Opozita mes gabimeve dhe milionave

Nga Desada METAJ/Tre ditët e fundit mund të shënohen pa frikë si ditët më të vështira dhe të këqija të PD. Madje kujtoj se dhe në vitin e vështirë 97 apo 98 dhe 2001, prapë kishte më shumë mbështetës që endeshin kot korridoreve apo zyrave të selisë duke turfulluar për komunistët që ishin rikthyer në pushtet me revolucion. Sepse të paktën, atëherë pranë PD kishte ende njerëz që besonin tek vlerat dhe kishin armë të fortë antikomunizmin, një tezë e zhvleftësuar fort dhe keq gjatë 8 viteve që demokratët drejtuan qeverinë. Ndoshta që këtu duhet të nisë analiza për humbjen e thellë të së dielës, humbje që ravijëzoi qartë gabimet e lidershipit, ato të trashëguara por dhe të 4 vjeçarit të parë të opozitës.

Askush nuk di të thotë me siguri se qindra mijëra që injoruan dhe zhvlerësuan votën në 25 qershor ishin elektorat i djathtë. Mes tyre ka patur pa dyshim dhe përkrahës të PD, të mërzitur me Berishën apo të pakënaqur me drejtimin e Bashës, por mospjesëmarrja e tyre në të vërtetë ishte goditja më e madhe për PD vitet e fundit. Arsyet mund të kenë qenë të forta, disa ende nuk ja falin PD keqqeverisjen e 3 viteve të fundit në pushtet, ka mes tyre kundërshtarë të mënyrës se si Berisha drejtoi vendin, apo mosbesues të stilit me të cilin Basha udhëhoqi opozitën. Dhe me të drejtën demokratike të votës këta bojkotues të zgjedhjeve dënuan PD edhe pse ndoshta në inat e sipër harruan që timonin e lanë në duart e Edi Ramës, që nuk mund të konsiderohet si e keqja më e vogël në këtë situatë. Kjo pjesë e zemëruar, e inatosur apo indiferente që dënoi PD me braktisje në 25 qershor është në fakt dhe pjesa më pak e përfaqësuar në PD. Për të keqen e saj, këto 4 vjet partia më e madhe në opozitë nuk analizoi dhe vuri kurrë para përgjegjësisë ata që në 2013 e shndërruan të djathtën në hambarin e pasurimit vetjak, rrënimit të vlerave, talljes me ish të përndjekurit dhe ish pronarët, largimin e militantëve të vërtetë dhe afrimin e pazarxhinjve që i bëjnë fresk çdo pushteti.

Për 4 vjet me radhë Lulzim Basha nuk arriti të krijojë dot një frymë të vërtetë opozitare, si ajo që në opozitën e parë i jepte sharm edhe kundërshtarëve që qeverisnin. Personalisht nuk e kam kuptuar kurrë Lulzim Bashën që për 4 vjet priste të rizgjonte shpresën me ish-ministra apo ish- drejtorë që ditën e kalonin në restorante luksoze e natën bënin çdo pazar të mundshëm me Edi Ramën që të ruanin paratë, vilat, pasuritë dhe makinat luksoze. Nuk e kam vlerësuar as pjesën e re që ai u investua të sillte në PD një grup të rinjsh pa grintë, pa profil publik, meskinë dhe meraklinj të mëdhenj për t’i pëlqyer si ish-kryetarit ashtu dhe aktualit. Nëse ata do të ishin të suksesshëm ndoshta “të vjetrit” në PD do të ishin larguar. Në 4 vjet opozitë, PD përfaqësohej në parlament nga dy apo tre zëra të vjetruar ndërsa në debatet publike përballej me papagaj pa formë dhe ngjyrë.

 I vetmi aksion i vërtetë politik, ‘Çadra e Lirisë’ ishte mekanizmi i vetëm që arriti t’a nxirrte PD-në nga apatia e gjatë. Për herë të parë Lulzim Basha nisi të bindë dhe më skeptikët se ai vërtet kishte frenat e partisë në dorë, se po drejtonte realisht PD-në dhe po i jepte oksigjen frymës së munguar opozitare. Për 3 muaj të gjatë dhe të vështirë ai u përball denjësisht me qeverinë, artikuloi akuza të qarta që gjetën mbështetje të gjerë dhe mbi të gjitha u ravijëzua si lideri i ri i së djathtës që ndoshta po zëvendësonte Sali Berishën. Diçka nisi të ndryshojë kur ai nënshkroi marrëveshjen me Edi Ramën. Ndoshta presioni ndërkombëtar, frika i të ndjerit i përjashtuar nga procesi elektoral, përgjegjësia për t’u përballur me situata bojkoti të panjohura më parë mund të kenë qenë faktorë qe ndikuan negativisht në zhvillimet e mëtejshme politike. Marrja e 6 ministrive, por më shumë e drejtorive thuajse pa rëndësi për zgjedhjet që ishin në prag, ngritën automatikisht dyshime për pazare të mundshme me Edi Ramën. Heshtja dhe mostransparenca e takimeve,”dashuria në distancë”, lufta e çakejve që vunë në mes LSI, gjuha e vagullt dhe mesazhet jo të qarta, hapësira për të nënkuptuar bashkëqeverisje në vazhdim me Ramën ishin padyshim faktorë rrënues të fushatës e cila që ditën e parë nisi me një tufë të pakënaqurish që nuk e gjetën emrin në listat e deputetëve.

A bëri gabim Lulzim Basha kur nënshkroi marrëveshjen me Edi Ramën? Kjo është një analizë që duhet bërë në PD edhe pse përgjegjës për të është direkt kryetari me funksione të ngrira. A pati gabime fushata e PD? Edhe kjo është një tjetër analizë që nuk duhet anashkaluar. Sepse gabime pati dhe jo pak. Por a mund të jenë pjesë e kësaj analize ata që nuk punuan asnjë ditë në fushatën e vakët dhe të shkurtër të PD? A mund të jenë sot flamurtarë te kryqëzimit të Lulzim Bashës ata që dhe gjatë 3 muajve të çadrës ishin thjesht turistë të saj? Vetëm më një sy të shpejtë konstaton fare thjesht se firmëtarët kundër Bashës në fakt, që kanë firmosur për 8 a më shume vite vetëm në bordero shtetërore, po të bashkojnë pasuritë e deklaruara dhe ato të fshehura mund të rrisin GDP-në e Shqipërisë. Ajo listë me ish ministra milionerë (në euro), ish deputetë që nuk justifkojnë as karburantin që shpenzojnë me rrogat që kanë, ish drejtorë apo këshilltarë që në 2005 e nisën karrierën duke tërhequr overdraftin e rrogës në bankë dhe sot jetojnë në luks, janë treguesi më i qartë i inatit dhe mllefit njerëzor. Dhe aspak i një sjelljeje politike e atyre që të paktën pretendojnë se janë pjesë e saj.

Këta dezertorë që gjatë fushatës punuan kundër PD, sot kërkojnë përgjegjësi për humbjen. Këta që për 4 vjet me shumë pak përjashtime, jo vetëm nuk folën në parlament, por nuk bënë asnje status në FB për zullumet e Edi Ramës, sot kërkojnë ta tërheqin zvarrë Lulzim Bashën nga zyra e tij. Por ata ndoshta kanë harruar që ka një gjë që paratë (sado shumë të kesh) nuk e blejnë dot. Dinjitetin dhe personalitetin nuk e gjen dot në tregun çam të rilindjes që blen dhe shet me raste edhe kundërshtarët politikë. As partinë dhe postet nuk mund t’i mbash përherë dhuratë nga ish kryetari apo si meritë e përdorjes që ai të ka bërë. Ka një moment kur të duhet të paguash për këtë.

Dhe për fatkeqësinë e asaj liste këtë herë kundërshtarët nuk do të përballen me Sali Berishën, por me Lulzim Bashën. Të preferuarin e ish kryetarit, të votuarin prej tyre dhe de facto personin që mund t’i vulosë dhe fundin e karrierës politike. Një pjesë e madhe e asaj liste që po përgatitet për revanshin e fundit në PD, janë ish miq apo bashkëpuntorë të Sali Berishës që ndër vite ka treguar se deri sa të ketë frymën do të tërheqë çdo fije të mundshme për ta bërë PD të funksionojë sipas mënyrës së tij. Ndaj është fatkeqësi për ata që i kanë qëndruar pranë dhe që nuk e kanë kuptuar se dhe këtë herë nuk e kanë përballjen me Bashën, por me Berishën.

Jo të drejpërdrejtë, por të zbukuruar ashtu siç vetëm doktori di ta bëjë lojën. Diabolizmi politik i atij që e mbajti PD në këmbë në ditët e vështira të 97 nuk mund t’ja fal vetes dhe t’ja lerë partinë disave që ai vetë i zgjodhi, i dha poste e ofiqe madje mbylli dhe njërin sy kur i pa që pasuroheshin. Sepse sot më shumë se garë në PD, opozita ka përballë një sfidë të madhe, mbijetesën përballë një mazhorance që ka shumë vota, shumë para dhe pushtet. Dhe nuk ka asgjë më urgjente se krijimi i një fronti të madh përballë Edi Ramës. Por këtë flirtuesit me pushtetin nuk e bëjnë dot, ndaj kanë zgjedhur rrugën që u duket më e thjeshtë…por që mund të jetë plot të papritura. Opinion.al

SHKARKO APP