Pabarazia që sfidon Barazinë në proceset e Vendimmarrjes!

Nga Shaban Sulçe

A mjafton thjesht dhe vetëm përmbushja e kuotave të përfaqësimit gjinor nga partitë politike, nëse gratë nuk kanë hapësirën e duhur mediatike që zëri i tyre të dëgjohet? Përgjigjja është jo! Pa këtë element thelbësor, ky proces është i paplotë dhe rrezikon të kthehet në një rol me të vetmin funksion: “fasadën”, duke dëmtuar kështu rrënjësisht përpjekjet e gjata dhe shumë vjeçare për arritjen e barazisë në proceset e vendimmarrjes. Sepse në vendimmarrje nuk mjafton vetëm të jesh prezent, porse duhet të kesh të drejtë të flasësh dhe mbi të gjitha zëri yt të dëgjohet. Për fat të keq, Shqipëria është ende larg përmbushjes me sukses të këtij misioni. Dhe fushata elektorale e zgjedhjeve të vitit 2025 e dëshmoi këtë.

Është e vërtetë që vitet e fundit, përfaqësimi i grave në vendimmarrje ka njohur një progres të madh. Sot gratë kanë arritur të kenë një përfaqësim dukshëm në rritje në forumet drejtuese të partive politike, në Parlament, në kabinetin qeveritar dhe në institucione, por ndryshe nga shifrat e përfaqësimit në letra, përfaqësimi i tyre në hapësirat mediatike, për të folur eskluzivisht për të drejtat dhe shqetësimet e tyre, ka qenë dhe vazhdon të jetë tejet i vakët dhe në nivel dekurajues.

Swiss Digital Desktop Reklama

Le të përmendim disa shifra nga zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2025, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Nga 2046 kandidatë për deputetë, 792 ishin gra, pra 38.7%. Gratë kandidate fituan 49 vende në parlament pra 35%, 38 prej tyre, pra 5.1% të numrit total të kandidateve bënin pjesë në listat e mbyllura. Vetëm 11 gra kandidate që bënin pjesë në listat e hapura arritën të fitonin mandatin e deputetes. Midis shumë arsyeve, një ndër to, nga më kryesoret ishte edhe mungesa e hapësirës së duhur mediatike që do t’u mundësonte efektivisht komunikimin publik dhe politik me zgjedhësit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Raporti i Monitorimit të Rrjetit “Barazi në Vendimmarrje”, me titull “Narrativa Mediatike, Vizibiliteti, Pabarazia dhe Dhuna me Bazë Gjinore në Politikë gjatë zgjedhjeve të Vitit 2025” konfirmoi se gjatë fushatës elektorale, kandidatët burra morën afërsisht 90% të kohës politike nëpër edicionet e lajmeve, transmetimet e drejtpërdrejta dhe emisionet e debateve politike. Më konkretisht, në 41 stacionet televizive kombëtare dhe lokale të monitoruara, burrat kandidatë morën 89.8% të kohës totale, ndërsa gratë vetëm 10.2%. Prania e grave ishte në përmasa të vogla, veçanërisht në formatet me shikueshmëri të lartë si mbulimi i drejtpërdrejtë i ngjarjeve të fushatës.

Edicionet e lajmeve i dedikuan vetëm 9.9% të kohës së fushatës për gratë, ndërsa mbulimi i drejtpërdrejtë i ngjarjeve i alokoi atyre vetëm 8.6% të kohës televizive. Edhe pse programet e debateve politike paraqitën një përqindje më të lartë të grave, analiza cilësore tregoi se prania numerike nuk u shndërrua vazhdimisht në ndikim real, me gratë shpesh të pozicionuara në role dytësore. Gratë përbënin 24.6% të pjesëmarrësve në programet e diskutimit, e cila ishte relativisht më e lartë se në formatet e tjera, por ende shumë larg barazisë dhe e pamjaftueshme për të mundësuar ndikimin e tyre te publiku. Edhe pas zgjedhjeve parlamentare, raporti tregoi se gratë zunë vetëm 16.4% të kohës televizive, ndonëse kanë më shumë se 1/3 e vendeve të Parlamentit.

Mjaftojnë këto të dhëna nga fushata zgjedhore e postzgjedhore e 2025-ës për të kuptuar se aktualisht politika shqiptare, thjesht ka rritur përfaqësimin e grave në parlament për shkak të detyrimit të ligjit, por ende është larg mentalitetit dhe vizionit për ta mbështetur gruan shqiptare të ketë rolin që i takon në politikë dhe në vendimmarrje. 10 vjet më parë, pikërisht në gusht 2016 ishte tronditës fakti i dalë nga një raport i publikuar në atë kohë, nga Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje”, një kronikë kjo e pasqyruar në Zërin e Amerikës. Sipas këtij raporti, gratë shqiptare mbizotëronin në lajmet e kronikës së zezë dhe showbizit, por ama ato ishin të pranishme në vetëm 3% të lajmeve politike apo me rëndësi kombëtare. Po a mundet që hapësira prej 3% e kohës mediatike të jetë e mjaftueshme për të dëgjuar zërin e grave? Sigurisht, edhe këtu, përgjigjja është jo.

Sot 10 vjet më pas, me rritjen e përfaqësimit në hapësirat politike, gratë kanë fituar më shumë hapësirë mediatike, por prania e tyre në emisionet televizive më shumë ka përmasat e vendosjes në “llogore lufte” politike, sepse ato janë të detyruara të flasin në këto emisione për çështjet dhe debatet që konfrontojnë dhe debatojnë partitë që ato bëjnë pjesë. Ato detyrohen t’u qëndrojnë strikte “tezave dhe pikave të debatit” që përgatisin zyrat e shtypit të partive që përfaqësojnë. Energjia, përvoja dhe potenciali i grave në politikë shpesh orientohen drejt debatit të përditshëm politik, duke lënë në hije diskutimin mbi çështje që lidhen drejtpërdrejt me pozitën e grave, të drejtat e tyre, sfidat e përditshme dhe rolin e tyre në shoqëri.

Hapësirat mediatike të dedikuara ekskluzivisht grave politikane, ku ato mund të trajtojnë tema që lidhen me fuqizimin e grave në politikë dhe vendimmarrje, mbeten ende të kufizuara. Për këtë arsye, është e rëndësishme që gratë në politikë të kenë më shumë mundësi për të ngritur zërin mbi problematikat që prekin jetën e tyre dhe zhvillimin dhe mirëqenien e shoqërisë në tërësi. Vetëm nëse gratë bëhen bashkë, diskutojnë, rrahin ide dhe marrin vendime, politika në Shqipëri do bëhet më e mirë dhe shoqëria do jetë më e angazhuar për t’u dhënë zgjidhje problemeve dhe sfidave të saj.

Një pyetje thelbësore mbetet: si mund të krijohen kushte për një përfaqësim më të drejtë mediatik të grave në politikë? Një masë konkrete do të ishte që, në të njëjtën frymë me kuotat gjinore të parashikuara në Kodin Zgjedhor, edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të parashikojë standarde të qarta për mbulimin mediatik të grave kandidate gjatë fushatave zgjedhore.

Duke qenë se KQZ tashmë monitoron dhe rregullon kohën televizive të dedikuar subjekteve politike, një mekanizëm i ngjashëm mund të zbatohet edhe për garantimin e një pranie më të balancuar të grave në media. Kjo do t’i nxiste transmetuesit televizivë të siguronin një shpërndarje më të barabartë të hapësirës mediatike, duke u mundësuar grave kandidate të prezantojnë programet, vizionin dhe prioritetet e tyre.Njëkohësisht, edhe emisionet kryesore politike gjatë periudhës elektorale mund të adoptojnë standarde që garantojnë pjesëmarrje më të balancuar gjinore dhe kohë të barabartë diskutimi për gratë pjesëmarrëse në debate. Një qasje e tillë nuk do të përfaqësonte thjesht një masë në funksion të barazisë, por një investim në cilësinë e debatit publik dhe në demokracinë përfaqësuese. Gratë në politikë duhet të kenë mundësinë jo vetëm të jenë të pranishme, por edhe të dëgjohen, të shprehin vizionin e tyre dhe të demonstrojnë kapacitetet e tyre drejtuese. Siç është shprehur edhe ish-Presidentja e Kilit, Michelle Bachelet: “Kur një grua bëhet lidere, ndryshon jeta e saj. Kur shumë gra bëhen lidere, ndryshon politika”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?