Pa 29 Nëntorin e ’44-s nuk do ishte Shqipëria e sotme

Shumë të dashur veteranë të Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, të afërm të dëshmorëve dhe të heronjve të atdheut.

Është kënaqësi e veçantë edhe për mua që në emër të gjithë Kuvendit dhe të nderuarve deputetë, t’ju uroj sot në këtë festë të jashtëzakonshme të 70-vjetorit të çlirimit të atdheut. Në këtë festë të jashtëzakonshme për çdo shqiptar patriot kudo që është, sepse na duhet të përsërisim fort një të vërtetë historike, që lidhet me rëndësinë e 29 nëntorit dhe të çlirimit të Atdheut, sepse pa 29 nëntorin e vitit 1944, nuk do të kishte 28 nëntor të 1912-s. Sepse pa 29 nëntorin e 1944-s, Shqipëria do të ishte cilësuar si një vend humbës i luftës dhe do të ishte copëtuar, siç u copëtuan shumë shtete të tjera të Evropës.

Ne e dimë shumë mirë se me sakrifica të panumërta, të jashtëzakonshme për numrin e popullsisë dhe të territorit, përsëri qarqet shoviniste fqinje u përpoqën që ta paraqesin Shqipërinë si një vend humbës në mënyrë që ta copëtonin atë dhe ta trajtonin si një palë humbëse. Ishte gjaku i dëshmorëve, i heronjve, sakrificave të mbarë popullit shqiptar, që e garantuan rikthimin e 28 nëntorit të Ismail Qemalit, vazhdimësinë e shtetit tonë, duke ruajtur të paprekur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial. Prandaj ne përkulemi sot me nderim, me mirënjohje të jashtëzakonshme ndaj sakrificave sublime që bënë dëshmorët dhe heronjtë dhe të gjithë ata që kontribuuan në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare.

Një luftë që filloi më 7 prill për popullin shqiptar, i cili e priti me armë pushtuesin dhe që vazhdoi deri më 29 nëntor me çlirimin e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë.

Unë do të theksoja vetëm dy aspekte që tregojnë dimensionin e jashtëzakonshëm njerëzor, tolerant të popullit tonë, që është një popull shumë i veçantë, i cili bëri të mundur që Shqipëria të ishte një vend unik në Evropë, ku asnjë hebre nuk iu dorëzua pushtuesit. Përkundrazi, një vend ku numri i tyre pas çlirimit, pra gjatë periudhës së pushtimit, u shumëfishua, që tregon një dimension të jashtëzakonshëm të solidaritetit dhe të sakrificës së shqiptarëve për të tjerët dhe për mikun.

Dhe së dyti, një dimension tjetër i tolerancës së jashtëzakonshëm të popullit tonë ka të bëjë me trajtimin e ushtarëve italianë pas kapitullimit të Italisë fashiste, të cilët u trajtuan si pushtues, por pas kapitullimit u morën në mbrojtje në mënyrë masive nga ndëshkimi i nazistëve. Këto janë dy vlera që tregojnë vërtet një tolerancë të madhe , një zemërgjerësi të madhe, një dimension të jashtëzakonshëm njerëzor dhe kulturor të një kombi, siç është kombi ynë.

Kështu që nuk do të doja të flisja më shumë, sepse vepra e dëshmorëve, vepra e partizanëve flet më shumë se gjithçka tjetër, ndërsa për historinë tjetër që kërkon të identifikojë Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare me vendosjen e sistemit komunist pastaj, duhet t’u kujtojmë të gjithëve, se kjo nuk ishte një risi shqiptare. Gjysma e Evropës u nda në atë mënyrë, por vlera e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare nuk mund të vihet në diskutim dhe të debatohet. Ajo garantoi këtë Shqipëri që kemi sot. Por jo vetëm kaq. Garantoi edhe këtë Kosovë që kemi sot, sepse pa këtë Shqipëri nuk do të ishte edhe kjo Kosovë shtet i pavarur dhe një komb, i cili çdo ditë e më shumë lartësohet drejt Evropës së Bashkuar. Gëzuar edhe njëherë 70-vjetorin e Çlirimit të Atdheut.

*Fjala e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta gjatë drekës së shtruar në nder të veteranëve dhe familjarëve të dëshmorëve e të heronjve të LANÇ-it

 

SHKARKO APP