Parakalimi i shtetarëve në prokurori. Një kurth për Berishën?
Gjatë gjithë mëngjesit të së premtes kanë kaluar pragun e prokurorisë me radhë, Ilir Meta në ora 8, Saimir Tahiri në ora 10 dhe kryeministri Rama që është paraqitur në ora 12 fiks. Dihet që përpos tyre prokuroria e krimeve të rënda ka ftuar edhe Sali Berishën.
Por, siç do ta shihni nga shkresa zyrtare qe lapsi.al e boton më poshtë, rezulton se kërkesë e Prokurorisë për Krime të Rënda e ka veçuar emrin e Sali Berishës, nga grupi i 6 dëshmitarëve të tjerë, të cilët janë thirrur lidhur me rrethanat e hetimit. Kjo sepse Sali Berisha është shtuar më pas, pra kur ka përfunduar seanca parlamentare e së hënës dhe Prokuroria e fton atë të dëshmojë "në bazë të deklarimeve publike të bëra në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, ditën e Enjte (dt. 05.03.2015), të cilat mund të jenë të vlefshme për këtë hetim", thuhet në shkresën zyrtare.
Por më shumë se për dëshmitë e Berishës në sallën e Parlamentit, të cilat i ka dëgjuar jo vetëm Prokuroria por e gjithë Shqipëria, thirrja e ish kryeministrit ngjan me një kurth tinzar politik, një loje të vogël, për ta vënë liderin historik të së djathtës në një sfidë. Fakti që emri i tij është shtuar më pas dhe që thirret për deklaratat në Kuvend, duket qartë se më shumë se zbardhjes së ngjarjes i shërben spektaklit politiko- mediatik dhe prokuroria për Krimet e Rënda me drejtuesin e ri, mesa duket e ka me qejf të jetë pjesë.
Dihet se në 25 vjet Berisha nuk ka pranuar kurrë të shkelë në prokurori. Madje edhe për të dhënë dëshminë e fakteve për vrasjen e Azem Hajdarit u desh ndërhyrja e ambasadës Amerikane që ai të jepte një dëshmi me shkrim, por gjithësesi pa kaluar pragun e institucionit të akuzës. Ndaj pyetja që shtrohet është: gjithë ky zell i krerëve të shtetit për të nxituar drejt prokurorisë, a është edhe një taktikë për të vënë ish kryeministrin në pozitë të vështirë? Për të treguar se Berisha vazhdon të mbetet i njëjti, që nuk i respekton institucinet etj, ndërsa ata, Rama, Meta, Tahiri… janë në respekt të shtetit ligjor? Tani topi është në fushën e tij.
Megjithatë, burime pranë ish kryeministrit i thanë lapsi.al, se në rast se Berisha do të ftohet zyrtarisht për të dëshmuar, ai këtë herë do ta kapërcejë pragun e organit të akuzës. Mbetet për t'u parë.
Shkresa e Prokurorisë:
Hetimi për rastin “Doshi”, Prokuroria fton zyrtarisht disa zyrtarë të lartë për të dhënë deklarimet e tyre për rrethanat e hetimit
Prokuroria për Krime të Rënda, në vijim të hetimeve të nisura kryesisht për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentative”, parashikuar nga neni 79/c – 22 i Kodit Penal, të filluar në bazë të deklarimeve publike të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Tom Doshi, ka marrë gjatë ditës së enjte (05.03.2015) deklarimet e tij, si edhe materialet mbi të cilat ka mbështetur qëndrimin e shprehur në media.
Në bazë të deklarimeve të z. Doshi, i cili ka deklaruar para grupit hetimor se ndaj tij dhe ndaj deputetit tjetër të Kuvendit të Shqipërisë, z. Mhill Fufi, ka pasur një tentativë për vrasje, Prokuroria për Krime të Rënda e konsideron të rëndësishme për hetimin e plotë të këtij rasti, marrjen e dëshmive nga ana e disa zyrtarëve dhe shtetasve të tjerë, për të cilët z. Doshi është shprehur se kanë dijeni për hetimin.
Për këtë arsye, Prokuroria për Krime të Rënda fton nesër zyrtarisht për të dhënë deklarimet e tyre lidhur me rrethanat e hetimit, shtetasit, si vijon:
1. Z. Ilir Meta, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë
2. Z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
3. Z. Saimir Tahiri, Ministër i Brendshëm
4. Z. Mark Frroku, Deputet në Kuvendin e Shqipërisë
5. Z. Mhill Fufi, Deputet në Kuvendin e Shqipërisë
6. Z. Eugen Beçi, ish Drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda, aktualisht i komanduar drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan
Po ashtu, në bazë të deklarimeve publike të bëra në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, ditën e Enjte (dt. 05.03.2015), të cilat mund të jenë të vlefshme për këtë hetim, Prokuroria për Krime të Rënda fton zyrtarisht të japë dëshminë e tij:
7. Z. Sali Berisha, Deputet në Kuvendin e Shqipërisë
Në vijim të hetimit, do të ftohen nga Prokuroria për Krime të Rënda për të dhënë deklarimet e tyre edhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes.
Prokuroria për Krime të Rënda ka regjistruar procedimin penal kryesisht për këtë rast në datë 03.05.2015, menjëherë pas deklarimeve publike të z. Doshi. Deri në atë moment, në organin e Prokurorisë nuk ka pasur kallëzim penal, por vetëm disa të dhëna indirekte, të cilat nuk përbënin bazë për fillimin e procedimit penal, në bazë të kerkesave te Kodit të Procedurës Penale.
Krahas marrjes së deklarimeve të zyrtarëve sa më sipër, Prokuroria për Krime të Rënda po vijon me kryerjen e të gjitha veprimeve të nevojshme proceduriale për të sqaruar plotësisht ngjarjen.