Pandemia; kritikat e opozitës dhe “optimizmi relativist” i qeverisë…

Nga Gëzim Tushi –

Më duket jo adekuate situata e lidhjeve të “natyrshme” apo shpesh herë edhe të “sforcuara”, lidhur me trajtimin krejt konfliktual e dikotomik midis qeverisë dhe opozitës lidhur me politikat shëndetësore, format organizative, skemat e përdorura dhe mënyrat e trajtimit institucional, “dialektika mjekësore” dhe efektet sociale të pandemisë së virusit Covid-19. Është fare e natyrshme, që në këtë situatë të përgjithshme “lufte” medikale me pandeminë, paralelisht të ketë një fushatë të fortë të kritikës së ideve, qëndrimeve dhe veprimeve të autoriteteve politike dhe mjekësore. Por ajo që është shqetësuese, jo aq për nivelin e autoriteteve politike që kritikohen, por për faktin në se kritikat që bëhen janë të drejta apo jo, që i shërbejnë përballimit të situatës apo ato janë me synime jashtëmjekësore. Pozita dhe opozita shqiptare si në cdo rast tjetër, natyrshëm që do jenë edhe për këtë rast në pozicione kritike me njëra tjetrën. Deri këtu gjithcka është e natyrshme. Por ajo që të shqetëson, duke parë strukturën, nivelin dhe statusin e kritikës publike, nuk është meraku i “prekjes së autoriteteve” politike nga kritikat reciproke, por niveli nganjëherë jo shumë serioz i gjykimeve të tyre publike. Dhe kjo është ajo që vë në dyshim publik thelbin, qëllimet dhe sidomos “autoritetin e kritikës”.

Në përgjithësi këto kohë përvec betejës thelbësore dhe realiteteve ekzistenciale të shfaqjeve të rreziqeve prej virusit Covid-19, opinioni publik është duke u bombarduar me shikime sempliste, trajtime shumë të skajshme të politikës opozitare dhe qeverisë. Ballë përballë janë deklaratat herë me natyrë pesimiste dhe herë me një lloj “optimizmi relativ”. Deri tani kjo ka qënë “vija magjistrale” politike që ka ndarë analizat, gjykimet dhe kritikat e thella, gati denigruese midis pozitës dhe opozitës shqiptare.

Opozita e vlerëson betejën me virusin dhe rezultatet e shënuara kundër tij, si një “betejë e dështuar” e qeverisë, e cila sipas tyre nuk ka marrë në konsideratë dhe nuk ka vlerësuar “opsionet e opozitës”, për mënyrën si mund të procedohej më mirë dhe si duhej administruar kjo situatë. Dhe për këtë ajo bën fajtore qeverinë, politikën e dështuar shëndetësore, rrugët e gabuara e jo efikase të ndërtimit të strategjisë së përballjes me virusin Covid-19. Qeveria nga ana e saj është kundër. Idetë melioriste të saj janë të shfaqura dukshëm, për të kundërshtuar gjykimet “inatcore të opozitës”.

Pesimizmi i skajshëm i opozitës, sipas qeverisë kërkon që virusin ta bëjë një “kalë beteje”, që mund të përdoret për të kaluar “lumin elektoral”, mjet për të arrirur fitoren e pushtetit në zgjedhjet e 25 prillit 2020. Sipas opozitës strategjia e përballjes dhe masat e marra nga shteti dhe organet respektive të administrimit të betejës me virusin, janë të gabuara, të pakujdeshme, jo aq humaniste e solidare sa do të duhet të ishin. Opozita mendon se politika e qeverisë, jo vetëm ka qënë kundërproduktive, por dhe me pasoja të rënda në situatën e shëndetit publik. Në eterin e propagandës opozitare jepen shifra, bëhen krahasime, identifikohen përgjegjësi të strukturave shtetërore, politike e medikale, që sipas tyre, janë tregues të rrugës së gabuar të ndjekur nga “kjo qeveri indiferente, e papërgjegjëshme dhe e pakujdeshme”.

Përballë qëndrimeve të vlerësuara si pesimiste dhe jo adekuate për “politikat e shëndetit”, vjen si gjithnjë reagimi kundër opozitar i qeverisë, e cila anatemon qëndrimet negativiste e disfatiste të opozitës, duke sjellë fakte e saj që sipas tyre për një menaxhim të saktë, sipas protokolleve të shëndetit dhe kompatibël me praktikat më të mira  të standarteve europiane. Qeveria jo vetëm nuk pranon kritikat “destruktive” të opozitës, por “rreh gjoksin” duke treguar se në trajtimin shëndetësor dhe social të situatës së pandemisë, veprimet, masat, strategjitë e ndërtuara, me një fjalë “struktura dhe superstruktura” e betejës është kompatibile, fare e ngjajshme me politikat e vendeve të tjera.

Sipas qeverisë, jo vetëm që trajtimi i virusit është bërë sipas protokolleve të përbashkëta të luftës anticovid, por dhe trajtimet në pikëpamje sasiore e cilësore janë pothuaj të ngjajshme, me ato që realizohen jo vetëm nga fqinjët tanë por edhe nga strukturat politike, mjekësore e spitalore të Italisë, Francës, Greqisë, etj. Në mënyrë evidente duken qartë qëndrimet diametralisht të kundërta të qeverisë dhe opozitës, të shfaquara në qëndrimin e diversifikuar skajshëm, edhe pse janë duke arsyetuar rreth të njëjtit objekt që është situata e vlerësimit, menaxhimit dhe luftës me pandeminë.

Personalisht nga sa kam mundur edhe të bëj ndonjë sondazh gojor me qytetarë dhe miq të mi, kam konstatuar si të vërtetë apo si gjykim sundues, një qëndrim të ekuilibruar të opinionit publik lidhur me qëndrimet, diametralisht të kundërta të qeverisë dhe opozitës. Por sa më shumë kalon koha edhe qëndrimet e qytetarëve kanë pësuar fluktuacione nën influencat e debatit politik pozitë-opozitë. Ajo që më duket shqetësuese nga pikëpamja sociologjike por dhe logjike, është ndikimi i thellë i politikës në “orientimin e drejtuar” të gjykimit të qytetarëve, duke u rreshtuar edhe në vlerësimin e qëndrimeve të politikës për mënyrat e trajtimit të pandemisë në krahun dhe në mbështetje të verbër të partisë përkatëse ku militojnë, apo sipas gjykimeve të asaj force politike që admirojnë. Është tregues sintetik i nivelit të pjekurisë së opinionit publik, fakti që qoftë në sondazhe apo në testimin e reagimit qytetar për politikat e qeverisë apo qëndrimet e opozitës, në përgjithësi opinioni publik i qytetarëve, është pothuaj ekuivalent me “opinionin elektoral”. Kjo përputhje  nganjëherë me mendjelehtësi, konsiderohet si vlerë e qëndrueshme e opinionit të qytetarëve tanë, që edhe në këtë situatë kanë si primare në gjykimin e tyre, jo aq të vërtetën empirike të gjërave, por më shumë duan që edhe këtu të tregojnë “besnikëri elektorale” ndaj partisë që i përkasin apo që admirojnë.

Në se opozita ka ngritur alarmin për një menaxhim të gabuar, apo për një keqmenaxhim të qëllimshëm të situates, për politikat dhe strategjitë e qeverisë, duke evidentuar një lloj pesimizmi dhe pasigurie për rezultatet e arritura deri tani dhe për ato që priten në të ardhmen, qeveria mendon ndryshe. Ajo jo vetëm që është sikurse shprehen liderët e saj, kundër qëndrimeve destruktive dhe pesimizmit të opozitës, por ndihen krenarë për sukseset e shënuara në këtë betejë me virusin.

Qoftë në vlerësimin e patologjisë dhe intensitetit të virusit, në administrimin sipas saj, me efektivitet të lartë të situatës dhe menaxhimin e balancuar të trajtimeve medikale në rrugë ambulatore e spitalore. Përballë qëndrimit të politikës së opozitës që sipas gjykimit të qeverisë, është totalisht pesimist, destruktiv, kundërproduktiv e nihilist, për rezultatet e shënuara në betejën me pandeminë, qeveria përpiqet të jetë e “dozuar” në konkluzione dhe e përmbajtur në “ditirambet” për suksesin e trajtimit politikisht dhe profesionalisht të kësaj situate. E ndodhur përballë një situate të vështirë për ta menaxhuar deri në fund, apo për ta vënë atë nën kontroll, qeveria ka kohë që luan jo pa sukses me kartën e njohur të “relativizmit optimist”.

Në përgjithësi autoritet politike dhe qeveritare të pozitës, përpiqen të tregohen të kujdesshëm, me sa munden edhe mbushamendës, duke përdorur në mënyrë të dozuar fjalët, gjuhën, argumenete dhe kundërargumente, jo aq shumë euforike se sa një mënyrë të përdorimit të këtij lloj optimizmi, që nuk është në nivele absolute, por që synon të jetë i qëndrueshëm në nivelin e “besimit relativ”, si mënyrë për të qënë objektiv me situatën dhe koherent me të vërtetat që duken apo që nuk shfaqen dukshëm. Nuk ka qënë pa sukses kjo strategji qeveritare e trajtimit të rezultateve të betejës me virusin Covid-19, duke ndërtuar një logjikë kuazi optimiste apo relativisht optimiste, duke pranuar se “ka bërë gjithcka që ka mundur” dhe që mund të realizohen në kushtet tona.

Logjika dominuese e qeverisë në këtë betejë të gjërë me virusin, opozitën dhe kritikat e zgjeruara të opinionit publik qytetar, e bazuar në kartën e përdorur gjërësisht të “relativizmit optimist”, është mbështetur në një metodë komparativiste, duke bërë krahasimet e rezultateve të saj me atë të shënuar nga të tjerët, duke relativizuar arritjet, sukseset dhe dështimet e politikave dhe strategjive të tyre, nga njëra anë dhe duke i krahasuar ato me politikat dhe strategjitë tonë shëndetësore.

Sipas kësaj logjike dhe e ndodhur përballë nihilizmit të opozitës dhe kritikave të zgjeruara të opinionit publik për vështirësitë e trajtimit dhe mjekimit, qeveria ka në përdorim të gatshëm përgjigjen relativisht optimiste, sipas të cilës në këtë betejë gati një vjecare me virusin, “gjërat mund të ishin zhvilluar më mirë, por mund të ishin zhvilluar edhe më keq”. Dhe për këtë sillen si argument krahasimi me situatat ekstremisht të vështira, të trajtimeve politike e medikale të pandemisë në Itali, Spanjë apo vende të tjera. Këto përdoren zakonisht nga qeveria si “mjet” për t’i vënë një bazë logjike, ndoshta edhe të qëndrueshme kartës së përdorimit të këtij “relativizmi optimist”. Kartë e cila nuk e ka në mënyrë absolute dhe plotësisht të garantuar suksesin e saj në këtë luftë…

*Sociolog, Mjeshtër i Madh    

Lexoni edhe…

SHKARKO APP