Paqja fillon me një buzëqeshje

Nga Blendi Klosi

Fjala e ministrit Blendi Klosi gjate Takimit Nderkombetar per Paqen qe nisi sot ne Tirane

Mirësevini në Shqipëri të nderuar MIQ! Mirësevini në bashkëjetesën tonë fetare, paqësore në qindra vjet! Mirësevini në vendin e harmonisë mes besimeve dhe komuniteteve fetare! Mirësevini në vendin e mbi 650 xhamive, 150 teqeve , e mbi 1100 kishave! Mirësevini në vendin e Skënderbeut, Ismail Qemalit, vendin e Nënë Terezës! Mirësevini në vendin e çudirave të bukura, në vendin ku kthehet në faktor paqeje ajo çka gjetiu ka sjellë luftë. 

Në Shqipëri, jetë e mot, njerëzit kanë ndarë gëzimin e fatkeqësinë, duke këmbyer të njëjtin besim dhe nevojë për njëri-tjetrin. Në Shqipëri, prifti dhe hoxha kanë luftuar njësoj për shkollat shqipe; bashkë krijuan shtetin shqiptar, dhe bashkë ndanë qelinë e burgut të diktaturës, sepse njësoj janë privuar nga e drejta për të besuar në fe e në Zot.

Mirësevini në vendin ku në një monument të rrallë kulture, në Kishën-Xhami të Shën-Shtjefnit, në Shkodër, ndërtuar në shekullin XIII dhe shtuar me një minare në shekullin XV, gjatë javës faleshin në xhami e të dielën myslimanët tërhiqeshin për t'u lënë të krishterëve vendin për meshën.

E kjo gojëdhënë e historisë nuk është trillim, por metafora reale e bashkëjetesës së feve, besimeve, njerëzve dhe kulturave.

Kjo është Shqipëria, vendi i 2400 monumenteve të kulturës, vendi i qindra kalave,  vendi i mikpritjes, vendi i Besës- fjalës së dhënë – që vështirësisht përkthehet në gjuhë të tjera, sepse është kaq e lidhur me traditën dhe historinë e vendit tonë.

Në shekuj ne besojmë tek Besa – fjala e dhënë, sepse në shekuj kemi besuar se fjala është më e fortë se pushka.

Ka qenë kjo fjale e dhënë, që shpëtoi mijëra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. E sërish sot, ne më shumë besojmë se fjala dhe dialogu mund ta bëjnë gjithmonë paqen të mundur.

Të nderuar zotërinj presidentë, I nderuar zoti Kryeministër, Të nderuar klerike e politikanë të lartë, Të nderuar miq e vullnetarë,

 drejta e besimit është një nga liritë e të drejtat themelore të njeriut, dhe ne si përfaqësues të shtetit kemi detyrimin ta mbrojmë e garantojmë, për të gjithë qytetarët pa dallim.

Kjo bëhet akoma edhe më e rëndësishme sot, kur grupeve të caktuara fetare në botë u mohohet kjo e drejtë dhe ata persekutohen bash për shkak të besimit të tyre, akoma më e rëndësishme kur diversiteti kulturor e historik cenohet, kërcënohet e zhduket duke abuzuar me fenë.

Në këtë botë të mbushur me konflikte, paqja dhe harmonia që ne kemi, i ngjan një njeriu të shëndetshëm, që vetëm një i sëmurë mund t’ia dijë vlerat që ka. Ndaj jemi shumë krenarë të mirëpresim kaq shumë miq nga e gjithë bota, në një qytet ku sot, në më pak se dy vjet ne mbështetëm ndërtimin e shumëpritur për myslimanët të xhamisë së madhe; përuruam katedralen ortodokse me pjesëmarrjen e patriarkëve nga mbarë bota; pritëm të gjithë bashkë, të krishterë e myslimanë, ashtu siç i ka hije mikpritjes së shqiptarit, Papa Françeskun; dhe financuam Odeonin e bektashinjve, të cilin do ta përurojmë në këto ditë të paqes, si një vlerë jo vetëm për bektashinjtë shqiptarë, por si një referim për mbarë bektashinjtë në botë.

 

Miq e të ftuar,

Jam shumë i nderuar që ju drejtohem në hapje të këtij takimi ndërkombëtar që na gjen së bashku në këto ditë të rëndësishme, deri në mbrëmjen e datës 8 shtator, për të thënë së bashku se "Paqja është gjithmonë e mundur". Në emër të qeverise shqiptare, do doja  të falenderoja me zemër  Komunitetin e Sant'Egidio-s, i cili, në frymën e Asizit, vendosi të mbajë takimin e 28-të këtu në Shqipëri, ndërsa ende ne kujtojmë vizitën historike të Papa Françeskut një vit më parë.

Dhe në mbyllje, duke cituar Nënë Terezën: “Paqja fillon me një buzëqeshje..” dhe duke vazhduar me thënien e Muhamedit: “Buzëqeshni, sepse buzëqeshja shkruhet si bamirësi…”.

Me lejoni t’ju uroj punime të mbara në kryeqytetin e paqes dhe harmonisë fetare,

model  të cilin Papa Françesku e quajti vëllazëri fetare…

Ju faleminderit!

SHKARKO APP