Parajsa e humbur e “Plazhit të Vjetër”
“Rëra megjithatë, është njësoj, edhe pse e shkelin dhe vrasin gjithë autoshkollat që banojnë plazhin, sërish rëra ka të njëjtën prekje. Ajo të kthen pas në kohë, kur heq këpucët dhe të përplas në realitet, kur hap sytë. Sa nuk bën dot pa pyetur më zë të lartë“…
Nga Rudina Xhunga
Aty ishte dikur një pyll me pisha. Pylli i Sodës. Mushkëria e qytetit, rrjeta e mushkonjave, krenaria e Vlorës. Vlonjatët e kishin vendin e preferuar të plazhit. Nëse hyje në atë pyll, nuk të dilej më. Nuk mbaronin zogjtë, boçat e pishës dhe ajri kishte aromë, ngjyrë dhe melodi.
Kush ka shkuar fëmijë në atë pyll, nuk ka sesi të harrojë bukën me djathë dhe domate, pasi dilte nga deti dhe gjumin në batanijen e shtruar mbi halat e pishës.
Pastaj kthimi në shtëpi, ndërsa pak më tutje ishin fatlumët, ata që nuk ktheheshin në shtëpi, ata që hynin në det, kur binte boria dhe loznin në kum gjithë ditën, sepse ishin mysafirët e Kampit të Pionierëve, aty ku vinin fëmijë nga e gjithë Shqipëria.
Pak më para, ishin kabinat e pushimit. Ballkonet e atyre ndërtesave me tri kate, ku përziheshin aromat e tavës së kosit, me specat e mbushur dhe çuçurimat e pasditeve në rërë, kur dilje nga deti me tri brigje, janë parajsa e humbur e plazhit të vjetër të Vlorës.
Tani, kur shkon aty, të merr e qara.
Kampi është kthyer në një nevojtore gjigante. I shkatërruar, i mjerë. Kabinat e tri muajve të verës, janë shndërruar në banesa të përhershme për të pastrehët. Aty banojnë ata, kafshët e tyre dhe mjerimi.
Rëra megjithatë, është njësoj, edhe pse e shkelin dhe vrasin gjithë autoshkollat që banojnë plazhin, sërish rëra ka të njëjtën prekje. Ajo të kthen pas në kohë, kur heq këpucët dhe të përplas në realitet, kur hap sytë. Sa nuk bën dot pa pyetur më zë të lartë:
Po mirë që e prishën, po me çfarë e zëvendësuan?
E dini ç’gjen me shumicë në atë zone? Pallate në rërë. Pallate me 800 euro metri katror. Pallate me pronarë të panjohur. Që kanë ndërtuar dhe ikur. Tani apartamentet i shesin, të zotët e tokës, ata që kanë shtruar pllakat e pallatit, ata që kanë vënë duraluminin, ata që kanë lyer etj., zanatçinj, që janë paguar me klering, duke marrë ca hyrje në këmbim. Me siguri edhe në hipotekë e bashki do kenë marrë hyrje me klering, se nuk ka mundësi të lejosh e të legalizosh aq shumë pallate në rërë, të shëmtuara dhe të pashitura.
Gjëma që i kanë bërë kësaj zone është e padukshme dhe e pallogaritshme. Sepse të gjithë në Vlorë, merren me Lungomaren, që në fakt po bëhet e do të mbarojë.
Ndërsa këtej, në një rrugë pa rrugë, duket sikur kanë vënë traun që ndan qytetin që po lind, nga qyteti që po vdes.
Këtej nga plazhi i Vlorës së vjetër, nuk shkon kush të prekë dëmin, që është më i madh sesa mund të tregohet.
Dikur fëmijët ngrinin kështjella në rërën e plazhit të vjetër dhe qanin, kur vinte deti dhe ua merrte kalanë.
Këta tani, ndërtojnë pallate në rërë dhe i shesin, para se t’i marrë deti. Dhe as qajnë, as ndëshkohen. Vetëm shumohen, ndërsa vrasin përditë, pafajësinë e plazhit të vjetër./ Dritare.net