Pa gjykata në Ditën e Drejtësisë

Nga Çlirim Gjata –
10 Maji konsiderohet si dita e drejtësisë në Shqipëri. Pa bërë shumë histori, për të mos ja marrë këtë punë institucioneve serioze të drejtësisë tonë, ato që janë, mund të themi se si duket drejtësia shqiptare në këtë përvjetor të 107(mos gaboj). Pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë. Me një Reformë legjendë në Drejtësi që ka ngecur tash 4 vjet dhe nuk po realizohet. Dhe pikërisht për shkak të saj kemi si rezultat një Kryeministër që ka kapur çdo pore të pushtetit dhe sundon pa kontroll. Ose që të jemi më të saktë. Nuk është reforma ajo që e bëri kështu Kryeministrin, por ishte Kryeministri me ndihmësit e tij të gjithanshëm, që e bënë kështu reformën në drejtësi.
Dhe kush janë rezultatet:

– Pa dy Gjykatat më të larta kontrolli ndaj Kryeministrit është në kuotën zero.

– Me një SPAK përgjysëm dhe të kontrolluar nga Ministri i Brëndshëm, si dhe pa BKH, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar është në kuotën zero.

– Me një KLP të kapur nga Kryeministri, pavarësia e prokurorisë nga ky është në kuotën zero.

– Me një Prokuror të ri të Përgjithshëm të kapur politikisht, zbatimi i Ligjit të Dekriminalizimit është në kuotën zero.

– Me një KLGJ të kapur e të paaftë për të marrë vendim, e cila edhe për një gjyqtar që i ka mbaruar mandati pyet publikisht të tjerët, pavarësia e gjyqsorit është në kuotën zero.

– Me një Inspektor të Lartë Drejtësie ish nëpunës besnik i Edi Ramës(av.i shtetit), që do kontrollojë gjyqtarë e prokurorë, cilësia e besimit të tyre është në kuotën zero.

– Me gjykata e prokurori, që po zbrazen përditë dhe nuk ka asnjë plan zëvëndësimi të shpejtë, vendosja e drejtësisë për qytetarin, po shkon drejt kuotës zero.

– Pa folur për të famshmin VETING. As zoti i Drejtësisë në qiell nuk e di se kur e si do përfundojë.

Ky është sot 10 Maji 2020, Dita e Drejtësisë në Shqipëri.

Për ta mbyllur. Në vitin 1967(juristët e vjetër e kujtojnë) u suprimua Ministria e Drejtësisë dhe Avokatia. Kështu, deri në vitin `90 s`kishte as Minstër Drejtësie dhe as Avokatë.
Pra, s`kishte Ministër Drejtësise, por kishte Gjykata dhe prokurori. Ndërsa sot kemi Ministër Drejtësise, por nuk kemi Gjykata dhe Prokurori.
Edhe për Avokatët. Në atë kohë kishte Gjykatë por nuk kishte Avokat. Ndërsa sot kemi Avokatë por s`kemi Gjykatë.
Po kur dreqin do të bëhet një herë ky vend, që ti ketë të gjitha organet e drejtësisë e të funksionojnë normalisht?!

SHKARKO APP