Paradoksi i atij që kërkoi të bashkonte kombin
Nga Nilda HALILI
Vëmendja e opinionit shqiptar dhe po ashtu ndërkombëtar është përqendruar te protesta në ”Rrugën e Kombit” për të kundërshtuar tarifën e kalimit. Një e drejtë kjo e padiskutueshme e çdo qytetari. Nëse duhet të jetë e dhunshme apo jo, ky është diskutim tjetër, por ama kjo protestë efektet i dha.
Shqetësimi dhe pakënaqësia e njerëzve ka qenë tepër e madhe dhe kjo u reflektua nga përleshja me forcat e policisë, të cilët shkatërruan edhe koncesionarin e ngritur për pagesën e taksës, duke i vënë flakën. Nga ana tjetër Opozita është më e “gjallë” se kurrë dhe reagimet nga liderët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë tepër të ashpra.
Që një protestë e tillë t’i ndodhë një mazhorance që ka fituar me aq shumë diferencë, do të thotë shumë. Kjo ishte prova që elitat asnjëherë nuk arrijnë të parashikojnë tronditjet nga popullatat mbi të cilat sundojnë. Një rast i rrallë kur njerëzit lënë mënjanë diferencat për shkak të nevojës bazike për mbijetesë.
Ndoshta vendosja e taksës në ”Rrugën e Kombit” është mesazh i qartë se kryeministri, që duhej të ishte i Shqipërisë, por siç duket është më shumë i biznesit, u kujdes për interesat e veta dhe jo të qytetarëve që e besuan aq fort.
Me vendosjen e kësaj takse, Rama jo vetëm theu ëndrrat e shqiptarëve për një të ardhme të përbashkët me Kosovën, por po trondit themelet, në një kohë që të dy popujt po stërmundohen nga varfëria ekonomike, padrejtësitë sociale, papunësia, plagët e arsimit dhe të shëndetësisë, rrënimit të mjedisit, etj.
“Shqiptarët po luftojnë kundër shqiptarëve në kufirin me Kosovën”. Ky ishte titulli që po qarkullon nëpër mediat e huaja ose më saktë të armiqve tanë të vjetër mbi protestën e Rrugës së Kombit. E nuk kanë faj, Rama ua dha “llokumin në gojë”.
Paradoksi është që para disa muajsh ishte po i njëjti kryeministër që gjatë fjalimit të tij në seancën solemne të Kuvendit për nder të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës deklaroi se një president i përbashkët Kosovë-Shqipëri do të ishte simboli më i mirë i një uniteti të të dyja vendeve.
Makiaveli thoshte: “Premtimi i dhënë ishte një domosdoshmëri e të kaluarës; premtimi i pambajtur është një domosdoshmëri e të tashmes”.
Kjo situatë midis dy shteteve shqiptare ka një pasqyrim të kthjellët: një popull shqiptarë i bashkuar më shumë së kurrë më parë, sidomos pas kësaj proteste, dhe një lidership të ndarë pa asnjë strategji të përbashkët afatgjatë midis tyre.
Marrë nga /Folshqip.al/