Paketa e reformës në drejtësi sfidohet për herë të dytë në Kushtetuese

Në prag të përgjigjes nga Komisioni i Venecias për ligjin e vetingut, reforma në drejtësi sfidohet për herë të dytë në Gjykatën Kushtetuese. Dy shoqatat e gjyqtarëve dorëzuan të premten një padi kundër ligjit “për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, përmes së cilës kërkojnë pezullimin e ligjit dhe shpalljen e tij si antikushtetues.

Gerd Hoxha, kreu i Unionit të Gjyqtarëve dhe Erion Bani, kryetar i Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve pretendojnë se ligji për “statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” është në kundërshtim me 22 nene të Kushtetutës së re. Sipas padisë së dorëzuar në Kushtetuese, ky ligj krijon kaos në sistemin e drejtësisë, krijon vakuum në funksionimin e institucioneve dhe bllokon dhënien e vendimeve.

Ligji “për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” është njëri prej shtatë ligjeve të paketës mbështetëse për reformën në drejtësi, që është miratuar nga Parlamenti shqiptar. Ai ka hyrë në fuqi më 22 nëntor, duke sjellë njëherazi edhe kufizim në aktivitetin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Prej miratimit të ligjit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, KLD, ka humbur kompetencën e emërimit, promovimit apo transferimit të gjyqtarëve. Deri në shkrirjen e tij, KLD mund të emërojë vetëm magjistratët që diplomohen në vitin 2016 si dhe veprojë në rastin e masave disiplinore apo të vlerësimit të gjyqtarëve.

Kufizimi i kompetencave të KLD-së është një prej pikave kryesore ku bazohet padia e dy shoqatave të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Ndërprerja e mandateve të kryetarëve të gjykatave është një tjetër argument që pritet të shqyrtohet në padinë e ngritur.

Padia kundër ligjit “për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” po shkel në gjurmët e procedurave të ndjekura më parë me ligjin e vetingut, i cili u pezullua nga Gjykata Kushtetuese pas padisë së bërë nga Partia Demokratike.

Pasi vendosi pezullimin e zbatimit të ligjit kryesor të paketës së reformës në drejtësi, Gjykata Kushtetuese është në pritje të rekomandimit të Komisionit të Venecias për të marrë një vendim.

Përgjigja e Komisionit të Venecias-arbitër i gjithëpranuar për reformën në drejtësi pritet me shumë interes jo vetëm në Tiranë, por edhe në Bruksel, ku në mesin e dhjetorit do të mblidhet Këshilli Europian për të diskutuar rreth mundësisë së hapjes së negociatave të Shqipërisë.

Ligji i vetingut dhe zbatimi i tij është kushti kyç i përmendur në rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave të Shqipërisë.

(BIRN)

SHKARKO APP