Paketa “antishpifje”, gjashtë kritika për procedurën që ndoqi Kuvendi

Më 18 dhjetor 2019 Kuvendi kaloi në seancë paketën e njohur me emrin “anti-shpifje”, një nismë e qeverisë për ndryshime në legjislacionin për median, konkretisht ndryshime në ligjin 97/2013 për median audio-vizive dhe ndryshime në ligjin 9918/2008 për komunikimet elektronike.

Instituti i Studimeve Politike, në raportin për aktivitetin e Kuvendit ka renditur gjashtë kritika për procedurën që ndoqi Kuvendi në kalimin e ligjeve të debatueshme. Në vijim pjesë nga raporti i ISP:

Nismat ligjore shkaktuan reagime e protesta nga media dhe shoqëria civile, si dhe nga disa institucione ndërkombëtare. Për herë të parë pothuajse të gjitha grupimet mediatike e civile ishin kundër një akti të mazhorancës, megjithatë kjo e fundit, edhe pse zhvilloi disa seanca dëgjimore, përdori shumicën në parlament për kalimin e dy nismave. Në seancën plenare Kryeministri përdori gjuhë të ashpër kundër kritikëve dhe etiketoi çdo mendim kundër, duke e konsideruar nismën e tij si akt politik dhe votën pro saj si pjesë të axhendës politike.

Kalimi i dy nismave pati disa problematika ligjore, procedurale dhe politike.

E para, drafti i kaluar në komisionet përkatëse në parlament u prezantua në faqen zyrtare të Kuvendit vetëm pak orë përpara kalimit në seancën plenare, duke kufizuar ndjeshëm mundësinë e reagimit të ekspertëve dhe zërave nga grupet e interesit. I gjithë procesi u bë aq i shpejtuar, sa një numër deputetësh e zyrtarësh të lartë, të painformuar, por të motivuar politikisht, vijonin të mbronin ndryshime të cilat de facto ishin rrëzuar në negociatat e mesnatës së 16-17 dhjetorit 2019 midis qeverisë dhe faktorëve ndërkombëtarë.

E dyta, krahas draftit të komisionit gjithashtu në orët e pasdites së datës 17.12.2019 u publikua edhe një nismë ligjore paralele e kryetarit të grupit parlamentar të PS T. Balla, për ndryshime thelbësore në draft. Këto të fundit nuk kishin qenë pjesë e seancave dëgjimore dhe as e konsultimeve me grupet e interesit, dhe për pasojë, u përfshinë në draftin final pa konsultim publik.

E treta, asnjë prej materialeve kritike dhe alternative, përfshirë mendimet e pakicës në parlament apo të grupeve të interesit, apo deklarime e sugjerime të organizmave ndërkombëtarë adresuar Kuvendit nuk u publikuan as në faqen zyrtare të Kuvendit dhe as nuk u morën në konsideratë në debatin dhe votimin në seancën plenare.

E katërta, ishte hera e parë që të gjitha grupet e interesit ishin kritike me mazhorancën dhe fakti se kjo e fundit nuk ndryshoi qëndrim, e bën të parëndësishëm të gjithë bilancin dhe premtimin e procesit të konsultimit të parlamentit me shoqërinë civile, të promovuar për muaj e vite me radhë.

E pesta, relatorë e mbështetës politikë të nismës më të kritikuar parlamentare të vitit 2019 u bënë disa deputetë, të cilët në CV e tyre kanë një të kaluar të pasur në shoqërinë civile dhe jetën akademike. Ky është një prej rasteve që tregon se prurjet në politikë nga sektorë të tillë nuk sjellin domosdoshmërisht cilësi dhe një kulturë të re në jetën parlamentare.

Së fundi, nisma u shoqërua me kritika nga një numër i madh aktorësh ndërkombëtarë, u kontestua nga gjysma e anëtarëve të AMA dhe institucionet vendore që promovojnë të drejtat e njeriut, si dhe pritet të jetë element shtesë në monitorimin dhe kërkesat ndaj Shqipërisë gjatë 2020.

SHKARKO APP