Paniku i Dosjeve
Nga Artur Zheji
Që shoqëria shqiptare ka një indeks të lartë falsifikimi, kjo dihej. “Jovlerat”, të paraqitura mjeshtërisht si të ishin vlera të larta, është një art i vjetër, jo vetëm në Shqipëri. Të habit fakti se si, ka pa dyshim një marrëveshje të pazëshme për ta lënë “Çështjen e Dosjeve” në harresë, në heshtje dhe mundësisht, dorë pas dore, në spiralen e qesharakes apo anakronikes.
Lajmëtarë të shumtë dhe të mediatizuar hodhën dyshimet e para. Sa dosje janë? Janë apo s’janë? Janë ruajtur apo janë manipuluar? Ia vlen apo jo të hapen pas 25 viteve? Të hapen sërish dyert e fantazmave, të cilat janë mbërthyer me qindra gozhda të arta? Me gozhda të arta, nënkuptoj karrierat, bizneset, pozicionet sociale, tribunat publike.
Kësisoj për të vërtetat alternative të Dhjetorit, apo për “Dosjet e Sigurimit” ka, si edhe duket qartësisht një “omerta’”, term siçilian ky, që nënkupton kodin e heshtjes, ose “kodin e unifikuar të përkufizimit standard” të ngjarjeve historike dhe hilerave historike.
Dihet që e “Vërteta Historike” është një betejë e humbur në Shqipëri. Për këto 25 vjet dhe ndoshta edhe për 25 vitet e ardhshme. Por të japësh një kontribut, qoftë edhe vetmitar, kundër rrymës së dakordësuar “majtas dhe djathtas”, në lidhje me mëkatet e origjinës së pluralizmit në Shqipëri, është një kokëkrisje që duket se ia vlen. Madje “sulmet” e maskuara dhe të drejtpërdrejta që më kanë ardhur këto ditë, për bukuri, sa Majtas edhe Djathtas, janë joshëse dhe janë prova të domosdoshmërisë së kësaj kokëkrisjeje.
Madje gradualisht, ish-bashkëpunëtorët fatkeq apo pasionantë të Sigurimit të Shtetit të viteve ’80-‘90, mund të vizatojnë anësh e anësh, “zbulimin” e një tendence që sot, kërkon të rikrijimin e “mitit të Sigurimit”, përmes polemikave aktuale mediatike. Përfshirë pra edhe mua. Kjo është sa qesharake, aq edhe e pështirë. Por mbi të gjitha ky është “Panik”. Për të cilin unë, apo ata që e mendojnë si unë, nuk mund të ndjehen fajtorë.
Por Dosjet nuk besoj se do të hapen. Dhe ky është një lajm i mirë për ata që kanë mizën nën kësulë. Dhe ky është një tjetër shans i humbur. Jo për të nxjerrë ndonjë “kunj” me dikë. Aspak. As edhe për ndonjë hakmarrje të vonuar ala “Edmond Dantes”. Në Shqipëri, në procesin global të falsifikimit, “Edmond Dantesi nuk mund të bëhet kurrë ‘Konti i Monte Kristos’, sepse në Shqipëri, si rregull Drejtësia nuk fiton kurrë.
Mirëpo, po t’i hedhim një sy të shpejtë çfarë ka ndodhur dhe cilat janë sëmundjet kronike të shoqërisë sonë, del se “mëkatet” e origjinës së pluralizmit barten deri sot. Kryesisht në ushqimin dhe falsifikimin e një tensioni politik shkatërrues dhe kryesisht retorik. Ka 25 vjet që palët politike, prodhim i drejtpërdrejtë apo i tërthortë i këtij “Mëkati Fillestar”, kanë shndërruar urrejtjen e rreme klasore, urrejtjen e shtirur ideologjike, në metodë politike. Dhe kjo mund të funksionojë vetëm në kushtet e errësirës apo të të ashtuquajturit “terr informativ” që realizohet përmes sulmit verbal, shpifjes, heroikes së rreme dhe historiografisë së rreme politike dhe postpolitike.
Është krijuar kështu një antikulturë politike, ku palët janë kaq armiqësorë me njëra-tjetrën, janë kaq sabotatorë të çdo suksesi politik të kundërshtarit, që sjell si pasojë varfëri dhe vetëm varfëri kombëtare.
Shqipëria, ky vend kaq i pasur në resurse të përgjithshme, në krom dhe në ujë, në energji natyrale dhe në bukuri të peizazhit, ngjan më shumë me tipologjinë e ca vendeve amerikano-jugore, të pasura në diamante, naftë e banane dhe njëkohësisht të varfra në ekstrem, në luftë permanente civile, të ndotura sëmundjet dhe nga grabitja e paskaj.
Sepse edhe në Shqipëri, pas çdo akuze për afera korruptive apo për dështime qeverisëse, në vetëmbrojtje thirret menjëherë “Kalorësia e Xhahilëve” të së kaluarës së pasqaruar dhe çdo bilanc, përfundon me një shpërthim të ri të Luftës Politike dhe çdo akuzë për grabitje, indeksohet rrejshëm, në një “Sulm Politik”.
Mbajtja e qëllimshme e falsifikuar e pjesës më të madhe e historisë 25-vjeçare të Shqipërisë dhe shqiptarëve, është terreni pjellor i çdo spekulimi, preteksti dhe alibie, me lëndën e parë të së cilës gatitet menjëherë “eksplozivi” turbullues i sherrit ideologjik që largon vëmendjen publike nga realja, nga bilancet e ftohta dhe nga skema e progresit real të Vendit.
Sepse, nëse thua që “taksa e sheshtë” e Berishës ishte një mjet i guximshëm dhe i mençur simbas doktrinës liberale për tregun, për të lehtësuar sipërmarrjen në kohë krize globale, atëherë je me Berishën dhe kundër PS. Nëse thua se “reformizmi” i Ramës është pozitiv dhe përgjithësisht i bën mirë vendit, atëherë je kapur në “flagrancë dredhjeje” proqeveritare, kundër PD dhe pro Ramës.
E pse?
E pse, e “Keqja” qenka grumbulluar e gjitha në njërën Anë dhe e” Mira”, qenka një lule që rritet vetëm në kopështin e Anës Tjetër?
Ç’është kjo marrëzi e stilit komunist që bartet si normalitet moral dhe estetik në kapitalizmin tonë qesharak?
“O me Ne ose kundër Nesh!” është një thënie rrënqethëse revolucionare dhe bolshevike sa më s’ka. Sot në Shqipëri funksionohet akoma kësisoj dhe deri në ekstrem.
Që kjo të vazhdojë, si strehë komode, duhet që shqiptarët, sidomos brezat e rinj, të rrinë në errësirë dhe të marrin të gatshme “mitet” e krijuara që në Mëkatin Fillestar të pluralizmit, ku kampet ndahen në “Heronj” dhe në “Xhelatë” dhe si pasojë sot, madje edhe nesër, do të kemi “luftën e bijve apo nipave” të Heronjve, kundër bijve dhe nipave të Xhelatëve.
Mirëpo, nëse Heroikja e rreme e Dhjetorit del në publik me pamjen e saj reale dhe pa “Mite”, si një Lëvizje Dialektike, e përshpejtuar nga strukturat e Shërbimeve, gjë krejt e ngjashme si në Rumani, apo në ish-Bashkimin Sovjetik, dhe krejt e natyrshme në sistemet e rrepta diktatoriale, atëherë sikur plas një Gjëmë!
Gjëma e Vdekjes së alibisë shumëvjeçare, që i mban shqiptarët artificialisht të ndarë në sfondin e një realiteti të pikturuar ideologjik dhe moral, që nuk ekziston.
Sepse ngjarjet e Dhjetorit ishin ngjarje të ngjeshura me emocione të forta, por normale, ku me normale nënkuptojmë atë që ndodhi sepse duhet të ndodhte. Ishte një tërheqje e organizuar e Regjimit që po vdiste, me të gjitha metodat dhe levat, që sistemi në rënie kishte në gatishmëri operacionale. Shërbime, infiltrime, regji apo manipulime. Dhe mbi të gjitha seleksionimin dhe përjashtimin e pinjollëve të të “deklasuarve”, nga natyra dhe historia e tyre, më radikalë dhe më të mllefosur. Aq më tepër që “dhjetoristët” u zhdukën sakaq si forcë vendimmarrëse dhe mbetën si një dekor, si një pikturë murale apo si një kujtim i zjarrtë i rinisë së hershme.
Pjesa tjetër është vetëm politikë dhe luftë për pushtet.
Hapja e Dosjeve, nëse hapen, nëse nuk janë shkatërruar nga ata që banonin dikur brenda tyre dhe ndërruan më pas identitet, do të qetësonte mjaft shpirtra dhe mbi të gjitha do të mbyllte depon e dinamitit që ushqen kaq sa kohë Luftën e Rreme të tipit bolshevik ndërmjet palëve. Herë në Pushtet dhe herë në Opozitë.
MAPO