Paçi fat me votuesit nga Bangladeshi

Nga Gjergj Erebara –

Në një fushatë elektorale është e arsyeshme që të diskutohet se çfarë politikash mund të ndërmerren nga autoriteti publik për të nxitur punësimin, për të rritur pagat dhe mirëqenien. Në mungesë të ideve të vlefshme dhe të besueshme, kryeministri ka zgjedhur edhe një herë të luajë politikën e konfliktit identitar.

Politika e konfliktit, ajo e njohur së fundmi si “politikë Trumpiste” u rikthye edhe një herë të mërkurën, me një koment të zgjedhur nga kryeministri posaçërisht për të shkaktuar zemërim: idenë e marrjes së punëtorëve nga Bangladeshi.

Duke takuar një sipërmarrës në industrinë fason, industria me reputacion jo aq të mirë sa i përket trajtimit të punëtorëve, kryeministri deklaroi se punëdhënësi duhet të marrë emigrantë bangladeshas për të zëvendësuar shqiptarët që nuk e pëlqejnë punën e që merren me llafe.

Deklaroi Rama: Unë e di se kjo është një bisedë e rrezikshme për mu, është bisedë e rrezikshme për ne se kur e themi ne kët na hudhen në fyt; dhe pastaj, kur i tregojmë këto, çfarë thonë? Po kjo nuk është punë; kjo është skllavëri; kjo është poshtërsi… Kemi kaluar tashti ligjin e ri për të huajt që është shumë i thjeshtë. Punëtorë të huaj nga Bangladeshi, nga Pakistani, nga India.” Dhe pastaj iu drejtua punëdhënësit që ankohej për mungesë punëtorësh me një gjuhë sikur po porosiste domate te tregu shfatar: “a i ke porosit [punëtorët]?!”

Kjo nuk është hera e parë që kryeministri bën një deklaratë të tillë: dhjetorin e kaluar, ndërsa pretendonte se vendit i nevojiteshin punëtorë për rindërtimin pas tërmetit, deklaroi të njëjtën gjë. Dhe pavarësisht se asgjë nuk i ndalon “punëdhënësit” shqiptarë ta bëjnë, asnjë bangladeshash dukshëm nuk ka ardhur në Shqipëri, përveçse ata që janë rrugës për emigrim të paligjshëm drejt Gjermanisë. Normalisht asnjë bangladeshas nuk vjen dot në Shqipëri për të gjetur Bangladeshin e vogël të kryeministrit. Dhe në rast se një bangladeshas zgjedh të emigrojë mijëra kilometra larg shtëpisë së vet, është shumë e paarsyeshme që ai të zgjedhë një vend të varfër si Shqipëria në vend të vendeve të pasura të Evropës. Por këto nuk kanë rëndësi. Logjika nuk është ajo çfarë deklarata e Ramës synon. Shkaktimi i zemërimit, po.

Edhe teoria e shqiptarit dembel që kërkon punë intelektuale nuk është aq e re për Ramën, i cili, plot shtatë vite të shkuara reklamoi sloganin “punë ka, nuk ka profesionistë”. Pas shtatë vitesh, (mjaftueshëm kohë sa për të arsimuar shtatë breza ku secili brez ka afërsisht 30 mijë të rinj), sërish dukshëm nuk paska profesionistë për të mbushur fabrikat fason, aq sa na duhet t’i marrim nga Bangladeshi.

Rama, i cili është në një garë për të shtyrë këto 25 ditë të mbetura deri në datën e zgjedhjeve me sa më shumë batuta dhe sa më pak debat normal mbi problemet e vendit, përfshirë edhe problemin e punësimit, dukshëm ia doli të hedhë edhe një shashkë tjetër për të shkaktuar edhe disa ditë politikë identitare, nga ajo që nxit debate jashtë realitetit dhe konflikt për gjëra që nuk ekzistojnë. Pas shashkës së seksizmit dhe asaj të enverizmit të keqkuptuar të kandidates së saj për Tiranën, tani vjen shashka e bangladeshasve ndërsa të tilla pritet t’i kemi me interval të rregullt një në çdo disa ditë deri në ditën e zgjedhjeve.

Kështu funksionojnë politikanët kur nuk kanë ose nuk duan të diskutojnë probleme reale dhe kur, pas tetë vitesh qeverisjeje, e kanë të vështirë të bindin ndokënd që nuk paguhet apo nuk është fanatik i partisë për ta votuar. Hajde të harxhojmë ca ditë kohë duke sharë Ramën që fyen shqiptarët dhe lavdëron bangladeshasit.

Megjithatë, duhet të theksohet gjithashtu se Rama e bën një politikë të tillë për shkak se nuk ndjehet shumë i rrezikuar nga idetë që mund të shprehë ndonjë politikë alternative nga opozita. Me pak fjalë, në rast se opozita do të kishte ide reale dhe jo reklama të vjetra të nxjerra nga fushatat e shkuara mbi ekonominë dhe punësimin, Rama nuk do ta kishte kaq të lehtë të mbështetej te një fushatë batutash.

Kjo i vë votuesit në pozicionin jo shumë të këndshëm të të zgjedhurit mes joalternativave qeverisëse. Kjo shpjegon gjithashtu një pjesë të mirë të arsyes se pse mijëra shqiptarë zgjedhin të ndërtojnë me mundim një jetë të re në emigrim në vend që të jetojnë në vendin e vet.

Sa për fasonistët që ankohen për mungesë punëtorësh, leksioni nga librat e ekonomisë është i thjeshtë: një punëtor jep afërsisht aq produkt për sa paguhet. Kur i jep 100 mijë lekë të vjetra rrogë, ka gjasa që merr 80 mijë lekë të vjetra punë. E nëse i jep 400 mijë lekë të vjetra rrogë, ka gjasa që merr 500 dhe 600 mijë lekë punë.

Këtë lloj leksioni e merr si nga Karl Marksi ashtu edhe nga Adam Smith apo Eric Williams, me defektet logjike të gjithësesilit, por me logjikën themelore që njeriu, si qenie inteligjente, pavarësisht nëse është punëmarrës apo punëdhënës, di të zgjedhë më të mirën për veten. Ai nuk pret t’ia rekomandojë kryeministri se ccfarë është e mirë për të. Nëse ndonjë biznesmen shqiptar ëndërron punëtorë të keqpaguar nga Bangladeshi, duhet të ketë parasysh se edhe bangladeshasit janë gjithashtu qenie racionale. BIRN

SHKARKO APP