Opozita shkon në zgjedhje e bashkuar, Rama shkon vetëm me dosjet 184 dhe 339
Nga Gentian Gaba –
Marrëveshja e nënshkruar midis Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim i jep fund një debati të stisur mbi kohezionin e opozitës.
Edhe pse ishte vetëm ‘formalizim’ i një vullneti politik të qartë prej bashkimit të hershëm të forcave të ndryshme politike, sot, me bashkimin e ftohtë të numrave të zgjedhjeve anormale të vitit 2017; me sondazhet, sidomos ato të sprovuara nga koha, që e nxjerrin fituese opozitën, nënshkrimi i marrëveshjes e projekton atë si forcën qeverisëse të pas 25 prillit.
Shprehja e qartë e këtij vullneti politik, të shuguruar nga një betejë e ashpër me Edi Ramën dhe keqqeverisjen e tij, që mes të tjerash do të shënohet si fronti më i gjerë opozitar në historinë e pluralizimit, e lë kreun e PS-së krejt të vetëm në zgjedhje.
Pa aleatë politikë, Rama është i rrethuar nga hijet dhe pasojat e bashkimeve parapolitike me personazhet e dosjeve 184 dhe 339. Krime zgjedhore që kanë lënë gjurmë në kujtesën e të gjithëve dhe shpjegojnë më së miri qasjen e Ramës ndaj pushtetit. Por janë gjithashtu edhe zembreku i dështimeve të tij, pasi një pushtet që buron nga përdorimi i forcave jo legjitime, në fund, mbetet një pushtet i ushtruar dhe i ndjerë nga qytetarët si jo legjitim.
Kjo nuk është vetmia e ‘liderit’, siç do të përpiqen ta përshkruajnë këtë gjendje deri në 25 prill, por izolimi që prodhon makutëria për të kapur me çdo formë cdo pushtet. Një taktik tipike e personazheve me një botëkuptim aspak demokratik, që e shohin pushtetin me lupën e strategjisë së ‘sallamit’, duke kapur çdo gjë, fetë pas fete.
Por, në fund, pas një rrugëtimi më shumë se 20 vjeçar në pushtet dhe një mandati me pushtet absolut, në mungesë të mundësisë për shkarkimin e përgjegjësive gjetkë, ‘bulimia’për të kapur gjithçka, ka arritur në format e fundit të çrregullimit. Depërtimi i krimit në politikë, kanabizimi i vendit, koncesione dhe PPP jashtë kontrollit, korrupsion galopant, arrogancë po aq galopante, të shoqëruara nga një listë e gjatë dështimesh dhe mashtrimesh, janë bilanci i tmerrshëm që e shoqërojnë në këtë garë të vetmuar. Përballë do të ketë një front opozitar që tejkalon edhe partitë që e perbëjnë atë.
Pengesat artificiale që krijoi me ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës, veçse penguan negociatat me BE-në, nuk prodhuan ndarjen e opozitës, sikurse ishte në ambiciet e Ramës. Dhe me gjasë do t’i kthehet në bumerang. Sepse veç partive që garojnë të bashkuara me PD-në, ka në fushë një parti që ka gjithë potencialin, njerëzor dhe ideologjik, për t’u kthyer në strehën e socialistëve që për 8 vite panë transformimin e partisë së tyre në ‘Rilindjen’ e një grushti të vogël njerëzish.
Kjo dyfishon ekipet e opozitës që do të zbresin në terren, duke ngushtuar edhe rrezikun e firos që prodhon sistemi zgjedhor, qartazi një tjetër shpresë e Ramës, që me ndryshimet e njëanshme, synonte thërrimet për t’u mbajtur me thonjtë e gjatë pas karriges. Dhe të kërkosh me ‘dhunë’ parlamentare thërrimet, është një tjetër tregues i pamundësisë që ka përballë.
Një pamundësi që do të bëhet përditë e më e madhe, sidomos pas marrëveshjes së 1 marsit. Sepse qartësimi i marrëveshjeve brenda opozitës dhe dalja me listën përfundimtare, e lëshon atë në një det më pak të trazuar parazgjedhor. Mesazhi i qartë që vjen nga gjithë lidershipi i opozitës, i roleve, i programit dhe i vizionit, lehtëson bazën e secilit grupim dhe i lejon mbështetësit e tyre të trokasin të bindur në dyert e shqiptarëve për të kërkuar besimin e tyre.
Një energji njerëzore që çlirohet për të prodhuar atë që në zhargonin politik njihet si ‘bandëagoning’ (bashkimin me karrocën fituese). Një bashkim numerik, që sot është më i madh se ai i mazhorancës aktuale parlamentare, që do të kthehet në një spirale vitrtuoze besimi rreth opozitës, e cila, pas shtrëngimit të radhëve, do të nisë shpalosjen e ofertës për të fituar mendjet dhe zemrat e qytetarëve që nuk e kanë votuar tradicionalisht.
Kësodore, ditë pas dite, do të shohim një opozitë që vetëm rritet, përballë një kundërshtari që vetëm tkurret. Pasi, pas 8 vitesh, askush nuk mund të besojë se Rama mund të bëjë me më pak pushtet, atë që nuk bëri dot kur i kishte të gjitha.Mapo.al