Pakti detar me Greqinë nuk ka nevojë për trille “fiction”
Nga MYSLIM PASHA
Vitin që shkoi kisha një ftesë në “Facebook” nga Shaban Murati, i cili bënte me dije dhe më ftonte për të marrë pjesë në organizimin e një ditë shpërfaqje të një libri studimor të tij mbi Paktin Detar me Greqinë. I interesuar si shumë të tjerë, edhe unë u ngjita në “15-katësh” dhe s’gjeje dot shteg të futeshe në sallë, aq shumë kishin ardhur. Prani e mediumeve dhe njerëz të breznive të ndryshme: ish-Presidenti, ish-ministra të Jashtëm, diplomatë, studiues, njerëz të politikës. E gjeta një cep dhe fillova të dëgjoj kumtesa që s’i kisha hasur kurrë në ato nëntë vjet, në të cilat u fol aq shumë për Marrëveshjen Detare të të dy vendeve dhe rrëzimin nga Gjykata Kushtetuese.
…Dhe në këtë ditë promovimi të habitshëm flitej se “Kufiri detar midis Greqisë dhe Shqipërisë ka ekzistuar…dhe “Çështja e ndarjes së kufirit detar me Greqinë është ‘e paqenë=fictive’. Gati të vije duart në kokë! Nuk po më mbante dot vendi. Dëgjoja vlerësime për librin dhe autorin, kisha në dorë botimin e cilësisë së lartë grafike. E gjithë përmbajtja brenda suazës së “kësaj çështjeje të paqenë” dilte se: “Kjo ishte një marrëveshje tradhtare… se kufiri që kish ekzistuar, ishte përfituar dhe falur Greqisë…etj.”, kontradiktore, por që ishin të lexueshme.
Pra: Lexuesi duhet të më ndjekë se ç’po ndodhte në atë shpërfaqje “fiction” të “asaj çështjeje të paqenë” në atë mobilizim dhe promovim aq të epërm në organizimin e tij.
Nuk ishte aspak e mirësjellë prej meje që në fund të kërkoja fjalën dhe të bëja një vlerësim për librin e lexuar pjesërisht dhe për kumtet që sollën disa studiues. S’ishte etike, ndaj heshta. I dërgova një mesazh në fb autorit ku ia thosha shkurt, se studimi ishte kryekëput i gabuar se atij i mungonte thelbi dhe objekti, se kufijtë detarë nuk kanë ekzistuar kurrë dhe ngritja në një “intrigë” e kësaj çështjeje ishte fatkeqësisht një marrëzi tekniko-ligjore dhe diplomatike e së Drejtës Detare Ndërkombëtare. Unë nuk u shpreha në shtyp deri më sot. Askush nga Ministria e Europës dhe e Punëve të Jashtme nuk e kundërshtoi. E hodha një hap modest për të vënë në dijeni kryetarin e sotëm të komisionit negociator me mbiemrin Skapi.
Dhe ky Skapi ma bëri shumë të lehtë, duke më buzëqeshur… “se s’ka gjë… le të shkruajnë se janë të lirë”… ç’rëndësi ka që të merremi me studiuesit që kanë mendime të ndryshme, t’i lëmë… Ne kemi hallin që të ndajmë Detin midis Greqisë dhe Shqipërisë apo jo!?
Kështu që nuk kundërshtova në mediume dhe nuk e kam zënë në gojë, këtë studim, që s’po e them që është një trill hulumtues.
Dy shtete kanë dhjetë vjet që grinden njëri me tjetrin dhe s’përkojnë në trajtesa për këtë ndarje të vijës detare, e cila s’ka ekzistuar kurrë…
Jemi në pikun e dhjetëvjetëshit që shkoi, kur Pakti Detar tradhtar u ngjiz, u nismua, u hartografua dhe u lidh me Ligjin e Detit me një humbje aq të madhe për Shqipërinë sa edhe vetë historia e kufijve nuk e nxë dot.
Ne kemi nevojë për zëra të tjerë studimorë që të ndihmojnë çështjen sepse në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, pala shqiptare ka dorëzuar një draftmarrëveshje në muajin qershor të 2018- s, e cila është po aq pushtuese për Detin Jon të Shqipërisë sa edhe marrëveshja e vitit 2009. Dhe ja, kur prisnim që diplomati dhe studiuesi Murati të na ndihte në opinione sesi duhet t’i kundërvihemi grupit të sotëm negociator për hapat diplomatikë që ka ndërmarrë, ai vijon që t’i shpërfaqë fiksionet e tij edhe në një artikull të ditëve të fundit.
Unë po radhis disa kundërshtime, për të cilat autori duhet të më ndjejë, se nuk kam asgjë me njohjen e përvojat e tij, kontributet diplomatike, se ne as nuk jemi njohur fare… mirëpo, çështja e detit duhet të na bashkojë.
1. Ja kumti kryefjalor i studimit: “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?” “Sjellja ndërkombëtare e Shqipërisë në çështjen e kufijve ka qenë në respektim të vendimeve të fuqive të mëdha dhe një qëndrim parimor për mosndryshimin e kufijve të shteteve në Ballkan dhe në Europë, gjë që duhet konsideruar një kontribut historik i Shqipërisë në stabilitetin rajonal dhe kontinental”. (Tiranë, Botimet Alsar, 2018, fq. 99) Nuk është çështje e paqenë, ju e quani intrigë. Pse vallë, nuk është fiktive, por çështje reale kombëtare jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por në gjithë Mesdheun?
2. Nuk ka të ashtuquajtur çështje të detit, “por ka negociata për ndarje të hapësirave detare”
3. Objekti i bisedimeve është: “S’ka vijë ndarëse detare midis të dy vendeve, prandaj fillojnë negociatat për ndarjen që pritet, jo vetëm për Detin Territorial, por edhe Zonat Ekonomike Ekskluzive”… Këto bisedime për kufirin janë çështje madhore juridike, shtetërore, diplomatike, historike dhe thelbësisht kombëtare.
4. Bisedimet me Greqinë për kufirin tonë detar janë një akt që nuk bie në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë. Në asnjë shkronjë të saj!
5. Kam qenë në formacionin e grupit studimor që mori pjesë në gjykimin në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë dhe gjatë atyre dhjetë orëve të kundërshtisë së madhe dhe të gjykimit të shëndoshë dhe argumentit ligjor nuk është folur se “ai kufi që po kundërshtonim, kishte ekzistuar…e ishte përcaktuar me kohë”…(cituar nga artikulli në “Dita”) As edhe i pranuar ndërkombëtarisht (!!!)
6. Këtu dalim në pikën fillimore të hulumtimit të gjithsecilit, në dokumente zyrtare që ekzistojnë në të dyja shtetet, Greqi dhe Shqipëri, por edhe që duhet të ekzistojnë në OKB, mbasi janë ndarje detare të së Drejtës Ndërkombëtare me marrëveshje dhe standarde të Ligjit të Detit. Pra, nuk ka asnjë gjurmë fillimore të ndonjë Traktati të ndonjë Marrëveshjeje, të ndonjë së paku tentative, lidhur me çka trajtojmë. Pra, kufijtë detarë të detit Jon midis Shqipërisë dhe Greqisë nuk ekzistojnë, ndërkaq ata me midis Greqisë dhe Italisë janë sipas paktit të vitit 1977.
7. Nuk ka asnjë gjurmë kundërvënieje me Kushtetutën e Shqipërisë, e aq më tepër që për Gjykatën Kushtetuese obajti ka qenë real, ndaj në 15 prill 2010, u rrëzua si Marrëveshje Antikushtetuese. 8. Është e vërtetë se Gj. K. shënon: “Kufijtë shtetërorë, përfshirë natyrshëm edhe kufirin e Detit Territorial ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, kanë ekzistuar”.
Kjo fatkeqësisht nuk është kuptuar nga autori. Sepse aty thuhet qartë se bëhet fjalë vetëm për “Detin Territorial” (12 md = 22 .22 km ) kundruall ujdhesës Othonoi, ku të dy shtetet ndajnë me marrëveshje 12 md dhe në vijim, në gati 105 km gjatësi të kanalit të Korfuzit deri në gjirin e Ftelias, është i gjithi “Det Territorial” me mbulim, poshtë madhësisë 12 md.
Dhe ajo ndahet në bazë të ligjit, me negociata midis të dyja vendeve. Autori e citon GJK pa njohur standardet e UNCLOS-it, ku secili shtet e di se Deti Territorial është e drejtë e tij, në shtrirje, por sërish me njohje dhe marrëveshje dypalëshe.
9. Autori, padrejtësisht, prapë në mënyrë fiktive, u drejtohet si shtyllave të Herkulit … “…aktet e mëdha juridiko-ndërkombëtare të fuqive të mëdha, si Konferenca e Londrës e vitit 1913, Protokolli i Firences i 27 janarit 1925 dhe sidomos ‘Akti final i delimitimit të kufijve të Shqipërisë’ i Parisit, i 30 korrikut 1926″.
Askund nuk thuhet se kufijtë detarë midis të dyja vendeve kanë ekzistuar dhe gjithçka tjetër lidhet me kufijtë Tokësorë. Ja dhe fraza e vetme që ekziston në arkivin e OKBsë e MEPJ: “Duke filluar nga shenja kufitare nr. III 79 vija e kufirit drejtohet nga JP, zbret shkëmbinjtë shumë të pjerrët dhe pas dhjetë metrash takohet me bregun e detit. Pastaj, ajo vijon deri në kufirin e ujërave territoriale duke ndjekur një vijë normale me drejtimin e përgjithshëm të bregut të detit. Ishulli i vogël i Tongos i ngelet Shqipërisë…”
10. Autori hamendëson një intrigë tjetër, se: “kërkesa drejtuar Presidentit ishte sa për sy e faqe, sepse praktikisht marrëveshja e re humbëse me Greqinë ishte sigluar dhe marrëveshjes i ishte prerë edhe dita e dasmës ose e festimeve në Pashkët Ortodokse në fillim të prillit 2018 në Korçë”.
Autori gjen “truall” “shelf” për të ndarë kufij, (…të cilat nuk kanë ekzistuar”), se sipas hamendësimeve dhe burimeve që ka, na sjell një dyshim të madh si një lëndë, e cila pritet të dalë në pah…Dhe kjo na duhet të gjithëve në këtë humbje të re që po presim, e kjo ka gjasa të kthehet në “realitet tragjik” të pushtimit të detit Jon të Shqipërisë.
11. Sipas autorit: ”…bisedimet për kufirin i ndalon faktit historik dhe juridik se çështja e detit është inekzistente ose e paqenë. Nuk ka ekzistuar kurrë në marrëdhëniet shqiptaro-greke një çështje deti. Nëse do të kishte pasur ndonjë çështje deti, ajo do të ishte trajtuar gjatë afro 100 viteve, qysh nga 1914, kur u vendosën për herë të parë marrëdhëniet diplomatike midis dy shteteve…”. E tëra kjo, nuk qëndron, mbasi siç u tha atypari, “s’ka pakt, të shkruar, as në arkivat e të dyja shteteve e as në OKB, as hartë e as skicë, as koordinata e as përshkrim vijës ndarëse, as parime e as negociata…”.
12. Në datën 11 mars 2016, Kryeministri Edi Rama, duke folur në Parlament për Marrëveshjen e Detit të vitit 2009, ka deklaruar: “Kufiri detar është faktikisht tradhti, nuk është përgjegjësi e qeverisë greke, që në Tiranë gjetën ca kokrra tradhtarësh, që falën gjithë atë territor ujor të Shqipërisë për ca interesa mizerabël”.
Kjo është ajo që e presim nga çdo studiues që të jemi në sogjetim për atë se ç’po gatuhet dhe ç’është gatuar në një draftmarrëveshje, që tani ndodhet në sirtarët dhe Hartografinë Dixhitale të shtetit fqinj, nisur nga ministri i Jashtëm grek, Jorgos Katrougkalos, i cili ka deklaruar në një intervistë të tij për radion “News 24/7”, se Greqia do të zgjerojë ujërat e saj territoriale në detin Jon, deri në verë të këtij viti”. Ja kjo është vepra që po merr formë në zgjerimin grek (lexo pushtimin) e bërë sipas të gjitha gjasave prej asaj draftmarrëveshjeje, që Greqia e ka në tavolinë, dhuruar prej palës sonë…
13. Duke lexuar më poshtë kur autori thotë: “…Edi Rama e ndalon Edi Ramën të hapë çfarëdo lloj bisedimi për kufirin detar me Greqinë…”. Rëndësi për lexuesin ka ky lloj ndriçimi që kap dyshimin se Kryeministrit nuk ia kanë çuar MEMON hartografike të marrëveshjes, por ia kanë komentuar si një zgjidhje të një vije ndarëse pak a shumë të përafërt me atë të vitit 2009, pa principe, pa mbështetje në Ligjin e Detit dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që anashkalohet në mënyrë kriminale e kjo e gjitha të sigurojë afërsisht të njëjtin “pushtim që bëri pala greke në Marrëveshjen e 2009-s”, por edhe t’i fërgëllijë Edi Ramës një zgjidhje… që ia miklon idenë e zgjidhjes paqtore diplomatike të kësaj çështjeje jetike kombëtare për të dyja vendet, e kësisoj t’i hapen rrugët për procesin vijimor në BE…
14. Ja sesi autori mbërrin sërish në “truall” te, “Paketa, e cila ishte një truk diplomatik grek për të kaluar kontrabandë marrëveshjen e rrëzuar të detit. Por Kryeministrit duhet t’i kishte bërë përshtypje ngutja e pazakontë e MPJ së tij për të përfunduar marrëveshjen e re të retushuar të detit me Greqinë me dy raunde bisedimesh, gjë që tejkalonte edhe nxitimin proverbial të MPJ të vitit 2009″.
15. Institucionet shqiptare, siç duket sheshit, janë jashtë kornizës njohëse profesionale, tekniko e ligjore, inferiore, të varur, me kapistër, ashtulloj si në rastin e Paktit të vitit 2009. Deri tash, në disa artikuj dhe intervista të miat, kam kërkuar tejdukshmëri për atë që është negociuar (por burime që nuk duan të identifikohen, e thonë atë dramën që në aktin e parë, se negociata s’ka pasur, por diktat politik nga kundërshtari). Ne s’kemi tejdukshmëri, por fshehtësi tragjike në Shpellën e Kretës a gjëkund tjetër… Deti Jon i Shqipërisë është i kërcënuar në çdo çast!
16. Në artikullin që cituam, përkaluam në gjetjen “fiction” të autorit dhe asaj fabulës kinse “…Kufiri detar midis të dy vendeve ka ekzistuar…” (që s’ka qenë kurrë e vërtetë!). Dhe nga fundi i shkrimit, në mënyrë krejt të natyrshme, ky gravitet i “fiction”-it zbret në mënyrë lavdëruese në nja dy konkludime me vlerë të autorit në këtë stinë protestash:
(a) “Se kufiri detar mes dy vendeve po negociohet në një lundrim interesash politike e pazaresh dhe grupi negociator nuk ka përcjellë realitetin, as hollësi parimesh, principesh e të drejtash ndërkombëtare të shkelura, të cilat duhet t’i kumtoheshin Kryeministrit”.
(b) Ndjeshmërinë e autorit ndaj bisedimeve me Greqinë për Çështjen e detit të pandarë është çështje sovraniteti dhe dinjiteti kombëtar.
(c) Pra, u kuptuam se “Kufiri detar në Detin Jon me Greqinë nuk ka ekzistuar!”. Mesazhet që përcjell autori edhe përgjatë fabulës që ka zgjedhur, janë shqetësime jo vetëm studimore, të cilat këmbejmë për çështjen në fjalë.