Oligarkët rusë që zotërojnë markat më të famshme të Perëndimit

Mike Bird dhe Stefano Pozzebon

Pabarazia në të ardhurat e rusëve shkon tej çdo lloj imagjinate. Vetëm 100 miliarderë kanë në duar një të tretën e pasurisë së vendit. Shkaku është kryesisht dekada kaotike e viteve nëntëdhjetë. Burra sipërmarrës dhe të pamëshirshëm (ata janë praktikisht të gjithë burra) morën në dorë thela të mëdha nga industritë e privatizuara me shpejtësi të ish Bashkimit Sovjetik, ose fituan miliona duke futur në vend mallra të shumë kërkuara eksporti nga perëndimi.


Kohët e fundit, ata nuk i kanë kufizuar interesat e tyre vetëm brenda Rusisë. Në 15 vitet e shkuara, një grusht oligarkësh kanë “përpirë” edhe kompani me famë në perëndim.
Disa prej këtyre oligarkëve nuk e quajnë më Rusinë si shtëpinë e tyre: Ata janë zhvendosur në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA, ose vende të tjera post komuniste. Por ato kanë shtënë në duar edhe interesa të mëdha në Europë dhe Amerikën e Veriut, duke kontrolluar organizata të tilla si klube futbolli, apo grupe të mëdhenj industrialë.

Alisher Usmanov

“Aesenal”

Holding-u i Usmanovit, Red & White, zotëron rreth 30 % të aksioneve të Arsenalit. Ai i ndan ato me Farhad Moshiri-n, një tjetër manjat çeliku. Fillimisht këto aksione ishin 14.65%, dhe ato kanë ardhur duke u rritur dalëngadalë. Në të kaluarën, manjati rus është shprehur se do të dëshironte t’i shtonte kuotat e tij. Për momentin, miliarderi Stan Kroenke është aksioneri më i madh.

– Alexander dhe Evgeny Lebedev
“Evening Standard” / “Independent”
34-vjeçari Evgeny Lebedev dhe babai i tij Alexander Lebedev, janë ortakë të gazetave britanike me një tirazh, të marra së bashku, prej më shumë se një milion kopje në ditë: The Independent dhe Evening Standard, që ofrohet falas, përbëjnë një perandori mediatike në Britani. Oligarkët rusë kanë bërë një punë të madhe për zgjerimin e influencës së tyre në vendin e origjinës (Alexander Lebedev është pronar i pjesshëm i Gazetës Ruse “Liberale Novaya”), por perandori të huaja të shtypit janë më të rralla. Lebedev e ndërtoi pasurinë e tij në sistemin bankar, duke lundruar nëpër stuhinë Ruse të viteve 1990.

Oleg Deripaska
“Strabag SE”
Oleg Deripaska është shefi i RUSAL, kompania më e madhe botërore e aluminit dhe është i lidhur ngushtësisht me politikën Ruse. Ai ka bërë investime të mëdha në ndërtimin e Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 2014 që u zhvilluan në Sochi.
Deripaska tani ka një pakicë bllokuese aksionesh në “Strabag”: Nuk është një nga kompanitë më rrëzëllitëse në listë, por është gjithësesi e madhe. Është një nga kompanitë më të mëdha të ndërtimit në Europë, me të ardhura mbi 10 miliardë Euro, dhe më shumë se 70,000 të punësuar.

Yuri Milner
“Facebook”, “Twitter”
Pasuria e Milner-it arriti majat në mesin e viteve 1990, si drejtor ekzekutiv i një kompanie ndërmjetëse investimesh në zotërim të Mikhail Khodorkovskyt, i cili u bë i famshëm kur doli nga rrethi i të preferuarve të Vladimir Putinit dhe kaloi plot tetë vite në burg. Ai ka bërë disa baste tejet të guximshëm për kompanitë Amerikane të mediave sociale. Milner bleu aksione në Facebook pas në 2009-ës, dhe mbajti 5.5 % të kompanisë me Initial Public Offering (fillimin e kuotimit në Bursë), duke e kthyer një investim 200 milion dollarësh, në më shumë se 1 miliardë dollarë brenda vetëm pak vitesh.
Në të njëjtën mënyrë, ditën kur Twitter doli në bursë investimi i Milner-it në Twitter, rreth 400 milionë $ në 2011, në momentin e kuotimit arriti në 8 miliardë dollarë. Në këtë moment, kompania e ka vlerën 26 miliardë dollarë.

Dmitry Rybolovlev
“AS Monako”, Banka e Qipros
Rybovlev zotëronte një shumicë aksionesh në kompaninë e kuotuar londineze “Uralkali” deri në 2010. Një vit më vonë, ai bleu dy të tretat e aksioneve në AS Monako, një klub futbolli i madh Europian. Ai e ka bërë Monakon një klub që shpenzon tmerrësisht shumë, duke blerë lojtarë si Radamel Falcao (i cili më vonë shkoi tek Manchester United) dhe James Rodriguez, fitues i Këpucës së Artë në Kupën e Botës”. Në kohën e krizës së Qipros në vitin 2013, Rybolev zotëronte thjesht më pak sesa 10 % të Bankës së Qipros, duke e bërë atë aksionerin më të madh pa partner.

Roman Abramovich
“Chelsea Football Club”
Në ndryshim nga aksioneri i arsenalit Alisher Usmanov, Abramovich zotëron një shumicë aksionesh tek Chelsea, të cilën e bleu në vitin 2003. Ai është një oligark në kuptimin e vërtetë të fjalës, dhe gëzon dritën jeshile të politikës, e cila është e hapur ndaj një klase të caktuar të multimiliarderëve rusë (ai ishte guvernator i Chukotkas, një rajon në veri lindje të Rusisë, për tetë vjetë). Klubet e futbollit janë sa një punë e dashur, aq edhe një lopë e artë për miliarderët globalë, dhe Chelsea përbën vetëm një pjesë të vogël të perandorisë së Abramovich-it. Por ai regjistroi një shifër rekord prej 18 millionë paundësh në vitin fiskal 2013-14.

Alexei Mordashov
“Lucchini”
Mordashov “përpiu” aksionet që u ishin ofruar punëtorëve në industritë shtetërore, ndërsa ato privatizoheshin në vitet 1990, dhe shumë shpejt u bë i pasur. Si shumë oligarkë të tjerë në listë, ai i ka bërë paratë me metale. Në 2010-ën, Mordashov bleu “Lucchini”-in, një nga prodhuesit më të mëdhenj të çelikut, por kompania kaloi në administrim të kontrolluar në vitin 2012, dhe ai ende është duke kërkuar për një blerës. Nuk është interesi i tij i vetëm europian: Ai zotëron çerekun e një grupi udhëtimi Gjerman “TUI”.

Mikhail Prokhorov
“Brooklyn Nets”
Prokhorov është njëri nga emrat më të famshëm në listë. Ai është një oligark tjetër i cili bëri pasuri në industrinë e metaleve, dhe u fut si kandidat në zgjedhjen presidenciale ruse në 2012-ën. Në vitin 2010, Prokhorov bleu New Yersey Nets dhe më pas i zhvendosi në Brooklyn. Në këto momente duket se ai ka dëshirë që të shesë.

Alexander Abramov
Uzinat e e Çelikut të Oregon-it
Abramov është njëri nga partnerët e biznesit të Roman Abramovichit, dhe kontrollon një sasi shumë të madhe të çelikut të Rusisë, përmes gjigandit industrial Evraz. Në 2007-ën, ai filloi të blinte interesa në Shtetet e Bashkuara. Kjo përfshiu Oregon Steel Mills dhe Claymont Steel. Kjo e fundit është tani e mbyllur, por me të ardhura më shumë sesa 1 miliardë dollarë uzinat e tij në Amerikën e Veriut gjenerojnë një të pestën e të ardhurave të tyre dhe interesat amerikane mund të fluturojnë në bursë.

Len Blavatnik
“Warner Music Group”
Blavatnik, një qytetar amerikan, është dukshëm shumë i palumtur  kur i referohesh si një oligark. Ai e filloi karrierën e tij të biznesit në SHBA, përpara shembjes së BRSS. Por ai padyshim mblodhi shumë para në situatën që u krijua menjëherë pas shembjes, duke përpirë asete të sapo privatizuara me një tjetër rus, Viktor Vekselberg. Me Access Industries, kompania të cilën e ngriti në New York në 1980-ën dhe të cilën e zotëron edhe sot, bleu Warner Music për 3.3 miliardë dollarë në vitin 2011. Mund të jetë kompania më e madhe oligarkike në Amerikën e Veriut.

Mikhail Fridman
“RWE Dea”
Mikhail Fridman themeloi Alfa-Eco në vitin 1989, e cila më në fund u bë Alfa Grup, një firmë investuese që zotëron një sërë interesash të ndryshme në Rusi. Blerja nga Fridman e RWE Dea vitin e shkuar i kushtoi atij 7.1 miliardë dollarë sipas Bloomberg, ndoshta blerja më e madhe e një kompanie europiane nga një rus. Është filial i naftës dhe gazit i RWE-së së Gjermanisë, firma e dytë më e madhe e vendit për energjinë. Rusia ka industrinë e naftës dhe gazit të vetën, por blerja i jep Friedman-it një prani të madhe në këtë sektor në pjesën tjetër të Europës./BI/
e.xh./www.bota.al

SHKARKO APP