OncoDaily: Ministrja Sala ndër 10 gratë më me ndikim në botë për Onkologjinë
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala është përzgjedhur ndër 100 gratë me ndikim në Onkologji për 2026 nga OncoDaily, një nismë ndërkombëtare që vlerëson gratë që po sjellin ndryshime të rëndësishme në kujdesin dhe trajtimin e kancerit në mbarë botën.
Sala është pjesë e 10 grave të para të prezantuara në listën e këtij viti, e cila vlerëson gra nga vende të ndryshme të botës për kontributin e tyre në përmirësimin e kujdesit ndaj kancerit. OncoDaily vlerëson rolin e prof. Evis Salës si ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, duke nënvizuar se ajo ka vendosur onkologjinë në qendër të reformës shëndetësore në Shqipëri.
Prestigjiozja ndërkombëtare evidenton disa nismave të ndërmarra si krijimi i Institutit Kombëtar të Onkologjisë dhe Rrjetit Kombëtar të Kancerit, standardizimi i protokolleve të trajtimit të sëmundjeve tumorale, zgjerimi i kapaciteteve rajonale të kimioterapisë dhe radioterapisë, rritja e financimit për barnat antikancer dhe forcimi i programeve të depistimit të kancerit të qafës së mitrës dhe parandalimit të HPV.
Prof. Sala është edhe Profesore e Radiologjisë në Università Cattolica del Sacro Cuore në Romë dhe ka drejtuar Departamentin e Imazherisë Diagnostike dhe Radioterapisë në Fondazione Policlinico Universitario Agostino Gemelli IRCCS. “100 Influential Women in Oncology” është kthyer në një traditë të veçantë të OncoDaily që prej 26 gushtit 2023, Ditës së Barazisë së Grave në Shtetet e Bashkuara. Iniciativa synon të njohë 100 gra frymëzuese që bëjnë diferencën në fushën e onkologjisë në mbarë botën.
Edicioni i vitit 2026 vijon këtë traditë, duke sjellë në vëmendje kontributet e grave që punojnë për përmirësimin e parandalimit, diagnostikimit, trajtimit dhe kujdesit ndaj pacientëve me kancer. Për Shqipërinë, përzgjedhja në këtë listë ndërkombëtare përbën një vlerësim të ekspertizës shqiptare dhe të transformimit që po ndërtohet në fushën e onkologjisë, duke e vendosur vendin në vëmendjen e një komuniteti global të profesionistëve dhe liderëve të kujdesit ndaj kancerit.
KOHA JONË SONDAZH

