Ok Skënderbeu! Por populli do të hajë dhe foshnjat duan të jetojnë…

Nga Artur Zheji

Takimi Rama dhe Haradinaj, ashtu si edhe takimet e dikurshme me Thaçin, janë në vetvete takime të dobishme kryeministrash të Tiranës dhe Prishtinës dhe të bukura nga pikëpamja gjeopolitike. Edhe përkujdesja për Skënderbeun dhe unifikimin e ambasadave, të të dy Republikave shqiptaro-shqiptare, është për gjykimin dhe shijen time, një akt politik kuptimplotë dhe e forcon peshën e shqiptarëve.

Mirëpo kemi njw kontrast që s’mund të fshihet, nga statuja dhe nga emri i lartë i Gjergj Kastriotit. Një foshnje vdiq 48 orët e fundit në QSUT, në rrethana të panjohura, ndërsa akuzat e familjarëve u mbytën shpejt, në shkretëtirën që krijojnë mediat e shitura anembanë vendit.

Në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës, varfëria dhe mungesa e shpresës për të jetuar të përditshmen, është uluritëse dhe e pangushëllueshme edhe nga vetë Skënderbeu, legjenda dhe hija e tij e lartë historike. Sepse janë dhjetëra e mijëra shqiptarët, në Kosovë dhe në Shqipëri, që largohen të përlotur nga toka e tyre, që braktisin në një varfëri therrëse familjet e tyre, në emër të një jete më të jetueshme.

Drejt atyre vendeve, që në vend të Skënderbeut, kanë në qendër të qyteteve të tyre, statuja kalorësish dhe mbretërish të tjerë mesjetarë. Por ndryshe nga Atdheu i Gjergj Kastriotit, në vendet e pasura më Statuja të tjera në qendër të qyteteve të tyre, ku shtegtojnë përditë dhe me turma shqiptarët, ka punë, ka një siguri për jetën dhe foshnjat nuk vdesin spitaleve për arsye të panjohura.Gjergj Kastrioti Skënderbeu, është një kujtim përbashkues dhe ka qenë për shekuj një pishtar udhëheqës në errësirën e kohrave të zymta të Kombit Shqiptar.

Po sot?

Do ta përdorim madhështinë e tij historike, si një gjethe fiku dhe si një alibi, për të fshehur tragjedinë ekonomike, zymtësinë e të përditshmes, emigracionin masiv, korrupsionin qelizor dhe dështimet e njëpasnjëshme të keq qeverisjes?

Do ta ngremë dinjitetin kombëtar duke ju drejtuar Historisë dhe duke u shëndrruar njëkohësisht në një Komb lypsarësh në dyert e qyteteve dhe shteteve të huaja, për pak punë, për një copë bukë dhe ndonjë kokërr leku, si një vend që eksporton më së shumti, skllevër, drogë dhe vagina në çdo cep të botës? Mirëpo gjëndja bëhet krejt e pashpresë, kur varfëria vret shumicën dhe pasuria deh dhe çmend dhe çthurr, një pakicë arrogante pasanikësh, që pasurohen nga pushteti dhe përmes liçensave të tija, që ndajnë para me ministrat dhe kupolat dhe pastaj, veshur me kostumet më të mira dhe më të shtrenjta, shkojnë të ngazëllyer në qokën kryeministrore, shpallur enkas për heroin tonë Kombëtar…

Jemi pra në paradhomën e nacionalizmit të maskarallëkut të qëllimshëm, apo duhet të bëjmë sikur nuk shohim, nuk kuptojmë dhe nuk mendojmë?/360grade.al/

SHKARKO APP