Papa Françesku: paqja e kërcënuar, armëpushim olimpik gjatë Lojërave të Parisit

Mesazhi i Françeskut Kryeipeshkvit Ulrich për Olimpiadat që do të zhvillohen në kryeqytetin francez nga 26 korriku deri më 11 gusht: “Qofshin mundësi për harmoni vëllazërore, që do të mundësojë kapërcimin e dallimeve dhe të kundërshtimeve dhe do të forcojë unitetin e kombit”.

Mundësi për të “kapërcyer dallimet dhe kundërshtimet” e për të “forcuar unitetin e kombit” e rast “për të hedhur poshtë paragjykimet, për të nxitur vlerësimin ku ka përbuzje e mosbesim, e miqësinë, atje ku ka urrejtje”. Të shumta urimet e po aq edhe dëshirat e Papës për Lojërat Olimpike të Parisit 2024, të cilat do të zhvillohen në kryeqytetin francez nga 26 korriku deri më 11 gusht. Lojërat “për vetë natyrën e tyre, janë mbartëse të paqes, jo të luftës”, shkruan Papa Françesku në mesazhin dërguar kryeipeshkvit metropolit Laurent Ulrich, i cili sot në mëngjes kremtoi në Kishën pariziane të Madeleine, Meshën për hapjen e armëpushimit olimpik

Armëpushimi olimpik
Traditë e mençur, kjo e armëpushimit, e nisur që në botën e lashtë, që bëhet urgjente edhe në këtë epokë të plagosur nga konfliktet: “Në këto kohë të vështira, në të cilat paqja botërore kërcënohet seriozisht, shpresoj me gjithë shpirt që të gjithë ta respektojnë këtë armëpushim, me shpresën se do të mund t’i zgjidhë konfliktet dhe të rivendosë harmoninë” – thekson Papa – duke përsëritur një thirrje të shprehur tashmë në parathënien e librit “Shpirti i Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike”, botuar nga shtëpia botuese e Vatikanit Lev me iniciativën e Athletica Vaticana.

“Zoti pastë mëshirë për ne!”- shkruan Papa në mesazhin drejtuar kryeipeshkvit Ulrich, “e ndriçoftë ndërgjegjen e pushtetarëve për përgjegjësitë që rëndojnë mbi ta, u dhëntë veprimtarëve të paqes sukses në përpjekjet e tyre dhe i bekoftë”.

Hapini dyert e kishave, të shtëpive, të zemrave
Në letër Papa Françesku i kërkon më pas Zotit dhurata për të gjithë ata që, si sportistë apo spektatorë, do të marrin pjesë në veprimtaritë sportive; mbështetje e bekim atyre, që do t’i presin, “veçanërisht besimtarëve të Parisit dhe më gjerë”. “E di se bashkësitë e krishtera po përgatiten të hapin dyert e Kishave, të shkollave dhe të shtëpive të tyre. E, mbi të gjitha – uron – i hapshin dyert e zemrave të tyre, duke dëshmuar Jezu Krishtin që jeton ndër to dhe që u komunikon gëzimin e tij, përmes faljes, bujarisë e mirëseardhjes së tyre për të gjithë”- shkruan Papa – duke nënvizuar se e vlerëson shumë faktin e kujtimit edhe të njerëzve më të ligësht, “posaçërisht atyre, që jetojnë në situata krejt të pasigurta”.

Të kapërcehen dallime e kundërshtime
Papa shpreson se “organizimi i këtyre Lojërave do t’i ofrojë popullit francez një mundësi të mrekullueshme për harmoni vëllazërore, e cila do t’i ndihmojë t’i kapërcejnë dallimet dhe kundërshtimet dhe të forcojnë unitetin e kombit”.

“Sporti – vëren Papa Françesku – është gjuhë universale që kapërcen kufijtë, gjuhët, racat, kombësitë dhe fetë; ka aftësinë t’i bashkojë njerëzit, për të inkurajuar dialogun dhe pranimin e anasjelltë; nxit zhvillimin e shpirtit njerëzor; i fton njerëzit ta kapërcejnë veten, inkurajon shpirtin e flijimit dhe besnikërinë në marrëdhëniet ndërpersonale; na mëson të njohim kufijtë tanë dhe vlerën e të tjerëve”.

Takimi edhe ndërmjet popujve më armiqësorë
Nëse janë vërtet “lojëra” – Lojërat Olimpike mund të jenë vërtet “edhe vend takimi i jashtëzakonshëm ndërmjet popujve, madje edhe më armiqësorët”- kujton sërish Françesku, duke parë logon e njohur me pesë rrathët e gërshetuar të cilët, shkruan, përfaqësojnë “frymën e vëllazërisë”, që duhet të karakterizojë ngjarjen olimpike dhe garën sportive në përgjithësi.

T’u jepet fund urrejtjes dhe paragjykimeve
Në përfundim të mesazhit, Papa shpreh besimin “se Lojërat Olimpike të Parisit do të jenë mundësi e paharrueshme për të gjithë ata, të cilët vijnë nga mbarë bota, që të zbulojnë dhe të vlerësojnë njëri-tjetrin, të thyejnë paragjykimet, ku ka përbuzje, të nxisin vlerësimin e ku ka urrejtje, të krijojnë miqësinë!”.

R. SH. – Vatikan

SHKARKO APP