“Okazionin” e dytë që po e humbim me Italinë
Nga Alban Daci, Itali
Marrëdhënie me Italianë në planin ekonomik kanë qenë më të rëndësishme se me vendet e tjera të Rajonit. Realisht Italia është i vetmi vend që ka edhe diplomaci politike, por më shumë ka bërë dipomaci ekonomike dhe humanitare në Shqipëri. Eshte vendi që na është gjetur pranë në momentet më të vështira dhe na ka qëndruar pranë pa na kërkuar asgjë në këmbim. Italia është i vetmi fqinjë që nuk ka pretendime territoriale aktuale me Shqipërinë dhe po ashtu e ka të mbyllur çështjen e kufijve detar duke respektuar plotësisht dhe pa asnjë rezervë sovranitetin e Shqipërisë.
Fqinjët tanë të tjerë si Greqia, Serbia, Mali Zi dhe po ashtu edhe Maqedonia që ne njohim, kanë pretendime territoriale ose njerëzore mbi ne. Greqia ka pretendime të hapura mbi detin, por ndoshta të fshehura edhe mbi territorin Shqiptar. Turqia nuk është fqinjë me ne, por me pretendimet e saj prej Perandorisë Osmani na trajton thuajse si vasal jo si partner apo “fqinjë”.
Italia është vendi që ka financuar më shumë se çdo vend tjetër në formimin arsimor të mijëra të rijave dhe të rejave shqiptare e ndoshta me kosto edhe më të ulët se ata që janë arsimuar në Shqipëri, por me dallimin e madh, sepse kanë marrë një formim të lartë të standardeve më të mira europiane. Duhet të kemi parasysh se avokat, inxhinier, mjekë, fizioterapist, biolog, ekonomist, mjek shqiptar kanë dal nga universitet italiane, shumë prej tyre janë kthyer në Shqipëri, por shumë kanë vendosur të jetojnë në Itali ose në vendet e tjera të Europës.
Shqipëria në fillim të viteve ’90 ishte e izoluar, varfër e etur për liri dhe sigurisht ëndrra më e madhe ishte Italia. Kjo u bë realitet me eksodet e famshme me anijen “Vlora”e vazhduan pa ndërprerje deri në ditët e sotme. Sot, kemi 30 vjetorin e këtij eksodi, të rinjtë e ardhur me “Vlorën”, të mbushur plotë ëndrra, disa prej tyre janë gjyshër tashmë e të realizuar në Itali e disa të tjerë janë rikthyer përsëri në Atdhe duke sjellë inovacion, investime dhe duke kontribuar në modernizimin e Shqipërisë. Sot, në Itali janë më shumë se 600 mijë shqiptarë. Italia është vendi që ju ka dhënë numrin më të madh të shtetësive duke i bërë të ndjehen plotësisht italian me të drejta të barbarta.
Kemi Greqinë që nuk e ka bërë një gjë të tillë, ku shumë prej tyre edhe pse kanë vite në emigracion nuk kanë ndoshta as leje qëndrimi e jo të mendohet për shtetësi. Italia nuk i ka trajtuar me përbuzje shqiptarët, nuk i ka rrahur në pika kufitare, nuk u ka grisur pasaportat e shtetasve shqiptarë e nuk i ka lënë në radhë me klm të gjata në pika kufitare në ditë të fohta ose me temperatura përvëluese.
Italia me misioni “pelikani” solli ndihma humanitare e në ’97 erdhi Kryeministri Prodi për të na dhënë mbështetje pa dashur të fus tanke apo ushtrinë për të cenuar sovranitetin e lënduar të Shqipërisë. Italia ka investuar në sektor të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare pa kërkuar favore apo përvetësim të pasurive kombëtare. Ky 30 vjetor i eksodit duhet ta gjente Shqipërinë në një pozicion mjaft më të vaforshëm me Italinë, por e vërteta nuk është kështu. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë pas 2013 e deri më sot nuk kanë asnje progres, madje mund të themi se ka një regres të dukshëm e kjo duket që nga sjellja e autoriteteve italiane në dogana e deri tek levizja e lirë apo kushtet e vendosura si pasojë e pandemisë. Kushdo që udhëton mes Italisë dhe Shqipërisë i vëren këto gjëra. Kjo sigurisht nuk ka ndodhur për faj të Italisë, por për faktin se Qeveria shqiptare ka zgjedhur si partner kryesor Turqinë dhe jo Italinë.
Pas 2013 e deri me sot në asnjë sektor të rëndësishëm. Nuk mund të kesh “baba” Erdogan dhe “xhan” Italinë. Prindër thonë është ai që të rrit dhe jo ai që të bën. Prandaj, s’mund t’i kerkosh Italisë ndihmë për të hyrë në Europë, por investimet strategjike t’i marrin të gjitha firmat turke apo interesat turke.
Italia ka nje bank Intesa në Shqipëri dhe asgjë tjetër në Shqipëri. Sfidoj këdo të më thotë emrin e një impreze italiane që po nderton një vepër të madhe të një rëndësie strategjike në sektorin e infrastrukturës shqiptare. Nuk ka asnjë impreze turke, greke apo serbe që mund të bëj hidrocentrale, rrugë, ura, porte më cilësore se ato italiane. Nuk mund të ketë një kompani ballkanike ose turke që mund të jetë më e mirë edhe për mjete ushtarake apo për sektor të teknologjisë ushtarake sesa ato italiane.
Për të kuptuar ftohjen e marrëdhënieve me Italinë mjafton të shikojmë se ndihma e Italisë për fikjen e zjarreve në Shqipëri është zero. Nëse Turqia është “baba” dhe na kanë xhan pse nuk sollën apo sjellin aeroplan për të shuajtur zjarret? Okazionin e parë me Italinë e humbëm me nisjen e Luftës të Dytë dhe largimin e mbretërisë, por po kam frikë se po e humbim edhe okazionin e dytë të nisur me fillimin e viteve ’90 që simbol kanë ekzodin. Këtë të dytën nuk duhet ta humbim më. Fajin e ka për këtë situatë edhe Italia që nuk ka mbështetur të rinjtë e të rejat shqiptarë të shkolluar në universitet italiane që sot janë pa punë në Shqipëri ose janë të “detyruar” të mësojnë turqisht e të punojnë për kompanitë turke.