuk ishin më të mjaftueshme. Qytetarët u vunë përballë sfidës për të menaxhur trupin shoqëror dhe për të praktikuar vetëqeverisjen. Ata ende vazhdojnë ta bëjnë.
*Fareed Zakaria, opinionist i Washington Post, gjithashtu është organizator i “Fareed Zakaria GPS” në CNN dhe autor i librit “Në mbrojtje të edukimit liberal”.
Përkthyer nga Egon Loli