“Opozita të kthehet në vendin e punës”

Nga Edi Rama

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në pritjen e organizuar për ambasadorët e akredituar në vendin tonë, me rastin e festave të fundvitit

:Mirë se erdhët dhe gëzuar Vitin e Ri 2015 dhe Krishtlindjet po ashtu, cilido prej jush që pret dhuratë nga Santa Clauss!

 

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë,

Ishte kënaqësi për mua t’ju ftoja në këtë pritje të fundvitit. Sepse, nga njëra anë, meritoni një falenderim të sinqertë për gjithçka kemi bërë së bashku gjatë këtij viti të parë të qeverisjes sonë dhe nga ana tjetër, ndjehem vërtet i mbushur me entuziazëm, pas këtij viti që në marrëdhëniet e Shqipërisë me rajonin, Europën, botën, ka qenë i veçantë.

Kërkoj lejen tuaj për të falenderuar sot, ministrin Bushati, roli i të cilit ka qenë kyç në jetësimin e dinamikës së re që jemi zotuar t’i japim politikës së jashtme të Shqipërisë. Dua të falenderoj gjithashtu këtu, ministren tonë të Integrimit, e cila ka provuar këtë vit, me kontributin e saj, se pasioni, mençuria dhe vullneti janë mbi eksperiencën në shkallën e vlerave të një anëtari qeverie.

Padyshim, të dy ministrat do ta kishin pasur shumë më të vështirë, pa faktet kokëforta të mirëqeverisjes që ka prodhuar përpjekja e ministrave të tjerë në betejën për përmbushjen e prioriteteve kyçe të integrimit.

Statusi i vendit kandidat për Shqipërinë, arritja e bukur e këtij viti të parë qeverisës, është padyshim mbërritja pas një rrugëtimi shumëvjeçar. Por s’ka dyshim po ashtu, se pa fuqinë shtytëse të ambicies, vendosmërisë dhe rezultateve të kësaj skuadre të re, Shqipëria nuk do të ishte sot, zyrtarisht, vend kandidat i Bashkimit Europian.

Një falenderim joformal për deputetët e Komisionit të Jashtë e të atij të Integrimit të Kuvendit, që nuk kanë ngurruar të na garantojnë në kohë reale mbështetjen e tyre, pa munguar të na nxisin me vërejtjet e kritikat e tyre.

Fatlumësisht, kjo fjalë e imja para jush mbahet pasi sapo është mbyllur odiseja e formimit të qeverisë së re në Kosovë dhe përfitoj nga rasti t’i përshëndes nga këtu, duke iu uruar mbarësi e sukses, dy drejtuesve të koalicionit të madh qeverisës.

Eksperienca e këtij viti më jep mundësinë t’i siguroj edhe Kryeministrin Mustafa, edhe Zëvendëskryeministrin Thaçi, se për ne shqiptarët, që shumë shpesh jemi rrëzuar e vonuar nëpër kthesa të mëdha a të vogla të historisë, ngaqë s’jemi marrë dot vesh kush të jetë kreu, kjo e drejtimit dykrenar mund të bëhet garancia më e sigurt e suksesit të qeverisjes së tyre.

Unë e pres me padurim takimin me Kryeministrin e ri të Kosovës, për të vazhduar së bashku rrugën e nisur në Prizren, janarin e këtij viti dhe çuar përpara, pa humbur kohë, procesin e bashkimit të forcave në rrugën e rritjes ekonomike, arsimimit të gjeneratës tjetër, zhvillimit të turizmit, krijimit të institucioneve të përbashkëta të kulturës e të shkencës, bashkimit doganor dhe europian të dy shteteve tona.

Shqipëria dhe Kosova janë sot përballë sfidës së madhe të kohës së re të një rajoni që ka gjetur më në fund paqen, pas 100 vjetësh, qysh nga Lufta e Parë Botërore. Sa më shumë ta jetojmë këtë sfidë si një sfidë të përbashkët të shqiptarëve, jo vetëm në Shqipëri dhe në Kosovë, po edhe në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi dhe sa më shumë ta kthejmë aksin strategjik të bashkëpunimit Shqipëri–Kosovë në një shembull nxitës për bashkëpunimin rajonal, aq më shumë do t’i afrohemi ëndrrës së vjetër të bashkimit kombëtar me rrugën e re të integrimit europian.

Në 2015-n, Serbia bëhet vendi i parë i rajonit që merr kryesinë e OSBE-së. Shqipëria do ta mbështesë pa rezerva Serbinë në këtë detyrë me kaq rëndësi për të rajonin tonë. Shpresojmë të shohim progres nën lidershipin e fqinjëve dhe uroj që këtë progres të mund ta konstatojmë edhe në rritjen e dukshme të standardeve të lirisë e të të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Kjo kohë e re ballkanike që ka sjellë qiell të hapur, më në fund, mbi kokat e shqiptarëve kudo ku jetojnë, e bën të domosdoshme jo vetëm ngritjen tonë si komb në lartësinë e sfidës europiane të rajonit, po edhe mbajtjen lart prej nesh të flamurit të paqes e të dialogut me Serbinë. Serbia nuk është më armiku ynë, po fqinji që duhet kthyer në partner real për të ndërtuar rrugën e të ardhmes europiane të Ballkanit. Shembulli frymëzues për të besuar në mundësinë dhe potencialin e jashtëzakonshëm të këtij partneriteti, na vjen nga historia e re europiane e marrëdhënieve mes Gjermanisë e Francës. Sigurisht që është më e lehtë të mendohet, pak më e vështirë të thuhet dhe tejet e vështirë të bëhet që shqiptarët dhe serbët të transplantojnë në trupin e Ballkanit, zemrën franko-gjermane që i dha jetë Europës së Bashkuar. Megjithatë unë besoj se do t’ia dalim edhe sepse nuk jemi vetëm. Përkundrazi, në këtë përpjekje kemi mbështetjen e shpallur vendosmërisht të Gjermanisë dhe të Kancelares Merkel personalisht.

Mbase askush tjetër s’e ndjen më mirë se ne shqiptarët zorin e fqinjëve serbë për të pranuar përmbysjen e madhe, pa kthim, të historisë në raportet e tyre tradicionale me shqiptarët. Por nga ana tjetër, askush më mirë s’e ne nuk mund të kuptojë se nuk na falet të mos shkojmë përtej historisë së vjetër, duke zmbrapsur dhe lënë pas çdo tundim nacionalist dhe duke qenë të hapur, të vendosur, por të durueshëm në këtë marrëdhënie sa të vështirë, aq strategjike për interesin tonë kombëtar.

Ky vit s’do të kishte kaq inkurajues pa Samitin e Berlinit, ku ka nisur rruga e një përkufizimi të ri të bashkëjetesës mes vendeve të rajonit, por edhe mes rajonit dhe Bashkimit Europian. Kancelarja Merkel ka të gjithë mirënjohjen tonë, për ftesën e për mikpritjen mbresëlënëse, si edhe për bisedën shumë të hapur, që na dha mundësinë të zhvillojmë në Berlin, 1 prillin e shkuar. Ajo ditë çeli një faqe të re në bashkëpunimin mes Shqipërisë e Gjermanisë dhe u pasua me ftesën e me mikpritjen e të gjithë kryeministrave të rajonit në kanceleri, ku u shpreh qartë vullneti gjerman për çeljen e një faqeje të re në marrëdhëniet mes Ballkanit dhe BE-së.

Shihet, dëgjohet, kuptohet, dihet përditë e më mirë se kjo kohë e re ballkanike, të cilës kancelarja i kushtoi një nisëm të re për të afruar më shpejt Ballkanin mes vetes dhe BE-në me Ballkanin, nuk përkon me një kohë të mirë për Europën.

Përballë sfidave nga jashtë dhe nga brenda saj, Europa e Bashkuar duket gjithnjë e më shumë një ide madhështore, e jetësuar gjithnjë e më keq; një projekt i jashtëzakonshëm, i penguar gjithnjë e më tepër nga një politikë e zakonshme që nuk sheh më larg se sa zgjedhjet e radhës; një fuqi e pazëvendësueshme, e krijuar nga nevoja për paqe e mirëqenie, që duket sikur po humbet vazhdimisht kujtesën.

Edhe pse jemi shumë të vegjël për të mundur të ndikojmë në kursin e BE-së, ne jemi në pozicionin e duhur për të mundur të argumentojmë se Ballkani sot i duhet BE-së, po aq sa ç’i duhet BE-ja Ballkanit; se Europa ka nevojë për shqiptarët po aq sa ç’kanë nevojë shqiptarët për Europën; dhe se nëse në BE do të triumfojë “lodhja nga zgjerimi”, s’është aspak çudi që në Ballkanin Perëndimor dhe mes shqiptarëve po ashtu, të triumfojë “lodhja nga durimi”.

Ka qenë një moment i jashtëzakonshëm për ne shqiptarët, për Shqipërinë në mënyrë të posaçme, por edhe për Europën, vizita e Papa Françeskut në Tiranë si stacioni i parë i tij, zyrtar, në rrugëtimin brenda Europës. Dhe po ashtu ka qenë e jashtëzakonshme fjalë e mbajtur nga Papa Françesku përpara Parlamentit Europian. Një fjalë, të cilës ne shqiptarët nuk i heqim dot asnjë presje në përpjekjen për t’i adresuar Europës gjithë atë ndjesi pafuqie që Europa na përcjell, ndërkohë që me gjitha fuqitë tona ne jemi përkushtuar që t’i bashkohemi Europës.

Nuk duam asnjë favor, duam vetëm që ndërkohë që çdo vend i rajonit kryen detyrat e veta në rrugën drejt anëtarësimit, BE-ja të kryejë detyrën e vet ndaj popujve të këtij rajoni në zemër të Europës. Të cilët sot kanë gjetur paqen jo sepse janë bërë engjëj, por sepse duan të bashkohen me Europën. Dhe detyra e BE-së, ashtu siç u theksua në Samitin e Berlinit, është të mos lejojë zhgënjimin që mund ta kthejë pas Ballkanin, po të mbështesë projekte të mëdha zhvillimi dhe bashkëpunimi rajonal, që vendet tona nuk i bëjnë dot kurrë pa mbështetjen europiane.

Zgjatja në këtë temë më tundon gjithë kohën, gjithnjë e më shumë këto kohë, por dua të ndalem duke nënvizuar se me sa kuriozitet, po dhe shqetësim po e presim gushtin e ardhshëm, për të parë në Austri se çfarë prodhoi në një vit, nisma e duhur dhe në kohën e duhur e Gjermanisë.

Ne besojmë shumë tek Austria, jo vetëm për marrëdhëniet e shkëlqyera që kemi me të dhe që Austria ka përgjithësisht me të gjithë rajonin, por edhe për rreshtimin e palëkundur të Austrisë në anën e partizanëve të zgjerimit. Prandaj edhe u gëzuam jo vetëm ne shqiptarët, por gjithë ballkanasit e pranishëm, kur Kancelarja Merkel na njoftoi se stafeta e samitit të ardhshëm do t’i kalonte Austrisë. Kështu që shpresojmë shumë të shohim zhvillimet e duhura. Ndërkohë kam kënaqësinë të ndaj me ju faktin se tanimë kemi marrë konfirmimin, dje, për të nisur punën për të pasur në Tiranë, majin e ardhshëm përpara samitit, një sesion të posaçëm të Forumit Ekonomik të Vjenës.

Të nderuar miq,

“Në fillim të viteve 90’-të bota që njihnim, si në Lindje ashtu dhe në Perëndim, shpërtheu në mijëra shkëndija. Llava e surprizave post-komuniste përbëhej nga dhjetëra konflikte, sociale, kulturore, etnike, ekonomike dhe gjeostrategjike. Të gjithë po kërkojmë diçka tjetër. Po hidhen farat e një bote që mund ta admirojmë në të ardhmen.” Këto janë fjalët që shkruante Vaclav Havel në vitin 1992. Me siguri, askush ndër ne sot, njëzet e ca vjet më pas, kur ripërkufizimet gjeopolitike, kulturore, ekonomike janë pjesë e një procesi reaksionesh zinxhir që vazhdon ta mbajë të përfshirë mbarë botën, nuk e di se sa duhet të besojë që do ta admirojmë botën që do të dalë në fund nga ky proces.

Por me siguri s’kemi asnjë arsye të mos vazhdojmë të besojmë se të ardhmen tonë në këtë pjesë të botës, jo vetëm e kemi në dorë vetë, po përballë ndodhive të hatashme si lindja e një projekti monstruoz për të ashtuquajturin Shtet Islamik, apo projekti tanimë i përfunduar i aneksimit të dhunshëm të Krimesë, jemi me fat që jemi pjesë e projektit të Bashkimit Europian. Ashtu siç jemi me fat që jemi pjesë e botës së organizuar nën ombrellën ushtarake të NATO-s, si edhe, padyshim, që kemi një partner dje aleat të madh strategjik si Shtetet e Bashkuara.

Lejomëni të ndaj me ju të nderuar të ftuar, ndjesinë e jashtëzakonshme që më krijoi publikimi i Raportit të Senatit Amerikan për hetimet jo fort të lavdërueshme të CIA-s përgjatë të ashtuquajturës Luftës kundër Terrorit. Shtetet e Bashkuara na treguan edhe njëherë se ç’do të thotë të jesh një demokraci dhe të duash të mbetesh demokraci, pavarësisht kostos që kjo ka. Nuk e di se sa vende të tjera në botë do të ishin në gjendje të tregonin botërisht forcën e tyre përmes shfaqjes së dobësisë së tyre, por di edhe njëherë tjetër se ne shqiptarët morëm provën se jemi në anën e duhur të historisë duke qenë besnikërisht në anën e Shteteve të Bashkuara. E për ne, kjo do të thotë padyshim besnikëri në çdo angazhim ndërkombëtar për paqen apo kundër armiqve të njerëzimit, po edhe besnikëri ndaj vlerave e parimeve të demokracisë që e bëjnë fat të jetuarit në këtë pjesë të botës për njeriun e lirë.

Unë jam krenar që gjatë këtij viti Shqipëria ka rritur jo vetëm figurën e saj në rajon, por edhe rolin e saj në gjirin e NATO-s, si i vetmi vend anëtar i NATO-s në rajon tanimë, pas integrimit të plotë të Kroacisë në Bashkimin Europian, që nuk është edhe anëtar i Bashkimit Europian. Zëri ynë në NATO ka qenë e do të vazhdojë të jetë qartësisht në mbështetje të politikës së dyerve të hapura për aspiratat e fqinjëve tanë në rajon lidhur me Aleancën. Ne do ta mbështesim fuqimisht anëtarësimin sa më shpejtë të Malit të Zi në NATO, ashtu siç do të mbështesim edhe atë të Maqedonisë. Por ne do të kërkojmë edhe përmes NATO-s, që fqinjët dhe miqtë tanë maqedonas të përparojnë më shpejt e më cilësisht, në mënyrë më të besueshme, për jetësimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Duke rinënvizuar vullnetin për ta çuar përpara partneritetin strategjik të Shqipërisë me Italinë, Greqinë dhe Turqinë, si edhe duke i falenderuar nga zemra dhe njëherë sot, fqinjët tanë të çmuar dhe miq të pazëvendësueshëm italianë, sëbashku me fqinjët tanë grekë, bashkë me gjithë të tjerët këtu të pranishëm, për mbështetjen që i dhanë vendit tonë në vendimmarrjen për statusin e vendit kandidat, dua të shpreh kënaqësinë për një rritje të ndjeshme gjatë këtij viti të komunikimit me Kinën. Ne duam të bëjmë ende më shumë në këtë drejtim, për të konkretizuar projekte interesante që janë ndërkohë në diskutim dhe për të rritur bashkëpunimin ekonomik me interes reciprok, qoftë të Shqipërisë, qoftë të investitorëve kinezë. Të njëjtën gjë duam të shohim edhe në marrëdhëniet me Vendet e Gjirit, ku veçoj me shumë kënaqësi rivendosjen e lidhjes së këputur për disa vite rresht, me Fondin Kuvajtjan të Zhvillimit.

Në fillim të vitit të ardhshëm do të vizitojë Shqipërinë Presidenti Alijev, shprehje kjo e një dinamike të re edhe në marrëdhëniet me Azerbajxhanin, jo vetëm si pjesë burimore e marrëveshjes strategjike për TAP-in, po dhe në funksion të bashkëpunimit ekonomik dypalësh për të cilin ne jemi shumë të interesuar.

Më ka bërë përshtypje para disa kohësh përgjigja e të mirënjohurit Alain Juppè për një revistë prestigjioze e politikës së jashtme, e cila e pyeste shefin e sprovuar të diplomacisë franceze se si e shihte ai botën në vitin 2030, si e dëshironte.

Në fillim të përgjigjes ai thotë se liderët duhet të lënë mënjanë imagjinatën dhe të merren me zgjedhjet imediate, që formësojnë botën që ata dëshirojnë.

Por në pjesën tjetër të përgjigjes, ai kujton filozofin dhe sociologun Karl Mannheim që thotë: “Zhdukja e utopisë i hap rrugën indiferencës, e mpin ndryshimin dhe krijon një gjendje në të cilën qenia humane s’është veçse një send.” Prandaj, përfundon ai, dëshira ime për botën e 2030-ës është Europa politike, Europa strategjike, Europa e fuqishme.

Thuajse të njëjtën dëshirë dëgjuam këtu në këto mjedise, para pak ditësh, edhe nga lideri legjendar i laburistëve anglezë, Tony Blair, me të cilin qeveria jonë ka privilegjin të bashkëpunojë për projektin e reformave. Po edhe nga Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz, të cilin e takuam pardje në Bruksel, po këtë dëshirë dëgjuam.

Në fakt Europa, me të cilën na lidh fort ëndrra e bashkimit si Shqipëri dhe si shqiptarë, është politike jo thjesht financiare, strategjike jo taktike, e fuqishme dhe jo e lëkundshme para çdo turneu elektoral në çdonjërin nga 28 vendet anëtare, siç ndodh sot.

Por në ndërkohë, ne e dimë fort mirë se pavarësisht faktit që kjo Europë që kemi sot është larg nga Europa që na ushqen ëndrrën e bashkimit, detyrat e rënda të integrimit duhet t’i bëjmë një për një dhe me çdo çmim, jo se na i kërkon Brukseli, po sepse na i kërkojnë fëmijët tanë, na i kërkon Shqipëria e gjeneratës tjetër.

Nuk ekziston asgjë më e mirë sesa vargu i maleve me detyra që duhet kapërcyer drejt bashkimit me Europën, për të mundur të kemi Shqipërinë që duam. Procesi i integrimit, pavarësisht gjithë burokratëve dhe burokracisë së yçklave e kleçkave që nganjëherë të heqin mendjen e kokës, është një instrument unikal, i pazëvendësueshëm, për të mundur të kemi shtetin modern të shqiptarëve. Rruga e Bashkimit Europian është e vetmja rrugë për të bashkuar dhe shkrirë në një organizëm të vetëm Shqipërinë me ligjshmërinë; për të pajtuar përfundimisht shoqërinë tonë me shtetin ligjor; për të ndërtuar plotësisht demokracinë funksionale jo vetëm në politikë, po edhe në ekonomi; për ta vënë kufirin e lirisë së secilit, aty ku fillon liria e tjetrit.

Mundem, po nuk dua ta fsheh sot, pas një viti para jush, krenarinë për çka kemi mundur të bëjmë në vetëm një vit dhe për se sa kantiere reformash, të vonuara për vite të tëra, kemi hapur vetëm gjatë këtij viti.

Jam krenar që morëm statusin e vendit kandidatit, pasi bëmë në nëntë muaj, çfarë nuk bëhej prej vitesh, madje çfarë dukej se s’do bëhej kurrë, si për shembull, zhdukja nga faqja e dheut tonë e Kolumbisë europiane të Lazaratit. Por jam krenar po ashtu, që realizuam me sukses objektivat jashtëzakonisht të vështirë të programit me FMN-në dhe kthyem Shqipërinë në rrugën e rritjes ekonomike dhe të uljes së borxhit.

Jam krenar që kapërcyem 40 vende në klasifikimin e Doing Business, apo shumë të tjera në klasifikimin për lehtësinë në pagimin e taksave, të dyja bazuar në analiza të Bankës Botërore. Por jam krenar po ashtu, që në shlyerjen e qindra milionë dollarë borxhe të trashëguara ndaj kompanive, auditi ndërkombëtar i FMN-së nuk gjeti asnjë moskorrektesë, e jo më pastaj arsye për të dyshuar për korrupsion.

Jam krenar që kemi bërë realitet tre reforma rrënjësore që i janë dashur vendit prej shumë kohësh dhe çdo qeveri ia ka kaluar tjetrës, në dëm të vendit, të shoqërisë e të gjeneratës tjetër:

Reformën Administrative-Territoriale, Reformën e Pensioneve dhe Reformën e Energjisë.

Por jam krenar po ashtu, që kemi reformuar thellë policinë, doganat, tatimet dhe po reformojmë arsimin dhe shëndetësinë. Ashtu siç jam krenar për 81 mijë e 352 punonjës të rinj, të regjistruar në librin e sigurimeve shoqërore, krahasuar me vjet, apo 78 mijë e 844 vende pune më shumë se një vit më parë, të nxjerra nga Anketa e Forcave të Punës të INSTAT.

Nuk dua t’ju bëj të gjithë listën e punëve të kryera apo të nisura me themel gjatë këtij viti, po jam krenar që janë vërtet shumë. Dhe jo për modesti, aspak, por për hir të së vërtetës, duhet t’ju siguroj se pa mirëkuptimin, mbështetjen dhe ndihmën e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, si edhe pa kompaktësinë e plotë të skuadrës qeverisëse të koalicionit tonë, ky bilanc i mirë modernizimi dhe europianizimi i vendit nuk do të ishte dot i mundur.

Thënë të gjitha këto, nuk do të doja në asnjë mënyrë që ndokush të mendonte se unë mendoj që gjithçka ka shkuar mirë, apo se nuk ka ende shumë më shumë për të bërë, në çdo fushë pa përjashtim. Dhe nuk e them këtë sa për të thënë një fjalë goje më shumë, për ti dhënë besueshmëri atyre që thashë më parë, po sepse unë e kam vetëdijen e plotë për mundimet e vazhdueshme e të pamerituara të qytetarëve nëpër sportelet e shtetit. Ashtu siç kam plotësisht të qartë se pa i çuar rrathët e tërmetit të reformave nën këmbët e sistemit të drejtësisë, s’kemi garantuar themelet e ngrehinës moderne të shtetit që kemi nisur të ndërtojmë.

E di edhe që pavarësisht se çfarë mendojmë ne, shumica, fakti që opozita nuk është në parlament, nuk dëmton vetëm opozitën, po pengon vendin dhe cenon besueshmërinë e tij në sytë e të tjerëve. Sinqerisht nuk e di çfarë mund të bëjmë më shumë për t’i ndihmuar të kthehen në vendin e punës, por di me siguri që jemi gati të bëjmë çdo gjë, nëse do të na e thonë çfarë.

Jam krenar në fakt që kjo e këtij viti të parë të mandatit tonë, është qeveria që është marrë më pak me opozitën në historinë e këtij vendi dhe nuk e di tani, a duhet të jemi krenar, apo duhet të ndjehemi në siklet përpara botës demokratike, të mësuar me rregulla parlamentare, që ky i kësaj shumice është parlamenti i parë në historinë e këtij vendi ku, kur ka qenë në sallë, opozita ka konsumuar më shumë kohë në foltore sesa shumica.

Të nderuar Shkëlqesi,

më kujtohet që vjet huazova për fjalën përpara jush, karakterizimin që ish- ambasadori danez i bënte marrëdhënies së Shqipërisë me Europën: “Tough Love”.

Edhe pas një viti, pavarësisht ndryshimeve që ka sjellë puna që kemi bërë, mbetet “tough love”. Por besoj se nuk gaboj po të them se është një tough love  with more trust. Me më shumë besim, nga ju tek ne, e kam fjalën, sepse besimi ynë ndaj jush është po ai që ka qenë.

Ju faleminderit.

SHKARKO APP